Lajme

Gjykata lë në burg pa afat “Escobarin” turk

Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat për Faruk Baybašin, 53-vjeçarin nga Turqia, i cili u kap në Shqipëri me qëllim ekstradimin në Francë.

Masa e parë e sigurisë prej 40 ditëve që ishte vendosur në dhjetor me qëllim ekstradimin drejt Francës përfundonte sot dhe me anë të avokatit të tij mbrojtës ka kërkuar lirimin. Por duke qenë se po hetohet edhe në Shqipëri, pasi hyri ilegalisht, prokuroria kërkoi zgjatjen e qëndrimit të tij në burg pa afat, që është pranuar nga gjykata.

Gjykata do i vërë në dispozicion të gjitha aktet e vendimit të dënimit në Francë, të cilat do përkthehen me afat dyjavor.

Seanca e radhës u caktua më 4 shkurt, ora 10:00.

Baybasin është dënuar në Francë me 30 vite burg, pasi akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike nga Turqia, përmes Spanjës në Francë. Ai akuzohet edhe për tentativë të trafikimit të lëndëve narkotike dhe mbajtje të lëndëve narkotike.

Faruk Baybesin, i dënuar për çështje të trafikut të heroinës kërkohet nga gjykata e Loire Atlantique, që e ka shpallur fajtor për pjesëtar të organizatës kriminale që trafikonte heroinë në Europë. Drejtësia franceze përmes dokumenteve që i ka përcjellë me urgjencë kërkon dorëzimin e Baybesin me argumentin se përgjatë viteve 1994 -1995, ai ishte aktiv në trafikun e drogës edhe në Francë si anëtar i një bande që vepronte jo vetëm në Turqi, por edhe në Francë.

Ai ka pranuar që është djali i një tjetër trafikanti të dënuar Mahmut Baybesin, i cili gjithashtu rezulton të jetë pjesë e familjes së narkotrafikut të etiketuar.

Madje, ky grup mori etiketimin “Eskobarët e Europës”, pasi kryesori i grupit Husein  Baybaşin mori emrin Eskobari i Europës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë