Shkencë

Gjithçka që dihej deri tani për origjinën e intolerancës ndaj laktozës është e gabuar

Vetëm një e treta e të rriturve sot mund ta tresë laktozën. Për shumë vite, studiuesit supozuan se njerëzit e përvetësuan këtë aftësi kur paraardhësit tanë parahistorikë filluan të pinin qumësht. Një studim i ri tregon një histori tjetër.

Studimi i botuar javën e kaluar në revistën Nature nga studiuesit e Universitetit të Bristolit dhe Kolegjit Universitar të Londrës zbuloi se aftësia e njerëzve për të tretur ose mos tretur laktozën u bë e zakonshme pothuajse 5000 vjet më vonë se shenjat e para të konsumit të qumështit nga njeriu, të cilat datojnë rreth 6000 vite para Krishtit.

Ata zbuluan gjithashtu, duke përdorur metoda të reja modelimi kompjuterik, se konsumi i qumështit nuk ishte arsyeja për rritjen e intolerancës ndaj laktozës.

“Qumështi nuk ndihmoi aspak”, tha autori i studimit, Mark Thomas, studiues i Kolegjit Universitar në Londër.

"Jam i emocionuar për këtë që kemi zbuluar. Me sa jam në dijeni, askush nuk e ka bërë këtë më parë", tha Thomas.

Çfarë është intoleranca ndaj laktozës?

Të gjitha foshnjat normalisht mund të tresin laktozën. Por për shumicën prej tyre, kjo aftësi fillon të zbehet pasi heqin qumështin e gjirit.

Sot rreth dy të tretat e njerëzve nuk mund të tresin laktozën, sheqerin kryesor në qumësht.

Njerëzit të cilët nuk mund të prodhojnë një enzimë të quajtur laktazë, e cila zbërthen laktozën janë intolerantë ndaj laktozës.

Rezultatet e këtij studimi janë në kundërshtim me besimin e përhapur se konsumimi i qumështit nga paraardhësit tanë parahistorikë çoi në evoluimin e një variacioni gjenetik që i lejon ata të tresin laktozën edhe pas moshës madhore.

Pse evoluoi qëndrueshmëria e laktazës?

Studimet gjenetike tregojnë se qëndrueshmëria e laktazës është "tipari i vetëm gjenik më i fortë që ka evoluar në 10,000 vitet e fundit", tha Thomas.

Rreth vitit 1000 pes, numri i njerëzve me aftësinë për të tretur laktozën, e cila është e koduar në një gjen, filloi të rritet me shpejtësi.

Pasi zbuluan se konsumi i qumështit nuk qëndron pas këtij problemi, studiuesit testuan dy hipoteza alternative.

Një hipotezë ishte se kur njerëzit u ekspozuan ndaj më shumë patogjenëve, simptomat e intolerancës ndaj laktozës të kombinuara me agjentët e rinj infektues mund të kenë ndikuar.

Hipoteza tjetër kishte të bënte me zinë e bukës. Kur kulturat e mbjella nga popullatat parahistorike intolerante ndaj laktozës dështuan, qumështi dhe produktet e qumështit u bënë disa nga opsionet e tyre të vetme për ushqim.

Studimi u fokusua kryesisht në popullatat europiane dhe nevojiten më shumë kërkime për vende të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë