Gazeta Si – Agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë zhvilluar këtë të martë, 28 korrik 2026, kontrolle në ambientet e brendshme të Bashkisë së Tiranës.
Deri në këtë moment nuk është bërë e ditur çështja konkrete për të cilën po kryhen veprimet hetimore, ndërsa nuk ka ende një reagim zyrtar nga SPAK.
Megjithatë, burime paraprake, bëjnë me dije se janë sekuestruar dokumentacionet që lidhen me udhëtimet e kryebashkiakut Erion Veliaj jashtë vendit, si dhe dietat.
Më herët, sot në IEVP e Durrësit, tre avokatë, dy prej të cilëve anglezë, Ben Brandon dhe Celia Marr, takuan klientin e tyre Erion Veliaj.
Edhe pse prej kohësh ishte kërkuar kontakti me Veliajn, ai u bë i mundur vetëm sot, me miratimin e SPAK, i cili autorizoi vizitën në IEVP Durrës.
Qëllimi i tyre ishte të bënin një rezyme të procesit të Erion Veliajt dhe, sipas avokatit Ben Brandon, takimi ishte i pari me klientin e tyre.
U bë e ditur se ata do t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut për masën e sigurisë që i është caktuar Erion Veliajt, “arrest në burg”, duke kërkuar një masë më të butë që t’i mundësojë të vazhdojë edhe detyrën si kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Për këtë çështje është angazhuar edhe një studio tjetër ligjore amerikane, avokatët e së cilës ende nuk kanë marrë miratimin e SPAK për të takuar Erion Veliajn.
Ndërsa avokati Plarent Ndreca konfirmoi edhe një herë vendimin për ta çuar çështjen në Gjykatën e Strasburgut.
Ai tha se presin miratimin që edhe avokatët amerikanë të kontaktojnë Veliajn. Sipas Ndrecës, mbrojtja do të atakojë edhe çështjen e akuzuesit anonim, si dhe do të kundërshtojë emërimin, që e konsideron antikushtetues, të prokurorit të çështjes, Olsi Dado.
Kryebashkiaku, Erion Veliaj ndodhet në burg që prej 10 shkurtit të vitit 2025. Prokuroria e Posaçme ka ngritur një sërë akuzash ndaj tij, duke përfshirë korrupsion pasiv në disa raste, pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në burg.
Sipas SPAK, shumica e akuzave lidhen me marrje të përfitimeve të paligjshme në 9 raste, ku kompanitë e përfshira kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia Tiranë, në këmbim të favoreve monetare dhe pasurive të paluajtshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje