Politike

As Berisha e as Basha me vulë, Gjykata e Lartë ia kalon topin Apelit: Kreu shkelje, të marrë vendim përfundimtar (në fuqi vendimi i Zhukrit pro Berishës)

Pas më shumë se dy orë shqyrtimi në dhomën e këshillimit, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vendosi të prishë vendimin e Apelit e cila më herët kishte rrëzuar vendimin “Zhukri” që i hapte rrugë njohjes së Berishës si kryetar dhe kthyer çështjen për rishqyrtim nga fillimi.  

Që do të thotë se vendimi i Apelit ia linte përkohësisht vulën dhe siglën e partisë Lulzim Bashës deri sa çështja të shqyrtohej në themel.

Por gjykata e Lartë e ka rrëzuar, duke argumentuar në vendimin e saj, se Gjykata e Apelit me vendimin e datës 3 mars 2023 ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë prej saj.

Lulzim Bashës me këtë vendim i mbetet pezull vula dhe sigla e PD-së deri sa Apeli të japë vendim përfundimtar. Gjykata e Lartë nuk e ka marrë përsipër të japë vetë një vendim për këtë çështje duke detyruar Apelin që të marrë një vendim

Para se Apeli të merrte vendim, në fuqi ishte vendimi i gjyqtarit Agron Zhukri që njihte vendimet e Kuvendit Kombetar te thirrur nga Berisha ku u miratua edhe shkarkimi i Lulzim Bashës si kryetar. Megjithatë zgjedhja e mëvonshme (pas Kuvendit( e Sali Berishes si kryetar nuk u regjistrua zyrtarisht në Gjykatë ndërsa Basha figuronte ende me dokumente si kryetar në regjistrin e partive politike prane Gjykates se Shkallës se Pare.

“Kolegji konstaton se, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të palëve në ankimet respektive, ndërkohë që kryesisht ka marrë në shqyrtim çështje për të cilat palët nuk i kanë ngritur si pretendime në ankim, dhe që gjithsesi nuk përbëjnë shkak për prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim.

Kolegji vlerëson se pretendimet e ngritura në ankimet e paraqitura pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë çështje të cilat mund të zgjidheshin vetë nga ajo gjykatë.

Në këto kushte, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, vendosi: ‘Prishjen e vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykate, me një trupë tjetër gjykuese”

Pas vendimi reagoi PD-ja zyrtare e drejtuar nga Lulzim Bashës. Sipas këtij të fundit, vendimi tregon një hap para, duke e cilësuar lënien pezull të kësaj çështje si peng i procedurave juridike.

“Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë është një tjetër hap drejt vendosjes se drejtësisë së vonuar për cështjen e PD. Partia Demokratike mbetet e bindur që kjo çështje, peng i procedurave juridike do të gjejë zgjidhjen e duhur dhe ligjore pa vonesat e shkaktuara nga ata që minojne drejtësinë dhe të tjerët që i tremben forcimit të opozitës”.

Çfarë vendosi Apeli në mars 2023 që u rrëzua nga Gjykata e Lartë

Prishjen e vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë firmosur nga gjyqtari Agron Zhukri dhe dërgimin e çështjes për rigjykim pranë asaj gjykate me tjetër trup gjykues.

Kundër këtij vendimi lejohet rekurs i veçantë në Gjykatën e Lartë brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit të arsyetuar

Çfarë njeh vendimi i gjyqtarit Agron Zhukri që mbetet në fuqi pas Gjykatës së Lartë  

10 vendime të Kuvendit Kombëtar të PD, thirrur nga Berisha

Miratimi i Statutit të ri të Partisë

Shkarkim i Nënkryetarëve, të Sekretarit të Përgjithshëm dhe funksionarëve të tjerë të PD

Organet qendrore të partisë, përveç Kuvendit Kombëtar, ndalohet të ushtrojnë kompetencat deri më 22 mars 2022

Pavlefshmëri konstituimit të Kryesisë së PD, rrjedhimisht konsiderim nul të Kryesisë

Pavlefshmëri të vendimit të Kryesisë së partisë për të thirrur Kuvendin më 18 dhjetor

Anulimin e thirrjes publike dhe të njoftimit të degëve të PDSH për mbajtjen e Kuvendit të 18 dhjetorit (thirrur nga Basha)

Ngritja e Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë me përbërje me 29 anëtarë

Komisioni i Rithemelimit të PD, përgjegjës për organizimin dhe fillimin e proceseve referendare e zgjedhore në PD

Thirrjen e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike më 22 mars 2022

Votimin për shkarkimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha! Thirrjen e referendumit ratifikues të shkarkimit të Bashës mës 18 dhjetor 2021


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë