Lojëra me Dore

Gjokoviç dhe Alkaraz, në pengesat e fundit para super sfidës mes tyre

Gazeta Si - Khaçanov dhe Tsitsipas do të provojnë të t’i kundërvihen një fati që duket i përcaktuar tashmë. Rusi ka fituar 1 ndeshje në 9 ndaj ‘Noles’, kurse greku ka humbur gjithmonë ndaj spanjollit.

Gjokoviç-Khaçanov dhe Alkaraz-Tsitsipas, dy favoritë kundër dy ‘underdog’. Nuk ndodh çdo ditë që Karen dhe Stefanos, – 10 çerekfinale në total në nivel Slam para këtij Roland Garrosi, - të hyjnë në fushë me kaq pak shanse për fitore. Karlos Alkaraz dhe Novak Gjokoviç janë projektuar drejt një gjysmëfinaleje hyjnore, sikur të kishin lënë takim.

Kush ka tentuar t’i pengojë, ka dalë jashtë. Dy favoritët nuk e kanë hequr vështrimin nga dueli në horizont. Nëse nuk mjafton rendimenti i serbit dhe spanjollit në këtë turne për të justifikuar shanset e pakta të Tsitsipas dhe Khaçanov, janë edhe precedentët që përforcojnë idenë: në total 12-1 për çiftin Gjokovixc-Alkaraz.

‘Nole’ ka një bilanc 8-1 kundër rusit, kurse Karlitos nuk ka humbur asnjëherë me grekun: 4 fitore në 4 ndeshje. Alkaraz e mundte Tsitsipas edhe kur ishte numri 55 në botë dhe greku numri 3, kështu që është favorit. Për momenti duket se nuk ka tenist që ta ndalojë spanjollin, i papërmbajtshëm në Roland Garros.

Për të evituar humbjen e parë në çerekfinale në një turne Major, Stefanos ka nevojë për ndeshjen perfekte, ndoshta edhe për pak më shumë. E njëjta gjë vlen edhe për Khaçanov, me një prani të heshtur por konstante në Slam. Rusi kërkon gjysmëfinalen e 3-të radhazi, pas atyre të Us Open dhe Australia Open.

Pasi e ka mundur Gjokoviçin në finalen e Paris-Bercy 2018, ka marrë vetëm 2 sete në 7 ndeshje kundër serbit. Me këto statistika, gjysmëfinalja duket e shkruar. ‘Shahisti’ Karen dhe ‘filozofi’ Stefanos, me ndonjë lëvizje surprizë ose ndonjë ide gjeniale, do të provojnë ta ndryshojnë fatin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë