Ne rrjet

Grabitja në Rinas, qeveria harton Kod të ri Ajror për sigurinë. Vetting punonjësve të aeroportit

Bledar Hoti- Qeveria pritet të miratojë një Kod të ri Ajror, duke parashikuar shfuqizimin e ligjit aktual dhe miratimin e disa rregullave më strikte për kontrollin, sigurinë. Në draftin e ri të hedhur për konsultim të siguruar nga Gazeta Si parashikohet një rritje të vlerës së gjobave, sanksione për pezullim dhe deri në revokimin e licencës, apo heqje të dëshmive.
Ky projektligj sipas Qeverisë ka për qëllim rregullimin ligjor të përdorimit të hapësirës ajrore shqiptare dhe të marrëdhënieve juridike në fushën e aviacionin civil.
Qëllimi i veçantë i këtij projektligji është rregullimi i veprimtarisë së avionëve civile të regjistruar në Republikën e Shqipërisë, të avionëve për të cilët vendi ynë merr përgjegjësi sipas dispozitave të këtij Kodi në përputhje me nenin 83 bis të Konventës së Çikagos, si dhe të avionëve të regjistruar në një shtet tjetër, por që operojnë me licencën e lëshuar nga autoriteti kompetent licencues i Republikës së Shqipërisë.

Siguria dhe raportimi i ngjarjeve
Në draftin prej 165 nenesh, 18 më shumë se ai aktuali, kapituj të veçantë zë raportimi i incidenteve dhe ngjarjeve të ndodhura si gjatë fluturimit të avionit apo dhe përpara nisjes. Incidentet, apo aksidentet e ndodhura do të hetohen nga një strukturë e veçantë në varësi të ministrisë së Energjetikës, që do të quhet Autoriteti Kombëtar i Investigimit të
aksidenteve të Sigurisë së operimit në Aviacionin civil, por që në këtë proces përfshihet edhe Autoriteti Aviacionit Civil.

Faksimile e projektligjit “Kodi Ajror”


Autoriteti i Investigimit, sipas nenit 103, pika 3, është nga pikëpamja funksionale dhe organizative i pavarur nga autoritetet e aviacionit, të cilët mbikëqyrin vlefshmërinë ajrore, licencimin, operimin e një avioni, mirëmbajtjen, licencimin e personelit, kontrollin e trafikut ajror dhe operimin e aerodromeve, si edhe nga të gjithë personat fizikë dhe juridikë, interesat
ose misioni i të cilëve mund të jenë në konflikt me detyrën e ngarkuar tek Autoriteti i Investigimit, ose mund të influencojnë në objektivitetin e këtij autoriteti.
Për ngjarjet e ndodhura (incidentet apo ngjarjet e rënda), ky Autoriteti ka të drejtë që të marrë në hetim personat e përfshirë, si dhe të hartojë edhe një raport që duhet të t’ia paraqesë Këshillit të Ministrave, ministrisë së linjës. Në kuptimin e këtij Kodi, “ngjarje” do të thotë çdo gjë që lidhet me sigurinë e operimit, e cila rrezikon ose e cila, nëse nuk korrigjohet ose trajtohet, mund të rrezikojë një avion, pasagjerët e tij ose ndonjë person tjetër, dhe përfshin në veçanti një aksident ose incident të rëndë.
Qëllimi i vetëm i raportimit të ngjarjeve është parandalimi i aksidenteve dhe i incidenteve dhe jo përcaktimi i fajit apo përgjegjësisë. “Raportimi i detyrueshëm do të realizohet për ngjarjet të cilat mund të paraqesin një rrezik të konsiderueshëm për sigurinë e aviacionit që lidhen me: ngjarje që lidhen me operimin e avionit; ngjarje që lidhen me kushtet teknike, mirëmbajtjen dhe riparimin e avionit; ngjarje që lidhen me shërbimet e navigimit ajror dhe facilitetet; ngjarje që lidhen me aerodromet dhe shërbimet e përpunimit në tokë.

Forca të Policisë Ushtarake, duke bërë roje jashtë pistës se aeroportit të Rinasit. Dy ditë pas grabitjes së 9 prillit, policia mori në kontroll perimetrin e brendshëm, ndërsa ushtria perimetrin e jashtëm/ Foto LSA

Kontrolli i të kaluarës dhe gjobat
Grabitja e 9 prillit të këtij viti ku u thye perimetri i sigurisë dhe persona të maskuar morën brenda territorit të aeroportit të Rinasit rreth 6 milionë euro që po transportoheshin jashtë Shqipërisë, ka ndikuar që në draftin e ri të siguruar nga Gazeta Si të parashikohet edhe një “vetting” për punonjësit në aeroporte. Sipas nenit 124, personeli i aviacionit, që do të ketë akses në zonat me siguri të kufizuar ose që punon në pozicione të lidhura me sigurinë, i nënshtrohet kontrollit të së kaluarës për një periudhë jo më të shkurtër se pesë vjet. Kontrolli përsëritet në intervale të rregullta, të cilat nuk duhet të tejkalojnë periudhën prej pesë vjetësh.
“Kontrolli i së kaluarës kryhet me kërkesë të AAC-së nga ministria që mbulon çështjet e rendit publik, në përputhje me rregulloren e miratuar nga ministria përgjegjëse për rendin publik. Ofruesit e shërbimeve në aviacionin civil kanë të drejtë për t’i propozuar AAC-së inicimin e kontrollit të së kaluarës për personelin përkatës. AAC-ja miraton dhe publikon kriteret skualifikuese të lidhura me kontrollin e së kaluarës”, thuhet më tej në draftin e siguruar nga Gazeta Si. Në grabitjen e fundit në Rinas, rezultuan që edhe punonjësit e këtij aeroporti ishin bashkëpunëtorë.

Ekspertë të policisë shkencore duke kërkuar për prova, në vendin ku policia shkëmbeu zjarr me grabitësit e armatosur, të cilët vodhën disa miliona euro brenda pistës së aeroportit ndërkombëtar “Nëne Tereza”, në Rinas. Grabitësit e maskuar dhe të armatosur kanë çarë rrethimin dhe grabitën disa thasë me para ne momentin që ato po ngarkoheshin në avionin e linjës, Tirane-Vjene/ Foto LSA

Gjithashtu neni 10 “Programi Shtetëror i Sigurisë në Operim” State Safety Programe, sipas këtij relacioni përcakton përgjegjësitë e Autoritetit të Aviacionit Civil, institucioneve të tjera me ndikim në sigurinë në operim (safety) si ushtria, rendi publik, MIE, etj) dhe Ofruesve të Shërbimeve në transportin ajror mbi sigurinë e operimit (safety), dhe ka për qëllim formalizmin e Programit Shtetëror të Sigurisë në fluturim, një dokument shumë i rëndësishëm për të garantuar nivelin e pranueshëm të sigurisë në fluturim, i cili buron si detyrim dhe rekomandohet nga ICAO, Aneksi 19 i tij, si dhe EASA. Sanksionimi i detyrimit për krijimin dhe menaxhimin e SSP do të rrisë nivelin e përgjegjësisë dhe ndërgjegjësimin për marrjen e masave gjithëpërfshirëse për arritjen e objektivave. Ndërkohë parashikimi i këtij programi dhe i detyrimeve që burojnë prej tij, në një akt të nivelit të lartë, i hap rrugën Shqipërisë për përmbushjen dhe implementimin më tej të standardeve të ICAO.

Për mos zbatimit të këtij Kodi parashikohet vendosja e gjobave ku për individët ajo shkon deri në 200 mijë lekë të reja, ndërsa për subjektet varion nga 500 mijë deri 2 milionë lekë të reja. Këto sanksione mund të shoqërohen edhe me sanksione në pezullimin ose revokimin e licencës, certifikatës apo dëshmisë përkatëse.
Ministri, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare, miraton rregulloren për përcaktimin e rregullave të hollësishme për shërbimet e përpunimit në tokë, të parashikuara në nenet 73 deri 82 të këtij Kodi. Sipas nenit 76 të këtij drafti, çdo ofrues i shërbimeve të përpunimit në tokë duhet të provojë një gjendje të sigurt financiare. Çdo ofrues i shërbimeve të përpunimit në tokë dhe çdo përdorues i aeroportit me vetë përpunim duhet të përmbushë kërkesat në lidhje me: “sigurinë; sigurinë e instalimeve, të pajisjeve të avionëve dhe të personave; mbrojtjen e mjedisit; dhe duhet të vërtetojë një mbulim të mjaftueshëm figuracioni”. Në relacionin e qeverisë theksohet se Kodi i ri nuk ka efekte financiare dhe se brenda 24 muajve nga miratimit, pra brenda dy viteve qeveria duhet të miratojë aktet nënligjore.

Rastet e gjobitjeve dhe disa nga shkeljet

Transporti ajror kryhet pa pasur një licence të vlefshme operimi sipas ligjeve në fuqi

Transporti ajror tregtar kryhet pa një AOC të vlefshme (një certifikate të vlefshme të operatorit ajror)

Shërbimet ajrore të programuara kryhen pa pasur një licence të vlefshme dhe / ose pa pasur leje për të operuar shërbime ajrore

Një operator operon punë ajrore ose fluturime sportive, në kundërshtim me rregullat e përcaktuara

Një anëtar i ekuipazhit të fluturimit ose çdo personel tjetër i aviacionit nuk ka një licence, certifikate ose dëshmi të vlefshme, në përputhje me dispozitat e Kodit

Operatori ajror cenon parimin e lirisë së vendosjes së çmimeve, si dhe të drejtën e publikut për t’u njohur me elementët e çmimit të përcaktuar për shërbimet ajrore

Personeli i kualifikuar i aviacionit, ushtron detyrën nën influencën e alkoolit, narkotikëve apo simulantëve të tjerë, ose është në gjendje psikologjike të tillë që e bën të paaftë të performojë detyrat e tij

Një avion operohet pa pasur dokumentet e vlefshme, të licencave personi fizik që drejton avionin hyn brenda hapësirës ajrore shqiptare, pa lejen përkatëse apo ul/ngre avionin në një fushë fluturimi ose aeroport i cili nuk është i hapur për operime të trafikut ajror ndërkombëtar

Nuk riparohen apo zëvendësohen shenjat, ku ndërtesat nuk respektojnë lartësinë apo dhe shenjat e duhura.

Koordinatori i sloteve ose rregulluesi i orareve vepron në mënyrë diskriminuese dhe jotransparente, në kundërshtim me parashikimet e këtij Kodi ose aktet përkatëse nënligjore të dala në zbatim të tij

Nuk realizohet njoftimi dhe raportimi i aksidenteve dhe incidenteve sipas parashikimeve në nenet 105 dhe 107, të këtij Kodi;

Cenohet parimi i ruajtjes së konfidencialitetit të të dhënave personale dhe shpërndarjes së atyre të dhënave për të cilat merret dijeni për shkak të investigimit, përtej qëllimit të mbledhjes të të dhënave, siç përcaktohet në nenin 108

Operatori i një aerodromi, transportuesi ajror, ofrues i SHLA-së dhe çdo subjekt tjetër në formën e një organizate që ofron shërbimin e sigurisë në aviacion nuk vendos, zbaton dhe mirëmban një program të sigurisë, në përputhje me nenet 118 deri 123, të këtij Kodi

Lejohet hyrja e paautorizuar në zonat e kufizuara të sigurisë dhe/ ose në infrastrukturën kritike, e personave dhe/ose automjeteve, futen sende të ndaluara dhe të paautorizuara brenda perimetrit të aerodromit, në kundërshtim me nenin 125, 127 dhe 128 të këtij Kodi, si dhe futja e armëve të paautorizuar apo municione lufte.

Kryhet raportimi i pasaktë, fshehja apo njoftimi me vonesë sipas afateve të caktuara me ligj ose akt nënligjor i ndonjë incidenti të sigurisë, shkelje, ngjarje apo akti të ndërhyrjes së paligjshme ndaj sigurisë së aviacionit

Dështon në përmbushjen e ndonjë prej detyrimeve të përcaktuara në Kapitullin X të këtij Kodi dhe/ ose akteve nënligjore të dala për zbatim, lejohet vazhdimi i shkeljes dhe/ose nuk merren masa për korrigjimin e mangësive të gjetura gjatë kontrolleve të cilësisë së sigurisë në afatet e caktuara ose kur masat e zbatuara nuk janë efikase.

Operatori i një aeroporti operon pa pasur të miratuar një program lehtësirash të aeroportit, siç përcaktohet në nenin 130, të këtij Kodi;

Cenohen të drejtat e pasagjerit, në përputhje me nënkapitullin VI, të kapitullit XI, të këtij Kodi, ose aktet nënligjore përkatëse të dala në zbatim të tij

Një transportues ajror, që ofron shërbime nga Republika e Shqipërisë, nuk mban një sigurim të detyrueshëm, në përputhje me nenet 154 dhe 155, të këtij Kodi.
Moszbatimi i neneve 157, 158 dhe 159, për kompensimin e pasagjerëve në rast të vonesave ose mohimit të hipjes në bord të avionit.

Faksimile projektligjit

Kush ka të drejtë të raportojë për ngjarjet në Shqipëri:

Piloti në komandë, ose, në rastet kur piloti në komandë nuk është në gjendje për të raportuar ngjarjen, çdo anëtar tjetër në zinxhirin komandues të një avioni
Personi, i cili merret me biznesin e modelimit, të prodhimit, mirëmbajtjes ose modifikimit të një avioni, ose të çdo pajisjeje apo pjese të lidhur me to
Personi, i cili nënshkruan një certifikate të vlefshmërisë ajrore ose të lejimit për shërbim për një avion, ose çdo pajisje apo pjesë e lidhur me to
Personi, i cili ushtron një funksion, që i kërkon atij të jetë i autorizuar nga Republika e Shqipërisë, si kontrollor i trafikut ajror ose zyrtar i informacionit për shërbimet e fluturimeve

Personi i cili kryen një funksion të lidhur me menaxhimin e sigurisë së operimit
të një aeroporti të hapur për transport ajror tregtar;

Personi, i cili kryen një funksion të lidhur me instalimin, modifikimin, mirëmbajtjen, riparimin, rinovimin, kontrollin e fluturimit (flight-checking) ose inspektimin e pajisjeve të lundrimit ajror;

Personi, i cili kryen një funksion, të lidhur me përpunimin e avionit në tokë, përfshirë furnizimin me karburant, shërbimet, përgatitjen e listë-ngarkesës, ngarkimin, heqjen e akullit dhe tërheqjen e avionit në një aeroport të hapur për transport ajror tregtar.

Kjo zbatohet edhe për ngjarjet, që përfshijnë avionët shqiptarë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, si dhe për ngjarjet, që përfshijnë avionët e huaj, të cilët, në kohën e ngjarjes, operohen nga operatorë shqiptarë.
Ngjarjet e raportuara nga personat e caktuar verifikohen/ investigohen nga AAC-ja

Më Shumë