Dosje

‘E urreja Alda Klosin…’ Dosja e pastrueses që vodhi qindra mijëra euro. Dëshmia e djalit të saj dhe alibia e zyrtares për xhaxhain e sëmurë

Gazeta Si - Përveç se ka shijuar paratë e vjedhura në banesën e Alda Klosit, Rozeta Dobi ka arritur të realizojë edhe një hakmarrje ndaj ish-shefes së kabinetit të Arben Ahmetajt, duke realizuar supervjedhjen.

Para hetuesve, gruaja që punonte si mirëmbajtëse në banesa të ndryshme, ka deklaruar se kishte probleme me pronaren përgjatë 5 viteve punë dhe e urrente.

Ky është një nga detajet që spikasin në dosjen e prokurorisë, duke hedhur dhe dyshimin si një nga motivet e grabitjes dhe që me këtë rast, gjykata vendosi ta lërë në burg me gjithë djalin.

Ndërsa Havier Dobi, ka deklaruar para grupit hetimor se për vjedhjen e parave është informuar pas disa ditësh nga nëna e tij.

Nga ana tjetër, 42-vjeçarja Alda Klosi, e cila më parë ka punuar si shefe e kabinetit të ish zv. Kryeministrit Arben Ahmetaj, ka thënë se 120 mijë euro që i kanë vjedhur, i kishte familja e xhaxhait të saj në Amerikë, pasi ai vuante nga një sëmundje e rëndë.

Po ashtu hetimet mund të marrin kthesë tjetër pas deklaratës së pastrueses se të gjitha paratë e gjetura në banesën e saj, janë grabitur nga banesa e Aldës.

Në rast se këto para rezultojnë të padeklaruara, atëherë do të ngrihet akuzë ndaj ish-shefes së kabinetit të Arben Ahmetajt.

Dëshmia e Rozeta Dobit

“Në datë 15.12.2022 i kërkova djalit tim shtetasit Havier Dobi të më dërgonte me makinë tek banesa e Aldes. Gjatë kontrollit ka vënë re se në dhomën e gjumit në dollap ajo mbante një kasafortë e cila ishte në ngjyrë gri. Pasi e ka hapur atë brenda saj ka konstatuar se ndodheshin shuma monetare të prerjeve 500,200,euro dhe 100 dollar, në moment që i ka parë këto shuma parash nga urrejtja që kishte krijuar ndaj shtetases Alda Klosi i ka marrë paratë dhe është larguar më pas me mjetin e djalit të saj. Deklaron se shuma e parave të gjetura në banesën time është nga shuma e lekëve që ka marrë në banesën e shtetases Alda Klosi”, - thuhet në dosje.

Rozeta Dobi

Dëshmia e Havier Dobit

Nga ana tjetër djali i Rozetës, Havier Dobi i arrestuar si bashkëautor, ka thënë se paratë i ka çuar në shtëpi e ëma e tij dhe se nuk ka lidhje direkte me grabitjen.

“I është marrë deklarim të dyshuarit Havier Dobi i cili ka deklaruar se, në datën 15.12.2022 rreth orës 09:00 ai ka shkuar me makinën e tij Mercedes- benz ngjyrë gri me targa AA390VT së bashku me mamanë e tij tek Rruga e ”Kosovarëve” pasi mamaja e tij punonte si sanitare tek një banesë në kompleksin Orion. Pasi kanë vajtur në Rrugën e ”Kosovarëve” ka parkuar makinën dhe ka qëndruar rreth 20 minuta brenda në makinë. Më pas ka zbritur nga makina dhe ka vajtur tek hyrja e pallatit për të parë vendin që i kishte thënë mamaja e tij dhe më pas është kthyer përsëri në makinë. Nga aty pak minuta më pas ka dalë mamaja nga makina dhe ka shkuar te banesa ku ajo pastronte. Ka qëndruar rreth 10-të minuta dhe pasi ka dalë me vete ka patur një çantë shkolle adidas ku ka hipur në makinë dhe kanë zbritur në lagjen ku ata banojnë”.

Havier dhe Rozeta Dobi në gjykatë

I riu thotë se vetëm pas disa ditësh mamaja e tij e ka sqaruar se partë i kishte marrë në shtëpinë që punonte si pastruese te rruga e ‘Kosovarëve”.

“Në momentin që kanë arritur te lagja ka vënë re se mamaja e tij ka nxjerrë nga çanta një kasafortë dhe e ka hedhur te koshat e plehrave. Disa ditë më vonë mamaja i ka treguar një shumë parash me prerje 500, 200 eurosh, me prerje 100 dollarësh dhe 50-tëshe lekë, ku i ka sqaruar se këto lekë ajo i kishte marrë te banesa te Rruga e ”Kosovarëve” tek banesa ku ajo jetonte si sanitare. Deklaron se me një pjesë të këtyre parave kishte blerë dy makina tip Mercedes benz. Njëra ngjyra e bardhë me targa AA907LZ ndërsa tjetra ngjyrë e zezë me targa AC055HD”,- shkruhet për Havier Dobin në dosje.

Alda Klosi, ish-shefja e kabinetit të zv.kryeministrit Arben Ahmetaj

Dëshmia e Alda Klosit dhe alibia për xhaxhain e sëmurë

Ndërsa Prokuroria po kryen verifikimin e të ardhurave të Alda Klosit, kjo e fundit ka dëshmuar se paratë i përkasin xhaxhit të saj të sëmurë me kancer dhe se të afërmve të saj u janë dashur vite për t’i mbledhur.

Në dëshminë e Klosit para hetuesve, thuhet se në shtëpinë  e saj janë grabitur 120 mijë euro dhe disa bizhuteri, por Rozeta Dobi deklaron se të gjitha paratë janë grabitur në banesën ku punonte si pastruese.

Ajo që mbetet ende enigmatike është vlera 400 mijë eurove, të gjetura një ditë pas arrestimit të nënë e bir në tubin e aspirimit në banesën e tyre.

Nënë e bir, Rozeta dhe Havier Dobi do të qëndrojnë në burg, me akuzën e grabitjeve të shumave të mëdha të parave në disa banesa, mes të cilave edhe ish-shefes së kabinetit të ish-zv kryeministrit Arben Ahmetaj.

Nisur nga kjo situatë, prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim kryesisht për akuzën e “Fshehjes së të ardhurave” dhe “Mos deklarim të pasurisë” pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive në Tiranë.

Zyrtarja e Ministrisë së Rindërtimit dhe Programit të Reformave njëherësh këshilltare pranë Këshillit të Ministrave, hyn në kategorinë e punonjësve të administratës, që ka detyrim të deklarojë pasurinë e saj pranë ILDKPI.

Pastruesja personale e Alda Klosit, arriti të vjedhë një shumë të konsiderueshme nga banesa e saj që besohet se është 524.800 euro, 8500 dollarë dhe 368.000 lekë të rinj si dhe aksesorë flori.

Bizhuteritë dhe sendet me vlerë të sekuestruara nga policia

Lista/ Nga bizhuteritë e markave super të shtrenjta, tek paratë

Nga kontrolli i bërë nga policia në shtëpinë e Rozeta Dobit, janë gjetur sasi shumë të mëdha parash, por edhe sendesh me vlerë.

1.Shuma prej 58 150 (pesëdhjetë e tetëmijë e njëqind e pesedhjetë) euro nga të cilat 69 (gjashtëdhjetë e nëntë) copë prereje 500 euro, 1(një) copë prerje 100 euro, 11 (njëmbëdhjetë) copë prerje 50 euro dhe 115 (njëqind e pesëmbëshjetë) copë prerje 200 euro;

2.Shuma prej 7000 (shtatëmijë) dollarë me prerje 100 (njëqindëshe);

3.Shuma prej 368 000 (treqind e gjashtëdhjetë e tetëmijë) lekë, 73 (shtatëdhjetë e tre) copë janë me preje 5000 (pesëmijë) lekë, 1 prerje në shumën 1000 (nëjmijë) lekë.

4.Kuti ngjyrë tulle brenda se cilës ka një byzylyk me ngjyrë rozë, byzylyk silver me ngjyrë grit ë zi, byzylyk silver me ngjyrë si diamand, byzylyk me llastik ngjyrë të zi, byzylyk ngjyrë floriri me mbishkrimin D G, zinxhirë ngjyrë floriri, varëse silver me ngjyrë rozë dhe zinxhirë me ngjyrë floriri,varëse silver me ngjyrë të kuqerremtë, varëse me gurë dekorativ, varëse pa mbishkrim, varëse me gurë, byzylyk me gurë dekorativ, byzylyk me zinxhirë silver, 6 (gjashtë) karfica me ngjyra dhe përmasa të ndryshme, 4(katër) vëthë të ndryshëm;

5.Kuti e kuqe kartoni me një varëse brenda ngjyrë floriri me një dekoracion në formën e një zemre;

6.Kuti kartoni me mbishkrimin Penelope ngjyrë kafe me të zezë e cila ka brenda një varëse me ngjyrë argjendi, varëse ngjyrë argjendi me një top të varur në fundin e saj, varëse ngjyrë bronzi me dekoracion me ngjyra në fundin e saj, varëse me ngjyrë gold me një kurorë të varur në fundin e saj, zinxhir ngjyrë gold pa mbishkrime dhe pa numër;

7.Varëse ngjyrë floriri pa mbishkrime;

8.Letër e bardhë me një varëse me zinxhirë si ajo e floririt me një zbukurim në formë luleje në fundin e saj;

9.Kuti kartoni me mbishkrimin Kalimero brenda ka 38 vëthë me ngjyra dhe përmasa të ndyshme;

10. Kuti ngjyrë blu me mbishkrimin ZWAROSKI brenda të cilës ka dy byzylykë ngjyrë si ajo e floririt, një varëse ngjyrë silver, 7 vëthë të llojeve dhe përmasave të ndryshme, një kapëse si ajo e flokëve;

11.Kuti ngjyrë blu me mbishkrimin ZWAROSKI brenda të cilës ka një varëse ngjyrë silver me gurë në fund, një byzylyk në formë gjethesh, dy unaza silver dhe një ngjyrë gold, 11 vëthë me forma dhe përmasa të ndryshme.

12.Një kuti me mbishkrimin GELOSIA ku brenda ka katër vëthë, një byzylyk të këputur në dy pjesë me dekorim në formë zemre, një varëse me ngjyrë silver, tre varëse ngjyrë gold të përmasave të ndryshme ku njëra ka medalion të shkruar “sister are connect heart to heart”, një varëse ngjyrë silver(zinxhir);

13.Orë dore ngjyrë gold e markës Maserati;

14.Orë dore ngjyrë gold me mbishkrimin Armitron;

15.Një çantë sporti me ngjyrë të zezë me mbishkrimin Adidas;

16.Një xhup me ngjyrë si gri dhe pjesa e bustit me ngjyrë të zezë, ku në anën e majtë ka të stampuar mbishkrimin SWID

17.Një xhup femrash ngjyrë në dukje si pana me mbishkrimin në pjesën e Canada;

18.Një çantë femrash ngjyrë blu dhe të bardhë me mbishkrimin Valentino;

19.Një portofol femrash me ngjyrë bezhë me mbishkrimin Valentino;

Mbi bazën e dyshimeve se në banesë fshiheshin edhe sende të tjera, është kontrolluar me imtësi banesa e të dyshuarve dhe në tubin e aspirimit janë gjetur të fshehura një shumë prej 404, 800 euro, 8 500 Usd dhe një sasi e konsiderueshme bishuterish, të cilat dyshohen se iu përkasin edhe personave të tjerë ku Rozeta Dobi ka punuar si pastruese.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë