Futboll

Goli në transfertë dhe ndërrimi i pestë, ndryshime në rregullore

Disa nga trajnerët më të njohur europianë, të cilët janë takuar në Nion për forumin vjetor të organizuar nga UEFA, kanë diskutuar për disa ndryshime në rregulloren e futbollit. Dy janë ndryshimet kryesore që ata kërkojnë: ndërrimi i 5-të dhe anulimi i rregullit të golit në transfertë.

Vitet e ardhshme, ndeshjet me eliminim direkt pritet të kenë një logjikë ndryshe, pasi rregullorja pritet të modifikohet. UEFA po vlerëson propozimet e trajnerëve të njohur dhe mund t’i pranojë së shpejti ndryshimet e kërkuara. Ndërrimi i katërt në kohën shtesë është aplikuar në Botërorin e Rusisë dhe është parashikuar edhe për Championsin 2018-2019. Trajnerët kërkojnë me ngulm edhe anulimin e golit në fushë kundërshtare, që në rast barazimi pas të dyja ndeshjeve ka vlerë të dyfishtë dhe të jep kualifikimin. Propozimet kanë ardhur nga emra të tillë si Masimiliano Alegri, Karlo Ançeloti, Rafa Benitez, Serxhio Konseisao, Paulo Fonseka, Rudi Garsia, Senjol Gynesh, Julen Lopetegui, Jose Mourinjo, Diego Simeone, Thomas Tushel dhe Arsen Venger.

Nga forumi i trajnerëve në Nion

Gjatë forumit ka pasur një akord substancial për rregullin e golit në fushë kundërshtare. Për shembull: nëse në gjysmëfinale të Championsit të dyja skuadrat i fitojnë ndeshjet 2-1, kualifikimi vendoset në shtesë. Në rast se të dyja skuadrat shënojnë nga një gol në shtesë, me rregullin aktual nuk shkohet te penalltitë, sepse goli në transfertë vlen më shumë se ai i skuadrës që luan në shtëpi. Sipas trajnerëve, ky rregull është i gabuar dhe nëse do të ishte në dorën e tyre, do të ndryshohej menjëherë. Disa trajnerë shkojnë edhe më tej, duke kërkuar anulimin total të vlerës së golit në transfertë. Në këtë rast shembulli është ky: një skuadër fiton 2-1 në shtëpi dhe humb 1-0 në transfertë. Skuadra e dytë kualifikohet me vlerën e golit në fushë kundërshtare. Në këtë pikë trajnerët janë të ndarë, disa duan ndryshimin e rregullit, disa të tjerë mbeten tradicionalë dhe duan të mbetet në fuqi rregulli aktual.

Kohët e fundit ka pasur një ndryshim në numrin e ndërrimeve, ku është futur ndërrimi i katërt, por në kohën shtesë. “Ka një propozim se ndërrimi i 5-të mund të jetë i dobishëm në futboll, - tha Xhorxhio Marketi, zëvendëssekretari i përgjithshëm i UEFA-s. – Por është një ide dhe jo një vendim, sepse mund të ndikojë në thellimin e hendekut mes skuadrave që kanë një organikë më të pasur se të tjerat”.

Në Nion është diskutuar edhe për merkaton, për të pasur një datë të njëjtë për mbylljen e saj në të gjitha kampionatet. Aktualisht, merkatoja verore e kampionateve të ndryshme mbyllet në data të ndryshme. Sipas trajnerëve, mbyllja e merkatos në të njëjtën datë do të ishte më korrekte për klubet që marrin pjesë në të njëjtin kompeticion europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë