Futboll

Goditjet ‘last minute’, fytyrat e reja të Superiores

Nga Fatjon Rupi – Më 31 gusht duhej të mbyllej zyrtarisht merkatoja e Superiores, por çuditërisht FSHF-ja vendosi ta shtyjë edhe për një javë. Megjithatë, klubet e Superiores, duke iu referuar 31 gushtit si datë e fundit, kanë bërë goditjet e fundit të merkatos së verës. Thuajse çdo skuadër ka bërë një afrim “last minutë”, me përjashtim të Skënderbeut, që shpreson ende në rikthimin e mundshëm të brazilianit Eskuerdinja.

Partizani bëri dy lëvizje të papritura ditët e fundit, një në hyrje dhe një në dalje. Afroi shkodranin Erald Çinari, mesfushorin e krahut që u përfshi në një situatë të çuditshme gjatë verës, kur klubi spanjoll i Alaveshit pretendoi se e kishte blerë kartonin e lojtarit, ndërsa Vllaznia nuk e kishte lëshuar lejen e kalimit të tij. Madje u fol edhe për falsifikim firme të Kryebashkiakes të Shkodrës dhe presidentes së Vllaznisë, Voltana Ademit. Javën e kaluar situata u qartësua dhe Partizani e bëri menjëherë të vetin Çinarin, të cilin e kishte kërkuar edhe më parë. Kontrata e shkodranit me të kuqtë është 3-vjeçare. Nga Partizani u largua në mënyrë të befasishme Gerhard Progni, sulmuesi që kaloi te Teuta. Një lëvizje krejtësisht e papritur, pasi edhe vetë trajneri Skënder Gega deklaroi e kishte në planet e tij këtë lojtar.

Erald Çinari, shkodrani i afruar së fundi te Partizani

Namdi Oduamadi është lojtari i fundit i afruar nga Tirana, që mbetet “e dashuruar” me afrikanët. Ndoshta ardhja e këtij sulmuesi, me një të kaluar te Milani, do ta zgjidhë problemin e golit të skuadra bardheblu, që ndodhet në krizë, pasi pas tri javësh ka vetëm 1 pikë. Kartonin e sulmuesit 27-vjeçar e ka pasur Milani, por ai asnjëherë nuk ka luajtur me ekipin e madh italian. Është huazuar në skuadra të ndryshme, kryesisht në Serinë B, ndërsa sezonin e fundit ka qenë pjesë e Helsinkit në Finlandë. Oduamadi do të jetë pjesë e bardhebluve për dy sezone dhe shpresohet t’i japë forcën e duhur sulmit të Tiranës.

Namdi Oduamadi prezantohet te Tirana

Edhe Kukësi pretendent për titull ka bërë një përforcim për mesfushën në momentet e fundit. Algjeriano-francezi Shafik Tigroudja është afrimi i fundit i veriorëve. 26-vjeçari ka nënshkruar kontratën dyjeçare me kuksianët dhe është gati për trajnerin Armando Cungu. Mesfushori vjen pas përvojave me Niortin në Francë dhe Alkin në kampionatin e Qipros.

Shafik Togroudja, përforcimi i fundit i Kukësit

Flamurtari, mjaft aktiv në merkato, pasi “blindoi” mbrojtjen me Albi Allën dhe një futbollist rumun, kërkoi me ngulm Khaleb Ekubanin për sulmin, por ky i fundit zgjodhi Turqinë dhe klubi vlonjat riktheu në skuadër brazilianin Danilo Alvesh, që gjithashtu kishte kaluar në një skuadër turke të kategorive inferiore. Alvesh e njeh mjaft mirë kampionatin shqiptar dhe me kroatin Bushiç bëjnë një dyshe shumë të fortë në sulmin e Flamurtarit. Tani trajneri Ilir Daja mund të jetë i qetë, pasi ka kompletuar çdo repart.

Danilo Alvesh, i rikthyer te Flamurtari në fundin e merkatos

Mario Kirev është afrimi i fundit i Kamzës. Bëhet fjalë për një portier 29-vjeçar nga Bullgaria, që ka shëtitur në shumë kampionate. Përveç Bullgarisë, ai ka provuar edhe kampionatin italian, zviceran, rumun dhe atë qipriot, nga ku ka ardhur te Kamza. Edhe Kastrioti nuk ka qëndruar pasiv, por në fundin e merkatos ka marrë mesfushorin-sulmues Pablo Galego, që është aktivizuar në Greqi me Larisën. Po ashtu, në formë huazimi te krutanët ka ardhur Henri Okebugun. Luftëtari ka forcuar sulmin me afrikanin Ismail Dunga. Ai është aktivizuar edhe me kombëtaren e Kenias dhe është një lojtar, të cilin trajneri Millosh Kostiç e njeh nga koha kur kanë qenë bashkë në Greqi me skuadrën e Aharnaikos. Fytyra të reja edhe te Laçi, që ka humbur talentin Myrto Uzuni, i shitur në Kroaci. Me kurbinasit janë bashkuar në fund sulmuesi Xhevahir Sukaj dhe mesfushori i avancuar Elvi Berisha.

Mario Kirev, portieri i afruar së fundi te Kamza

Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë