Rend dhe Ligj

Policia gjobit Lulzim Bashën

Policia e Durrësit është tërhequr nga ideja e procedimit penal të Lulzim Bashës për shkelje të masave të ndërmarra kundër përhapjes së koronavirusit të ri gjatë një takimi me biznesmenët në qytetin bregdetar.

Në vend të kësaj, uniformat blu njoftojnë se kanë marrë masën administrative të gjobitjes me 1 mln lek të pronarit të ambientit të mbyllur ku zhvilloi aktivitetin Lulzim Basha dhe gjobë me 10 mijë lek për Lulzim Bashën dhe personat e tjerë të pranishëm në takim.

Gjoba është vendosur në bazë të aktit normativ të miratuar nga Qeveria për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19 dhe jo në bazë të Kodit Penal, që pas ndryshimeve të ndërmarra pak javë më parë e parashikon këtë vepër të ndëshkueshme me 2 deri në 3 vite burg.

“Bazuar në Aktin Normativ është marrë masë administrative 1 milion lekë për pronarin e lokalit, shtetasin A. H. Njëkohësisht janë ndëshkuar me masë administrative gjobë dhe me tërheqje të lejes së drejtimit shtetasit pjesëmarrës në këtë aktivitet: L. B, F. Xh., A. M., R. G., A. B., V. N., E. H., A.B., D. B., J. M. dhe A. H”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit.

Uniformat blu të qytetit bregdetar janë vënë në lëvizje pas takimit që kreu i Partisë Demokratike pati në Durrës me pronarë hotelesh, agjencish turistike dhe tregtarë.

Nga pamjet e shpërndara nga vetë Partia Demokratike takimi është zhvilluar në ambiente të mbyllura dhe pa u respektuar kushti i distancimit fizik për parandalimin e përhapjes së Covid-19.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë