Ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, po planifikon të tërhiqet në javët e ardhshme pas më shumë se dy vjetësh në këtë post. Ai gjithsesi do të vazhdojë të jetë i dërguar i posaçëm amerikan për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Njoftimi i dhënë fillimisht nga agjencia gjermane e lajmeve dpa, u konfirmua në Twitter nga ambasadori Grenell. “E vërtetë”, shkroi shkurt ai rreth shkrimeve të sotme për largimin e tij nga posti ne Berlin.
True. https://t.co/5kS0YNMAT9
— Richard Grenell (@RichardGrenell) May 24, 2020
Robin Quinville, zëvendës shefe e misionit në ambasadë, pritet të zëvendësojë përkohësisht zotin Grenell, tha agjencia dpa.
Njoftimi vjen vetëm pak ditë pasi Senati amerikan konfirmoi në postin e drejtorit të përhershëm të Inteligjencës Kombëtare ligjvënësin John Ratcliffe, i cili po ashtu si zoti Grenell është një aleat i fortë politik i Presidentit Donald Trump.
Në muajin shkurt, Presidenti Trump e emëroi 53-vjeçarin Grenell si drejtor të përkohshëm të Inteligjencës Kombëtare.
Agjencia e lajmeve Reuters tha se një zëdhënës i ambasadës nuk pranoi të komentojë rreth njoftimit. Ai tha se “është praktikë e ambasadës të mos komentojë mbi udhëtimet apo planet, por Ambasadori Grenell ka vazhduar të të jetë i angazhuar në mënyrë aktive në përparësitë e administratës në Gjermani ndërsa shërben si drejtor në detyrë i Inteligjencës Kombëtare".
Zoti Grenell është gjithashtu i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. /voa
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.