Politike

Gjoba, PD: Hakmarrje politike!

Partia Demokratike e interpreton gjobën e vendosur nga ana e Policisë së Shtetit ndaj Lulzim Bashës për shkelje të masave anti-Covid si shembulli më i mirë se Edi Ramës i duhen masat e jashtëzakonshme dhe gjendja e fatkeqësisë natyrore për të shkelur liritë e qytetarëve dhe goditjen e opozitës dhe jo për të luftuar infeksionin.

“Ato kufizojnë të drejtat kushtetuese në mënyrë joproporcionale. Kreu i Opozitës dhe PD zhvilloi takime në qytetin e Durrësit me përfaqësues biznesesh, që po vuajnë pasojat e rënda të masave të pajustifikuara të Edi Ramës. Kryeministri po i mbyt bizneset, ndërkohe Opozita u qëndron pranë, merr mendimin e tyre dhe propozon masa për lehtësimin e vështirësive”, deklaroi ish-deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi.

Bylykbashi thotë se shifrat e përhapjes së pandemisë në vendin tonë nuk e justifikojnë kufizimin e lirive themelore dhe gjobën ndaj Lulzim Bashës e cilëson si hakmarrje të pastër politike dhe përpjekje për të penguar aktivitetet e opozitës.

“Në veprim haptazi kundër opozitës politike ka gjobitur edhe kreun e PD dhe drejtuesit e degës së PD në Durrës për aktivitetin politik. Kjo është hakmarrje e pastër politike dhe pengim i aktiviteteve kushtetuese të Opozitës. Por nuk mund të mos jenë ‎edhe qesharakë. Policia i heq lejet e drejtimit të automjeteve përfaqësuesve të Opozitës që kishin shkuar në këmbë në aktivitet. Kjo hakmarrje është qesharake, por edhe e kundërligjshme”, vijon Bylykbashi.

Ish-deputeti demokrat kërkon revokimin e këtyre vendimeve, në të kundërt paralajmëron se autorët do të përballem me akuzën e shpërdorimit të detyrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë