Gazeta Si – Gjykata e Tiranës pranon kërkesën e Alda Klosit, Havier e Rozeta Dobit për gjykim të shkurtuar dhe në datë 19 mars Prokuroria e Tiranës pritet të japë konkluzionet përfundimtare.
Ish-shefja kabinetit të ish zv.kryeministrit Arben Ahmetaj akuzohet për deklarim të rremë, fshehje të pasurisë dhe deklarim të rremë para OPGJ.
Sanitarja Rozeta Dobi dhe djali i saj Havier Dobi akuzohen për veprën penale të vjedhjes me pasoja të rënda të kryer në bashkëpunim. Për ish-zyrtaren, hetimi pasuror është veçuar dhe po vijon hetimi.
Ish-zyrtarja Alda Klosi e cila ndodhet në qeli prej disa muajsh është marrë zyrtarisht e pandehur nga Prokuroria e Tiranës.
LEXO EDHE:
– Përgjimi / Biseda me kode në qeli mes nënë e bir për supervjedhjen: Do rri unë këtu! Djali: Ç’ke thënë për mua?
– ‘E urreja Alda Klosin…’ Dosja e pastrueses që vodhi qindra mijëra euro. Dëshmia e djalit të saj dhe alibia e zyrtares për xhaxhain e sëmurë
Klosit i është komunikuar akuza e “Refuzimit për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”. Ajo dyshohet për fshehje të parave dhe një apartament.
Ish-zyrtarja u prangos, pasi sanitarja Rozeta Dobi, deklaroi se shumën prej 500 mijë eurosh e kishte marrë nga banesa e Alda Klosit.
Prokuroria e Tiranës po ashtu i ka komunikuar akuzën edhe Rozeta dhe Havier Dobit, nënë e bir, “vjedhja me pasoja të rënda në bashkëpunim” dhe “vjedhja më shumë se një herë”.
Skandali u zbulua disa muaj më parë pasi në pranga ranë nënë e bir, Rozeta dhe Havier Dobi. Ata u kallëzuan për vjedhje nga Alda Klosi.
Më pas gjatë një përgjimi ambiental në policinë e Tiranës u zbuluan se në tubin e aspirimit në banesën e Rozeta Dobit ndodheshin rreth 500 mijë euro.
Gjatë përballjeve mes tyre, Rozeta Dobi pretendon se të gjitha paratë i ka marrë në banesën e ish-zyrtares ndërsa Klosi ka pranuar pronësinë e 120 mijë eurove dhe 30 mijë dollarëve për të cilat ka dorëzuar edhe dokumentat përkatëse për justifikimin e tyre.
Në banesën e sanitares u gjetën edhe disa sende me vlerë disa prej tyre ishin të Alda Klosit ndërsa për disa të tjera ende nuk dihet se kujt i përkasin.
Prokuroria e Tiranës bën me dije se po vazhdon verifikimi dhe hetimi mbi pasuritë e kësaj shtetaseje dhe familjarëve të saj, si dhe do të sekuestrohen pasuritë e pajustifikuara me burime të ligjshme të subjekteve të përfshira në këtë hetim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.