Ne rrjet

Gjermania u hap dyert punëtorëve nga Ballkani Perëndimor!

Qytetarët e Ballkanit Perëndimor do ta kenë tanimë shumë më të lehtë të punësohen në Gjermani, pasi qeveria e kancelares Angela Merkel duket se do të lehtësojë ndjeshëm rregullat për punonjësit e huaj dhe emigrantët e parregullt.

Pas bisedimeve maratonë mes partisë se qendrës së djathtë të kancelares Merkel, CDU-se, dhe aleatëve të saj bavarezë, qeveria gjermane ra dakord mbi një strategji të re për të luftuar mungesën dhe plakjen e punëtorëve në vend.

Sipas rregullave të reja, emigrantët pa leje qëndrimi, të cilët mund të jenë në pritje të vendimit pas aplikimeve për azil ose në pritje të dëbimit, mund të qëndrojnë në Gjermani, në qoftë se janë të punësuar dhe mund të vërtetojnë se janë integruar në strukturën e shoqërisë gjermane.

Marrëveshja përcakton gjithashtu edhe punësimin e punëtorëve jashtë BE-së për profesione si kuzhinierë, punëtorë metalurgjie ose teknik IT. Ata mund të shkojnë në Gjermani për gjashtë muaj për të gjetur punë, me kusht që të flasin gjermanisht. Sipas mediave perëndimore, fuqia punëtore nga blloku prej rreth 500 milionë banorësh nuk mjafton për të mbajtur ekonominë gjermane.

"Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për punëtorë nga vende të treta", tha ministri i Brendshëm Horst Seehofer në një konferencë për shtyp lidhur me strategjinë e re, e cila pritet të miratohet nga parlamenti javën e ardhshme.

Ministri gjerman i Punës dhe Çështjeve Sociale Hubertus Heil, Ministri Gjerman i Ekonomisë dhe Energjetikës Peter Altmaier dhe Ministri gjerman i Punëve të Brendshme, Horst Seehofer gjatë një konference për shtyp mbi një ligjin e punëtorëve të kualifikuar , 2 tetor 2018 

'Zgjidhje pragmatike'

Emigracioni është kthyer në “mollë sherri” për kancelaren Merkel, gjatë viteve të fundit për shkak të fluksit rekord të emigrantëve, shumica prej të cilave ikin nga lufta në Irak apo Siri. Duke hartuar një politike ekstreme kundër refugjatëve, AfD është bërë partia më e madhe opozitare e Gjermanisë, me më shumë se 90 vende në Bundestag.

Ministrat e qeverisë theksuan se rregullat e reja të emigracionit nuk janë hartuar për të lejuar aplikantët që u mohohet azili të qëndrojnë në Gjermani. Sipas tyre, rregullat e reja synojnë të sigurojnë një "zgjidhje pragmatike" për emigrantët që kanë qëndruar për një periudhë të zgjatur kohore në Gjermani, sepse nëse dëbohen, përballen me rrezikun e torturës në vendin e tyre të origjinës. Ministrat paralajmëruan gjithashtu se do të hartonin një listë kriteresh për emigrantët që do të punësoheshin.

“Është një zgjidhje pragmatike që pasqyron realitetin", tha ministri i punësimit, Hubertus Heil, duke shtuar se do të shmangte rastet në të cilat Gjermania kishte dëbuar njerëzit e gabuar që mund të integroheshin në kulturën gjermane.

Duke qenë se papunësia në vendet e Bashkimit Europian shënon një rekord të ulët, kompanitë në ekonominë më të madhe të Europës janë ankuar se vuajnë nga një mungesë kronike punëtorësh.

Angela Merkel dhe liderët e Ballkanit Perëndimor 

Ministri i Ekonomisë, Peter Altmaier tha se rregullat e reja do tu vinë në ndihmë sidomos kompanive të vogla dhe të mesme të Gjermanisë, të cilat  janë në konkurrencë me kompanitë e mëdha që kanë marrë punëtorët e trajnuar mirë.

Ky është një lajm veçanërisht i mirë për punonjësit nga Ballkani Perëndimor, të cilët janë përballur kohët e fundit me zgjatjen e afatit kohor për të aplikuar për një vizë punë. Qytetarëve nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia u është mundësuar të hyjnë në Gjermani për viza pune që nga nëntori i vitit 2015. Marrëveshja, e cila erdhi pas një sërë bisedimesh burokratike, caktonte si kusht të vetëm faktin që aplikantët duhet të kishin një ofertë pune nga një kompani gjermane.

Në nëntë muajt e parë të 2017-ës, ambasadat gjermane në Ballkan dhanë plot 19,294 viza, shumica në Bosnje-Hercegovinë  (4,702 viza) dhe Kosovë ( 4,758 viza)për t’u ndjekur më pas nga Maqedonia (3,675 viza) dhe Serbia (3,613 viza). Në të njëjtën periudhë, Ambasada Gjermane në kryeqytetin e Tiranës ka dhënë 2.796 leje pune. Por mijëra qytetarë nga Ballkani janë ende duke pritur që t’u shqyrtohen lejet e punës. Vonesa është e gjatë. Aplikantët nga Kosova përballen tanimë me më shumë se një vit pritje

 “Ka pasur një rritje të jashtëzakonshme të aplikimeve për viza pune nga Ballkani Perëndimor”, konfirmoi Ministria e Jashtme gjermane, duke shtuar se numri i tyre vazhdon të rritet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë