Politike

Gjykata e Lartë thjesht bëri rreng juridik / Vula e PD mbetet dyerve të gjykatave pa afat

Vendimi i Gjykatës së Lartë për të prishur vendimin e Apelit të datës 3 mars dhe detyrimin po nga kjo gjykatë (me një tjetër trupë gjykuese) që të marrë vendim për vulën dhe siglën e PD nuk zgjidhi asgjë në themel.   

Rithemelimi i Sali Berishës kishte kërkuar në rekursin e saj që të njihet vendimi i gjykatës së shkallë së parë dhe të mos legjitimohej si palë ankuese PD zyrtare e përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj sa kohë që nuk kishin qenë palë në gjykimin e shkallës së Parë kur u mor vendimi pro Rithemelimit dhe indirekt vetë drejtimit të partisë nga Berisha.

Ndryshe nga pretendimi i Rithemelimit, më herët Apeli njohu si palë ankuese ndaj vendimit të Zhukrit, Enkelejd Alibeajn i mandatuar (mars 2023) nga Basha si kryetar i përkohshëm PD-së.

"Së pari, lidhur me legjitimimin e ankuesit, nga faktet e përshkruara më sipër, Partia Demokratike Iegjitimohet në cilësinë e ankuesit, për të paraqitur këtë ankim dhe për t'u pranuar ky i fundit, në të dyja aspektet e legjitimimit, atë substancial dhe atë procedural”, thuhej në vendimin e Apelit

Por, në anën tjetër, Apeli njohu edhe Partinë Demokratike e përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit, në cilësinë e kërkuesit

Kundrejt kësaj panorame, Gjykata e Lartë vlerëson se Apeli ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë prej saj.

Alibeaj në Apel kishte kërkuar prishjen e vendimit “Zhukri” ose kthimin e çështjes për shqyrtim në gjykatë, por me tjetër trupë gjykuese.

Rithemelimi kërkonte depozitimin në gjykatë të ndryshimeve statutore dhe vendimeve të Kuvendit Kombëtar të thirrur nga Berisha

Gjykata e Lartë ka vlerësuar se Apeli nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të palëve në ankimet respektive, duke vlerësuar se pretendimet e ngritura ishin çështje të cilat mund të zgjidheshin vetë nga ajo gjykatë.

Bazuar në këtë argument juridik, Gjykata e Lartër rrëzoi vendimin e Apelit, duke e kthyer çështjen sërish tek ajo Gjykatë.

Me vendimin ‘pa vendim’ Gjykata e Lartë e fut vulën e PD në një qorrsokak juridik dhe betejë procedurash ligjore që sido që të vendosë Apeli (kushedi se kur) e sigurt është që çfarë do vendimi që do marrë, do të hapë një tjetër odise ankimimesh nga Basha apo Rithemelimi i Berishës.  

Me vendimin e sotëm, Gjykata e Lartë  i ‘ledhatoi’ sedrën Berishës duke lënë indirekt në fuqi vendimin e Zhukrit të shkalles se Parë që njihte Kuvendin e Berishës (ku u shkarkua Basha si kryetar).

Në anën tjetër vendimi i la interpretim juridik edhe Bashës se nuk ka ndryshuar asgjë, se ai mbetet kryetar në regjistrin e partive politike, sa kohe që edhe pas vendimit të gjytarit Zhukri nuk u bë i mundur ç'regjistrimi i Bashës dhe për pasojë as zyrtarizimi i emrit të Berishës me dokumente si kryetar partie në gjykatë. Ky fakt e legjitimon atë edhe nëpër gjykata si palë zyrtare e PD


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë