Art dhe Kulture

Gladiatorëve u rikthehet sheshi në Kolose

Qeveria italiane ka miratuar një plan për të rikonstruktuar Koloseun antik të Romës, në pjesën e dyshemesë, për ta kthyer atë në lavdinë e dikurshme ku gladiatorët luftuan deri në vdekje.

Ministri i Kulturës Dario Franceschini njoftoi ditën e dielë për projektin dhe tha se  projekti do t'i lejojë vizitorët të shohin madhështinë e Koloseut direkt nga qendra e tij. Koloseu konsiderohej si amfiteatri më i madh gjatë Perandorisë Romake.

Firma italiane inxhinierike Milan Ingegneria fitoi kontratën 18.5 milionë euro, për t'u marrë me projektin dhe zbatimin e tij ku dyshemeja do të jetë prej druri.

Aktualisht, monumenti 2000-vjeçar nuk ka dysheme pasi u hoq nga arkeologët në Shekullin 19.

Projekti pritet të përfundojë në 2023 dhe është i kthyeshëm, që do të thotë se mund të hiqet nëse planet për Koloseun ndryshojnë në të ardhmen.

Kati i ri do të përbëhet nga pllaka druri të fiksuara në një rrjet shinash. Pllakat rrotullohen 90 gradë, duke i lejuar ato të grumbullohen lart për të zbuluar pjesën e poshtme të strukturës antike.

Koloseu, i cili u njoh në të gjithë botën akoma më shumë në filmin Gladiator të vitit 2000, u rihap për vizitorët të hënën e kaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë