Futboll

Goli ndaj Liverpulit e bën Mbape më të mirë se Mesin

Goli që shënoi në “Anfield Road” nuk i shkoi dëm sulmuesit francez të PSG-së, Kilian Mbape. Skuadra e tij humbi 3-2, por lojtari ka shkruar një faqe të re në karrierën e tij të jashtëzakonshme që në këtë moshë të re. Mbape po i merr skenën edhe Lionel Mesit me numrat e tij. Tripleta e kapitenit të Barcelonës kalon në plan të dytë, sepse goli i shënuar nga sulmuesi i PSG-së e bën atë lojtarin më të ri në historinë e Champions League, që regjistron numrin dyshifror të golave të shënuar, 11 gola, në moshën 19 vjeç e 272 ditë.

Nuk është rekordi i vetëm për djaloshin francez. Teksa bashkëmoshatarët e tij studiojnë për provimet e maturës ose për patentën, Kilian Mpape ka fituar një Botëror dhe është kandidat i fortë për të fituar “Topin e artë”. Sipas statistikave të “Mister Chip”, të publikuara nga “Marca”, Mbape është shumë përpara në raport me kolegët e tij që kanë shkruar historinë e futbollit. Lionel Mesit, për shembull, i është dashur të “presë” 21 vjet e 119 ditë për të kapur shifrën e 11 golave, kurse sulmuesit të Realit të Madridit, Karim Benzema, i janë dashur 20 vjet e 342 ditë. Mjaftojnë këto shifra për të hyrë në galerinë e lojtarëve më të mirë të Champions League.

Kilian Mbape feston golin e shënuar ndaj Liverpulit

Goli në Liverpul nuk vlejti për të marrë pikë, sepse skuadra e Jurgen Klop, që vetëm po fiton në këtë sezon, fitoi 3-2, duke shënuar në kohën shtesë. Megjithatë, Mbape ka mundësinë të luajë për të çuar në shtëpi një trofe që do ta bënte fitimtar në gjithçka. Mes shumë rekordesh të sulmuesit të ri, ka edhe një kuriozitet: ai ka luajtur në gjysmëfinale të Championsit ndaj Juventusit, por në atë kohë luante për Monakon. Me Mbape, Nejmar dhe Kavani, PSG-ja do të tentojnë për të disatën herë të fitojë Championsin. Pavarësisht hapit fals me Liverpulin, rruga është e gjatë dhe me Mbape gjithçka është e mundur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë