Mendim

Athina lobon për pranimin e Shkupit në BE, por “harron” Tiranën

Greqia duket se ka ndërmarrë një fushatë të mirëfilltë për t’i bindur vendet anëtarë të Bashkimit Europian të hapin negociatat me Maqedoninë e Veriut, por në asnjë nga deklaratat e zyrtarëve të Athinës nuk përmendet hapja e negociatave me Shqipërinë.

Së fundmi ishte kryeministri Alexis Tsipras ai që kërkoi hapjen e dyerve të BE-së për Shkupin, duke deklaruar se shtyrja e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut do të ishte një armë për nacionalistët dhe një kthim prapa për vendi fqinj.

“Refuzimi i hapjes së negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut, pas gjithçkaje që arritëm me marrëveshjen historike të Prespës do të ishte e mirë vetëm për nacionalistët dhe kthimin prapa që shkon kundër politikës së paqes, prosperitetit dhe miqësisë”, tha Tsipras.

Si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia e veriut po presin me ankth vendimin e qershorit, por mbështetja për Shkupin nga ana e Athinës pas arritjes së marrëveshjes së Prespës ka qenë e jashtëzakonshme.

Kryeministrat Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras

“Euractiv” shkruante duke cituar burime të sigurta nga Athina se qeveria e greke po lobon tek të gjithë partnerët e saj në BE për të hapur negociatat e BE për Maqedoninë e Veriut në qershor.

Ministri i Jashtëm grek Gorgos Katrougalos tha të hënën se Shkupi tashmë kishte arritur së bashku me Marrëveshjen e Prespës, “reforma të rëndësishme për të luftuar krimin e organizuar dhe reformën e shërbimit civil. Tani është radha e Bashkimi Europian”, deklaroi ai.

I pyetur se cilat janë perspektivat për hapjen e negociatave me Tiranën dhe Shkupin në qershor, ai u përgjigj: “Ka disa shqetësime legjitime, duke marrë parasysh debatet e brendshme në BE. Ne kemi një përplasje idesh rreth asaj se çfarë lloj Europe ne duam:”.

Për shumë ekspertë, vendimi mbi Maqedoninë e Veriut do të jetë i lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me vendimin për hapjen e negociatave edhe me Shqipërinë.

Sipas një studimi të realizuar së fundmi nga “Europe Network “, Maqedonia e Veriut është përpara të gjithë kandidatëve për anëtarësim në BE, përfshirë këtu edhe Shqipërinë dhe Malin e Zi. “Kur bëhet fjalë për gatishmërinë për përshtatjen e legjislacionit të BE-së dhe arritjen e kritereve ekonomike për anëtarësimin, Shkupi kryeson mbi të gjitha vendet e Ballkanit”, thotë studimi.

Zoran Zaev, Edi Rama dhe Federica Mogherini

Por ndërkohë që Athina zyrtare lobon për hapjen e negociatave me Shkupin, qëndrimi ndaj Tiranës zyrtare përgjatë javë të fundit nuk ka qenë edhe aq pozitiv. Me një deklaratë të fortë Presidenti grek, Prokopis Pavlopulos, “kërcënoi” Shqipërinë me anëtarësimin në BE dhe akuzoi çamët për mbështetjen e nazistëve, çështje për të cilën sipas tij, shqiptarët duhet ta pranojnë të vërtetën historike.

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Malin e Zi, e cila përkonte edhe me një vizitë e Ministrit në Detyrë, Gent Cakaj në Podgoricë, Prokopios Pavlopoulos i ka dërguar një tjetër mesazh Shqipërisë në lidhje me integrimin europian. Sipas presidentit te vendit fqinj, Greqia nuk është kundër integrimit të Shqipërisë në BE, por sipas tij mosrespektimi i minoritetit grek dhe pretendimet për çamët, përbëjnë dy pengesa të pakapërcyeshme për Tiranën zyrtar.

Megjithëse politika e jashtme zyrtare e Athinës ka qenë pro zgjerimit, Greqia ka rezultuar të jetë një pengesë e madhe për vendet fqinje, ku pas Maqedonisë së Veriut, duket se tanimë ‘radhën’ e ka Shqipëria.

Edhe pse shumë ekspertë menduan se Marrëveshja e Prespës do t’i jepte fund presionit të Greqisë ndaj anëtarësimit të vendeve fqinje, Presidenti grek paralajmëroi jo vetëm Shqipërinë, por edhe Turqinë, duke thënë se nëse Ankaraja dhe Tirana duan një perspektivë europiane duhet të respektojnë kuadrot ligjore europiane dhe ligjet ndërkombëtare.

 

Më Shumë