Futboll

Gol në “frymën e fundit”, Inter fiton derbin e Milanos

Minuta e 93’, 0-0 dhe të gjithë ishin të bindur se derbi i parë sezonal i “Madoninës” po shkonte drejt barazimit, por nuk ishte i këtij mendimi kapiteni zikaltër, Mauro Ikardi. Sulmuesi argjentinas ka gjetur rrugën e rrjetës në minutën e fundit, duke vendosur kështu këtë derbi dhe i jep fitoren Inter përballë Milan. Skuadra e Spaletit ishte më superiore për pjesën më të madhe të lojës dhe i shkoi disa herë pranë golit edhe pse duhet thënë që Milan gjithashtu pati rastet e tij.

Pak e avashtë në minutat e para, loja më bëhet më intensive vetëm pasi kalojnë 10 minutat e fillimit. Inter është ai që merr në dorë frenat e lojës dhe imponohet duke mbajtur topin dhe krijon rastet e para të rrezikshme. Në minutën e 13’ Ikardi do gjente golin e parë të kësaj sfidë, por që do të anulohej nga arbitri, pasi argjentinasi ishte në pozicion jashtë loje. Inter vijon të kontrollojë lojën edhe për minutat në vazhdim edhe pse do duhej të bënte pa mesfushorin e saj më të mirë, Raxha Naingolan, që doli i dëmtuar. Në minutën e 42’, është Milan që gjen rrugën e rrjetës, me anë të Musakio, por edhe ky u anulua, pasi ishte sërish në pozicion jashtë loje. Nga ana tjetër Inter kundërpërgjigjet me De Vrij që gjuan brenda zonës, por topi ndalet në traversë. Me kaq mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta do ishte disi më e ngadaltë dhe skuadrat tregohen më të kujdesshme.

Gjithsesi me kalimin e minutave Inter sërish do të merrte në dorë lojën, duke pasur më shumë raste. Milan nga ana tjetër u përpoq të reagonte me anë të kundërsulmeve, por ishte i pafuqishëm për të shtyrë përpara dhe kështu u mbyll mbrapa në mbrojtje për të mos pësuar. Për të shkuar te episodi final në minutën e fundit të ndeshjes, skuadrat kishin pasur disa raste për gol, por jo aq shumë të rrezikshme, sa për të vënë në sprovë dy portierët.

https://twitter.com/soccerapy/status/1054109805412003841

Por kur u mendua se ndeshja u mbyll në barazim, portieri kuqezi, Gigi Donaruma nxorri nga repertori i tij një gafë. Gardiani 20-vjeçar bën një dalje të gabuar në zonë, duke lënë zbuluar sulmuesin zikaltër, Icardi i cili me portën e boshatisur nuk e kishte shumë të vështirë ta çonte topin në rrjetë. Mbyllet kështu 1-0 për Inter, ky derbi i parë sezonal i Milanos, me zikaltërit që konfirmojnë formën e mirë dhe që do të jenë deri në fund rivalizues në kampionat. Nga ana tjetër Milan pas dy fitoreve rresht në kampionat, bie në derbi dhe nxjerr në pah mungesën e eksperiencës dhe se do i duhet akoma shumë punë për t’u arritur aty ku duhet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë