Rend dhe Ligj

Vjedhja Rinas – Si ra policia në gjurmë e grupit

Arsen Lopin, hajduti legjendar i letërsisë vjen nga Franca. Por siç duket shqiptarët shpresojnë që përveç personazheve letrarë, policia franceze t’iu japë ekspertizë edhe se si arrestohen ata. Një burim i gazetës “Si”, tregoi se pas grabitjes spektakolare të datës 9 prill, një grup ekspertësh të policisë franceze gjenden në Tiranë. Ata janë me mision për të trajnuar policët më të mirë, se si ata të maskohen dhe se si të infiltrohen.

Por përveç kësaj, mësohet se zyrtarë të policisë kanë përfituar nga prezenca e francezëve në kryeqytet dhe iu kanë kërkuar këshilla dhe asistencë se si mund të shkohet në gjurmët e grabitësve në Rinas. Sugjerimi që kanë marrë, shtoi i njëjti burim i besueshëm për gazetën “Si”, është që “hetuesit të shkundin dosjet dhe të gjejnë ngjashmëritë mes ngjarjeve kriminale, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë vendit, përfshi dhe Kosovën”.

Diçka e tillë i ka shtyrë hetuesit të zgjojnë dosjet e fjetura në vite, të bujshme ose jo, por që të gjitha kanë një tipar, mënyrën ushtarake të grabitjes, kohën e llogaritur mirë dhe veprimet strategjike të grabitësve sikur ata të ishin duke zbatuar “një plan masash”.

E gjitha kjo, shton dyshimet për prokurorët, për një grup grabitësish që me shumë mundësi, kanë kryer grabitje edhe më herët. Madje hetuesit mendojnë se përveç bashkëpunëtorëve të brendshëm që mund te kenë pasur, njëri nga grabitësit që shfaqet në video për nga mënyra si vepron dhe si e mban armën, ngjan të ketë qenë ose ish-ushtarak ose ish-polic.

Profilet

Grupi i Admir Muratajt

Pyetja e parë që po zgjidhin hetuesit është, a ishte i shpërbërë në të vërtetë grupi i grabitësit të vrarë, atëherë kur u dënuan tetë persona për tre grabitje të dhunshme dhe kur veçuan gjykimin per kreun e grupit Murataj?

Përgjigjja e tyre është që jo. Pyetja e dytë që ekspertët shtrojnë është: a vazhdon ende aktivitetin në fushën e grabitjeve të dhunshme njëri nga anëtarët e arratisjes së Trikallasë, që la burgun në vitin 2013 bashkë me 7 shqiptarë të tjerë. I arratisur njëkohësisht me Admir Muratajn dhe Ilir Kupën, Klement Çala vazhdon të jetë në arrati dhe njeriu hije për policinë, pasi nuk ka asnjë të dhënë për të.

I dënuar me 25 vite burgim nga krimet e rënda, Çala shikohet si një ndër bashkëpuntorët e Muratajt edhe në ngjarje të tjera të dhunshme. Edhe grupi i Babagjyshëve me gjashtë anëtarë dhe që kishte si shef Ilir Kupën, u dënua për një seri grabitjesh.

Në këtë grup, ku bën pjesë Agustin Sula, Ilir Kupa, Enea Qerushi, Hajdar Stefa, Edmond Selala dhe Mark Shpendi. Ky grup u krijua nga Kupa, pas arratisë së tij nga Trikalla dhe mendohet e dyshohet se ka kryer një seri grabitjesh te maskuara, ngjarje për të cilat të gjithë ata morën dënimin në total me 153 vite burgim.

Anëtarët e këtij grupi janë të kartelizuar si kriminelë të dhunshëm, të dënuar me herët e të kërkuar edhe për grabitje të dhunshme, sikurse Agustin Sula i shpallur fajtor për një grabitje të dhunshme në Durrës, por edhe një ish i dënuar në Greqi. Grupi ka shënuar një viktimë gjatë grabijeve të armatosura siç është Artur Tafani, i cili u vra gjatë shkëmbimit të armëve teksa anëtarët të maskuar vodhën një sasi floriri në Dibrën e Madhe. Me shumë mundësi, thonë hetuesit si pjesë e këtij grupi që ka në qeli tetë anëtarë, ka të tjerë që i kanë shpëtuar burgut dhe hetimit, ndaj dhe kjo është arsyeja që ekspertët po rishohin edhe njëherë se ku kanë çaluar në këtë cështje.

Ngjashmëria me grupin e Babagjyshëve lidhet jo vetëm me dhunën, por edhe me mënyrën si maskohen anëtarët, të njëjtë si veshja e Santa Klaus në një qëndër tregtare.

Vëllai i Admir Muratajt, Aleksandër Murataj mbahet në burg së bashku me Dash Kupën, Admir Nikajn, Ernest Kupën, Neim Avdylaj, Ditjon Memlikaj, Admir Cerpjan, Fatjon Xhyliun, Dritan Sinanin, për 3 grabitje në të cilat u hetua edhe Admir Murataj. I dënuar më 24 vite burgim në fund të marsit, atij iu sekuestruan gjithashtu pasuri të konsiderueshme si makina dhe toka.

Por sekuestrimi i këtye aseteve dhe shumave prej 300 mijë euro, ndodh pak ditë përpara se të kryhej sulmi në Areoportin e Rinasit e për këtë nuk përjashtohet edhe pista tjetër, ajo e mbledhjes së anëtarëve të grupit që i kanë shpëtuar policisë për të kryer një goditje sikurse ajo e nëntë prillit.

Ish-ushtarakët

Por grupi i Admir Muratajt ka një prirje ndryshe nga çdo grup tjetër. Është ripërtëritja dhe aftësia për të rekrutuar anëtarë të rinj. Një ekspert i policisë, që hetoi gjatë grupin Murataj për grabitjen në afërsi të stacionit të trenit dhe më tej në aksin e Rinasit, tregon se si grupi afroi pranë vetes edhe ish-ushtarakë. Oficeri i policisë kujton se gjatë marrjes në pyetje të të dyshuarve, Admir Çerpja, përpara se të thyhej, i kishte kërkuar mbrojtje për veten dhe familjen, "sepse ata janë të dhunshëm dhe ndihem i rrezikuar", kishte thënë djali nga Zall Dardha e Dibrës. Çerpja kishte qenë i papunë dhe përmes kushëririt pati takuar një ish-polic privat, i cili i kishte afruar një punë, ai thjesht duhet të vidhte një makinë.

Ish-polici privat Fatjon Xhyliu, në fakt sapo ishte rekrutuar nga grupi dhe pikërisht nga Dash Kupa, një ish i burgosur në Greqi, ku edhe ishte takuar me Muratajn. Më herët në grup ishte rekrutuar edhe Ditjon Memlikaj, i cili gjithashtu Ishte i papunë dhe i duhej grupit për punë.

Grupi i Elbasanit

Por përpos, kësaj hetuesit hedhin dyshime edhe ndaj një grupi shumë të njohur në Elbasan, pasi siç rezulton nga hetimet e shumta, del se njëri nga automjetet e përdorura në grabitje është modifikuar në një pikë servisi në qytetin e Elbasanit. Bëhet fjalë për makinën që lexote hetimi tatimor, që përpara saj i ishte vendosur një pjesë metalike, në gjendje për të mos u dëmtuar. Dyshimet për këtë grup janë mjaft sekrete dhe me shumë gjasë, disa prej anëtarëve të këtij grupi mund të jenë rekrutuar nga Admir Murataj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë