Futboll

Gola shqiptarë në Europë, shkëlqejnë Durmishaj dhe Uzuni

E diel me fat për dy nga sulmuesit shqiptarë që luajnë në Europë, Fiorin Durmishajn dhe Myrto Uzunin. I pari është autori i një dygolëshi në Greqi me Panioniosin, kurse i dyti ka shënuar një gol dhe ka dhënë një asist në fitoren 0-3 të Lokomotivës së Zagrebit në Kroaci.

Sulmuesi i ekipit Shpresa, Fiorin Durmishaj, ishte vendimtar në fitoren 0-2 të Panioniosit në Greqi, pasi realizoi të dy golat që i dhënë fitoren e parë në këtë kampionat skuadrës së tij. Panioniosi ka vuajtur shumë në javët e para dhe duhej të vinte ky dygolësh i Durmishajt për trepikëshin e parë. Sulmuesi kuqezi shënoi nga një gol në çdo pjesë në fushën e Smirnis, skuadrës që mban vendin e fundit në renditje.

Fiorin Durmishaj, autor i dy golave për Panioniosin

Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, ka folur me superlativa shpesh për sulmuesin Durmishaj dhe dygolëshi i sotëm i tij në Greqi është një mesazh i qartë edhe për trajnerin Panuçi në prag të ndeshjeve të radhës, miqësores me Jordaninë dhe ndeshjes me Izraelin për Ligën e Kombeve. Ishin golat e parë të sulmuesit 21-vjeçar shqiptar në këtë kampionat. Sezonet e fundit ai është huazuar në skuadra të tjera si Kalithea dhe Lamia, por tani është shumë i rëndësishëm për Panioniosin, pse jo dhe për Kombëtaren kuqezi me formën që po kalon.

Moment i shkëlqyer edhe për Myrto Uzunin, beratasin që pak javë më parë la Laçin për të kaluar te Lokomotiva e Zagrebit, që mban vendin e dytë në kampionatin kroat. Uzuni ka gjetur golin e parë në këtë kampionat, mjaft i bukur për nga mënyra e realizimit: një diagonale e saktë me të djathtën. Po ashtu, ai dha edhe pasimin për golin e tretë të skuadrës së tij në transfertën e Goricës. Beratasi, titullar i padiskutueshëm me Lokomotivën, luan si sulmues krahu dhe më parë është grumbulluar me Kombëtaren U-21, ndërsa tani 23-vjeçari pret një sinjal nga Panuçi. Në Shqipëri Uzuni ka luajtur me Tomorin, Apoloninë dhe Laçin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë