Futboll

Goditje e rëndë për Nasri, UEFA i zgjat dënimin për doping deri në 2019-ën

UEFA i shton papritur dënimin futbollistit francez, Samir Nasri, i dënuar më parë me 6 muaj për doping. Dënimi për mesfushorin shkon tashmë në 18 muaj dhe llogaritet që në fillim të korrikut të vitit 2017, që do të thotë se deri në janar të vitit 2019, Nasri nuk mund të luajë. Emri i tij figuronte në listën e dëshirave të disa klubeve, pasi në këtë moment ishte lojtar pa kontratë, por situata ka ndryshuar.

Samir Nasri ka luajtur së fundi me turqit e Antaliasporit, nga ku shpresonte rilindjen, por situata është komplikuar pas dënimit të UEFA-s, që së fundi vendosi për zgjatjen e dënimit. 18 muaj pezullim, por të paktën ky pezullim llogaritet që më 1 korrik të 2017-s. Ish-lojtari i Arsenalit dhe Mançester Sitit duhej të qëndrojë larg fushave deri në janarin e ardhshëm dhe kjo është një goditje e rëndë për francezin, i cili vitet e fundit ka qenë në qendër të vëmendjes më shumë për problemet personale se për motive futbollistike.  Skualifikimi i tij ka ardhur për shkak të përdorimit të një substance të ndaluar nga “WADA” (Agjensia e kontrollit antidoping) në një klinikë të Los Anxhelesit në vitin 2016.  Bëhet fjalë për disa lloj vitaminash, që lojtari i ka marrë në Amerikë, në klinikën “Drop Doctors”, kur ishte lojtar i Seviljes.

Mesfushori francez, Samir Nasri

Karriera e Samir Nasri ka marrë një kthesë negative edhe për shkak të karakterit të tij. Ai ka pasur polemika edhe me trajnerin e Francës, Didier Deshamp, i cili e largoi nga kombëtarja në moshën 27-vjeçare pikërisht për shkak të sjelljes së tij. Në atë kohë Nasri ishte pjesë e Mançester Sitit dhe u la jashtë Francës për Botërorin e Brazilit në 2014-ën.

Samir Nasri, kur ishte pjesë e Seviljes

Që nga ai moment nisi edhe rrëshqitja e mesfushorit, i ndjekur edhe nga fati i keq. Në vitin 2015 ai pësoi një dëmtim të rëndë me Mançester Sitin. Huazimi te Sevilja u duk se do t’i rikthente shkëlqimin francezit,  që më pas nuk u ble nga klubi spanjoll. Verën e kaluar kaloi në Turqi, tek Antaliaspori, ku firmosi një kontratë dyvjeçare, por kjo aventurë zgjati pak, sepse në fund të janarit të këtij viti kontrata u ndërpre me konsensus. Më pas erdhi skualifikimi dhe tani që makthi po përfundonte dhe për trekuartistin po interesoheshin Marseja dhe Saint-Etieni, ka ardhur goditja e rëndë nga UEFA. Diçka e çuditshme në fakt, pasi zakonisht ndodh të ketë ulje të dënimit dhe jo zgjatje. Për të qenë sërish në fushë, 31-vjeçari duhet të presë 2019-ën, kur ndoshta do të jetë e vështirë të gjejë një klub, që mund t’i besojë.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë