Një grevë 24 orëshe ka paralizuar sot prej orës 6 të mëngjesit Greqinë fqinje ,me mijëra qytetarë që po protestojnë kundër reformave të qeverisë konservatore të Qirjakos Mitsotaqis.
Mijëra grevistë kanë marshuar në rrugët e Athinës dhe Selanikut, duke shkaktuar kaos dhe trafik të rënduar. Sindikatat kundërshtojnë pjesë të legjislacionit të propozuar për punësimin dhe sindikalizimin që do të vështirësojë thirrjen e grevave, ndërsa përmban gjithashtu dispozita të pafavorshme për negociatat kolektive, përfaqësimin e sindikatave, pagën dhe kushtet e punës për mijëra të punësuar.
Kryeministri grek ka përkrahur projektligjin e qeverisë dhe tha se sindikatat duhet të pasqyrojnë vullnetin e punonjësve që ata përfaqësojnë dhe t'u përgjigjen atyre, duke deklaruar se ata nuk përbënin shumicën.
"Edhe një herë, një pakicë po godet dhe po e shqetëson shumicën," tha ai në një postim në Facebook, "Kjo për shkak se disa sindikalistë po reagojnë ndaj transparencës."
Në grevë përveç punonjësve të porteve marrin pjesë arsimtarët, nëpunësit e bankave, ndërtuesit, ndërsa spitalet funksionojnë me personel sigurie. Gjithë mediat televizive dhe radiofonike heshtin sot dhe gazetat për ditën e nesërme nuk do të qarkullojnë.
Marshimi kryesor i protestës nisi në qendrën e Athinës në orën 11.30 të paradites dhe përfundoi pasi arriti në Parlament pak para 1 pasdites.
Si rezultat i grevës së përgjithshme në aq javë, metrote dhe rrjeti kombëtar të hekurudhave dolën jashtë shërbimit. Tragetet që lidhin Pireun me ishujt grekë kanë qëndruar të ankoruar dhe mjetet e shërbimit publik kanë funksionuar vetëm për disa orë, pas grevës së nëpunëseve të sektorit shtetëror javën e kaluar. Gazetarët po bashkohen gjithashtu në grevën 24-orëshe mbarëkombëtare, përveç atyre që mbulojnë grevën.
Ajo është thirrur Konfederata e Përgjithshme e Punëtorëve të Greqisë (GSEE) me pjesëmarrjen edhe të Konfederatës së Administratës së Përgjithshme të Greqisë (ADEDY).
Nga ana e saj partia më e madhe opozitare, SYRIZA, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në grevë për të mbrojtur, siç thotë ajo, arritjet e sindikalistëve në vitet e kaluar të cilat qeveria kërkon t’i fshijë me një projektligj që shkel të drejtat elementare të punëtorëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.