Edhe akti final i këtij sezoni të futbollit shqiptar u vendos nga gjyqtarët, duke i vënë vulën një performance shumë poshtë pritshmërive të “bilbilave” gjatë gjithë këtij kampionati.
Skënderbeu dhe Laçi zbritën në Elbasan Arena me formacionet më të mira të mundshme. Në mes diskutohej trofeu i Kupës së Shqipërisë.
Korçarët dominuan takimin dhe ishin më kërkues në gjetjen e golit, por kurbinasit u mbrojtën vazhdimisht mirë dhe u përpoqën që të godasin me kundërsulm, përpjekje që gjithsesi mbetën të vakta.
Fati i takimit u vendos në minutën e 67-të. James u nis i vetëm drejt portierit laçian, por qendërmbrojtësi Gjoni e pengoi para se të godiste.
Gjyqtari ndali lojën mes dyshimit nëse ndërhyrja ishte brenda apo jashtë zonës. U konsultua me gjyqtarin anësor, por edhe pas këtij konsultimi, vendimi ishte i gabuar.
Pamjet filmike treguan se ndërhyrja ishte qartësisht jashtë vijës së zonës së rreptësisë. Vendimi shkaktoi polemika dhe protesta të kurbinasve. Megjithatë, gjyqtari ishte i bindur në vendimin e marrë.
Sabien Lilaj merr përsipër ekzekutimin dhe nuk gabon. Skënderbeu gjen golin e avantazhit. Goli nxjerr Laçin nga gjysma e fushës së vet dhe kërkon me çdo kusht barazimin, që në 3 raste iu mohua falë pritjeve të veteranit Orges Shehi.
Fërshëllima përfundimtare dërgoi edhe Kupën në Korçë, por për t’u theksuar mbeten edhe incidentet e shkaktuara në shkallët e stadiumit, ku një pjesë e tifozerisë laçiane dëmtuan ulëset e impiantit.
Pas Kupës, Skënderbeu pret që të mësojë fatin e vet në Europë, që varet nga vendimi i Arbitrazhit Sportiv, CAS, ku ka apeluar dënimin me 10 vite përjashtim të komisioneve të UEFA-s për trukime ndeshjesh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.