Lajme

Grabitja në Rinas, makina u modifikua në Elbasan. Ndalohen 4 persona

F.Beqiraj, A.Bengasi, R.Sula dhe Saimir Çela janë katër personat e ndaluar sot nga policia, si të dyshuar për përfshirjen e tyre në grabitjen e Rinasit në 9 prill. Gjatë orëve të mesditës dhe pasdites një seri kontrollesh janë kryer në Tiranë, Elbasan dhe Fushë-Krujë; kontrolle që janë zhvilluar pas dyshimeve të arsyeshme se këta persona kanë lidhje me ngjarjen e rëndë, ku nga barku i avionit “Austrian Airlines” u vodhën rreth 10 milionë euro nën kërcënimin e armëve. Për momentin nuk jepen detaje për rolin e gjithsecilit prej këtyre të ndaluarve në grupin e strukturuar kriminal, ndërsa burimet saktësojnë se hetimet intensive po zhvillohen në të tre qytetet e mësipërme.

Në vazhdën e hetimeve për grabitjen e parave në Aeroportin e Rinasit, prokurorët dhe grupi i hetimit ka dyshime të forta se automjeti që u përdor për të kryer grabitjen është modifikuar në një pikë servisi në qytetin e Elbasanit, në një lagje të njohur.
Për këtë arsye grupi i hetimit ka vendosur nën hetim dhe marrë në pyetje një shtetas nga qyteti i Elbasanit për të dhënë identitetin e porositësve, të cilët i kishin kërkuar të modifikonte mjetin tip Voksvagen dhe të shkruante mbi shkrimin “hetimi tatimor”.
Ky person është pyetur nga grupi i hetimit, por nuk ka ende të dhëna konkrete.
Një tjetër person nën hetim është edhe kushëriri i një të shumëkërkuari në disa krime të ndodhura në vendin tonë.
Hetuesit kanë gjetur edhe dhjetëra gjurmë në automjetin që grabitësit nuk e dogjën dot, por edhe kanë sekuestruar pamjet e dhjetëra kamerave të sigurisë të cilat janë zbardhur në laboratorin e kriminalistikës.
Mes të hetuarve nuk përjashtohet edhe një femër, që mesa duket ka luajtur një rol ndihmës.
Prokurorët e Krimeve të Rënda pasi kanë sekuestruar dhjetëra dokumente pranë TIA-s dhe ICTS-së, pritet që në javën në vazhdim të nisin marrjen në pyetje të shumë prej këtyre punonjësve.
Deri më tani dy janë personat e identifikuar nga ana e Policisë së Shtetit, të dyshuar si pjesëmarrës në grabitjen e 9 prillit brenda pistës së Rinasit të 10 milionë eurove. Njëri prej personave të identifikuar mësohet se është ish-komando i forcave speciale të ushtrisë shqiptare. Personi tjetër është shtetasi Klement Çala, 31 vjeç. Çala nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare. Ai, pas vdekjes së Admir Muratajt është i vetmi person që është ende në kërkim si autor i grabitjes së ndodhur në Qafën e Kasharit në shkurt të 2017-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë