Drejtësia

Francesco Becchetti dënohet me 17 vite burg: Skemë mashtrimi me TVSH dhe pastrim parash  

Gazeta Si - Gjykata e Tiranës ka dënuar me 17 vite burg biznesmenin Francesco Becchettin, i cili akuzohet për pastrim parash, skemë mashtrimilidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar, falsifikim dokumentesh dhe vjedhje duke shpërdoruar detyrën.

Bashkëpunëtori i tij, Mauro De Renzi, i akuzuar për të njëjtat akuza, u dënua me 16 vjet burg, ndërsa dy të pandehur të tjerë janë dënuar me shërbim prove. Gjykata dënoi edhe nënën e Becchetti-t, Liljana Condomiti, me 8 vite heqje lirie për “Pastrimi i produkteve të veprës apo veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.

Si për Becchetti-n ashtu sikur edhe për bashkëpunëtorin e tij, prokuroria kishte kërkuar nga 20 vjet heqje lirie.

Biznesmeni ndodhet jashtë Shqipërisë prej disa vitesh, ndërsa ka fituar edhe një çështje gjyqësore ndaj vendit tonë për shkak të mbylljes së televizionit “Agon Channel”.

Pas vlerësimit të provave në dosjen e prokurorisë, gjykata vlerësoi se Bechetti duhej dënuar me 17 vite burg, kurse de Renzi me 16 vite.

Çështja e Shqipërisë kundër biznesmenit italian Francesco Becchetti e ka zanafillën në vitin 2015, me mbylljen e televizionit “Agon Channel” dhe hapjen e procedimit penal ndaj tij me akuzat e evazionit fiskal dhe pastrimit të parave.

Becchetti kundërshtoi akuzat dhe u shpreh se e gjithë çështja ndaj tij ishte e motivuar politikisht.

Më herët prokuroria kishte vendosur vendosur në sekuestro 4 kompanitë e Beçhettit, konkretisht për “Energji” sh.p.k. “Cable System” sh.p.k, “400 KV” sh.p.k dhe “AgonSet” sh.p.k

Prokuroria kërkon që aksionet, llogaritë bankare dhe pasuritë e luajtshme e të paluajtshme t’i kalojnë shtetit.

Vetë Becchetti i ka kundërshtuar më herët akuzat, duke e dërguar çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, ku ka fituar në 2 shkallë të gjykimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë