Drejtësia

‘Partizani’, Apeli i Posaçëm lë në fuqi sekuestron e 25 pasurive të Argita dhe Jamarbër Malltezit

Gazeta Si – Apeli i Posaçëm rrëzon ankimin e Argita Berishës, vajzës së ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezit për zhbllokimin e 25 pasurive nga sekuestro e vendosur nga SPAK për aferën e klubit sportiv “Partizani”.

Shkalla e Dytë e gjyqësorit nuk mori parasysh kërkesën e radhës së çiftit, duke miratuar vendimin e dhënë më herët nga Gjykata e Posaçme.

Për sekuestrimin e 25 pasurive të Malltezit, më herët është shprehur edhe Gjykata e Lartë, e cila ka lënë në fuqi të njëjtin vendim.

Pasuritë u sekuestruan në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme për dosjen “Partizani”, ku Malltezi dhe ish-kryeministri Sali Berisha janë marrë të pandehur.

pasuritë e sekuestruara kanë një vlerë rreth 5.4 milionë euro. Ndërkohë, sipas raportimeve, vetëm në emër të Jamarbër Malltezit rezultojnë të deklaruara rreth 35 pasuri në Shqipëri, me vlerë që arrin në dhjetëra miliona euro.

Hetimet e SPAK kanë evidentuar gjithashtu pasuri jashtë vendit, për të cilat prokuroria ka verifikuar pagesa bankare. Bëhet fjalë për apartamente në disa qytete evropiane, mes tyre Mynih, Bruksel, Roterdam dhe Budapest.

Sipas të dhënave të bëra publike, vetëm pagesat e dokumentuara për këto prona arrijnë në:

-rreth 450 mijë euro për një apartament në Mynih;

-rreth 395 mijë euro për një apartament në Bruksel;

-rreth 360 mijë euro për një apartament në Roterdam;

-rreth 155 mijë euro për një apartament në Budapest;

Këto vlera janë bazuar në transfertat bankare të evidentuara nga SPAK gjatë hetimit, ndërsa vijimi i hetimeve pritet të përcaktojë nëse ka pasuri të tjera të padeklaruara.

Dosja “Partizani” lidhet me hetimet për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, ndërsa çështja vijon të jetë në proces gjyqësor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë