Një tubacion gjigant nafte që do të lidhë në mënyrë të drejtëpërdrejtë Rusinë dhe Gjermaninë, deri dje në “hije”, është vënë papritur në “shënjestër” të botës perëndimore. Presidenti amerikan, Donald Trump, sulmoi Gjermaninë gjatë samitit të NATO-s në Bruksel duke e akuzuar se ka vijuar projektin “Nord Stream 2” pavarësisht kritikave nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të Evropës Lindore. Ky tubacion është parë gjithnjë më skepticizëm nga pjesa tjetër e kontinentit, duke i dhënë kështu Presidentit Trump një “as nën mëngë” kundër Kancelarës gjermane, Angela Merkel.
"Gjermania po merr aq shumë energji nga Rusia sa ka rënë nën varësinë e saj. Për mua, Gjermania është totalisht e kontrolluar nga Rusia”, tha Trump, duke e konsideruar miratimin e qeverinë gjermane për vazhdimësinë e tubacionit, si një “tradhti” ndaj NATO-s. Duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara janë duke paguar pjesë në pjesën më të madhe të buxhetit për NATO-n, i cili është projektuar për të luftuar ish-Bashkimin Sovjetik dhe ende vepron si një kështjellë kundër agresionit rus, Trump tha se mbështetja e Gjermanisë për gazsjellësin “Nord Stream 2" është "e papranueshme".
Çfarë është Nord Stream 2?
“Nord Stream 2” është një tubacion që do të mundësojë transportin e gazit natyror nga Rusia Lindore në Gjermaninë Veriore, për t’u shpërndarë më pas edhe në Europën Perëndimore. Ai do të jetë më shumë se 1,200 kilometra i gjatë dhe do të kalojë kryesisht nën Detin Baltik, përgjatë tubacionit ekzistues të “Nord Stream 1”(prandaj mori emrin Nord Stream 2.) Tubacioni i dytë do të dyfishojë kapacitetin e sistemit me 110 miliard metra kub. Ky projekt ka hasur në kundërshtime të forta, pasi po ndërtohet nga gjigandi rus “Gazprom”. Në këtë projekt janë përfshirë gjithashtu edhe pesë kompani evropiane, duke përfshirë “Royal Dutch Shell” dhe “Ëintershall”, të cilat janë duke mbuluar gjysmën e kostos së financimit të projektit.
Përse ka kaq shumë kundërshtime
Kombet si Polonia dhe Ukraina kanë frikë se Rusia mund të diversifikojë rrugët e saj të gazit në Evropë për ta shfrytëzuar më pas për arsye politike. Në qershor të vitit 2014, mes kaosit mbi aneksimin e Krimesë, Rusia ndaloi furnizimet me gaz në Ukrainë për javë, në përpjekje për të shantazhuar Kievin. Presioni europian ndaj Rusisë ndihmoi në zgjidhjen eventuale të konfliktit, pasi shtetet e fuqishme anëtare në Europën Perëndimore u shqetësuan se ndërprerja e furnizimit mund të ketë efekte të forta në të gjithë kontinentin.
Por tanimë, Europa Lindore kundërshton ndërtimin e tubacionit, duke argumentuar se ai do të rrisë varësinë e Europës ndaj gazit rus dhe së paraqet një kërcënim për sigurinë e tyre kombëtare. Kundërshtimet më të mëdha vinë kryesisht nga shtetet baltike dhe ish vendet sovjetike, duke përfshirë jo vetëm Ukrainën dhe Poloninë, por edhe Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë. Ato argumentojnë se Evropa nuk duhet të mbushë më me “flori” arkën e Moskës, ndërkohë që Rusia po përpiqet vazhdimisht të destabilizojë Bashkimin Europian. “Nord Stream 2” ul varësinë e Evropës ndaj tubacionit që kalon përmes Ukrainës. Kjo e bën më të lehtë për Kremlinin që të ndëshkojë fqinjët e saj të Evropës Lindore duke ulur furnizimet me gaz, për t’i shantazhuar.
Përse Shtetet e Bashkuara janë kundër?
Presidenti Barak Obama ishte kundër “Nord Stream 2”, ndërkohë që Presidenti George W. Bush, kundërshtoi fuqimisht “Nord Stream 1”, para përfundimit të tij në vitin 2011. Ashtu si vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, edhe ata ishin të shqetësuar për rritjen e ndikimit rus mbi kontinentin. Kjo politikë duket se është përforcuar edhe më shumë nga administrata Trump. Zëvendëssekretari i Shtetit, John Sullivan, deklaroi gjatë një udhëtimi në Kiev në fillim të këtij viti se SHBA-ja ishte jkundër tubacionit “Nord Stream 2” sepse ai do të minonte qëllimet e perëndimit për diversifikimin e energjisë dhe pavarësinë nga gazi rus. Sipas tij, ky tubacion do të dëmtonte në radhë të parë Ukrainën.
Ndërkohë, në maj, Zëvendës Ndihmëssekretarja e Shtetit për Diplomacinë e Energjisë, Sandra Oudkirk u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara mund të sanksionojnë “Nord Stream 2”, duke përdorur një ligj të miratuar në vitin 2017, i cili kufizon projektet ruse të energjisë në të gjithë botën.
Përse Gjermania po i “hap derën” Rusisë?
Gjermania është konsumatori më i madh i gazit natyror në Evropë dhe kërkesa e saj pritet të rritet me rreth 1 për qind gjatë pesë viteve të ardhshme, në pritje të disa centraleve bërthamore në vitin 2022. Ashtu siç tha edhe Trump, Gjermania është shumë e varur nga Rusia për gazin natyror. Sipas “Eurostat, Moska përbënte rreth 75 përqind të importeve të gazit gjerman në vitin 2017.
Më parë këtë vit, Ukraina deklaroi see Gazprom mund të shfrytëzonte kapacitetet e lira në tubacionin e Ukrainës për të furnizuar Gjermaninë me 55 miliardë metra kub gaz. Në terma afatgjatë, Gjermania po përpiqet nga ana tjetër, të gjenerojë sa më shumë energji të rinovueshme. Pra është e paqartë çfarë roli do të luajë një sasi kaq e madhe gazi natyror në vitin 2050.
Kancelarja gjermane Angela Merkel nuk ka treguar ndonjë gatishmëri për të ndalur projektin, duke pranuar se tubacioni nuk kishte vetëm rëndësi ekonomike por edhe politike. Ndërkohë, paraardhësi i saj, Gerhard Schroeder tha se kishte miratuar tubacionin në det të hapur midis Rusisë dhe Gjermanisë për të ulur kostot e energjisë dhe për të krijuar një rrugë të besueshme furnizimi. Por vitet që do të vinin do të ngrinin një sërë dyshimesh, pasi asnjë nga argumentet zyrtare nuk shpjegonte plotësisht procesin e vendimmarrjes nga ana e Berlinit, i cili nënshkroi me ngut marrëveshjen për tubacionin. “Nord Stream 2” pasqyron gjithashtu një gatishmëri midis shumë gjermanëve për të bashkëpunuar me Rusinë. Planet u hartuan në një kohë kur Rusia dukej e etur për t'u angazhuar me Perëndimin dhe shumë gjermanë ende e shohin Rusinë me më shumë pozitivisht se sa vendet e tjera.
Shpresa e gjermanëve mund të bazohet gjithashtu në marrëdhëniet e tyre të gjata me Bashkimin Sovjetik gjatë gjithë Luftës së Ftohtë. Edhe pse tani, furnizimet me gaz kanë ngritur shqetësime rreth rreziqeve që mund të paraqesin ndaj sigurisë ndërkombëtare, gjatë Luftës së Ftohtë ato u konsideruan si një mënyrë për të parandaluar konfliktet, pasi bashkëpunimi energjjitik garantonte bashkëpunimin edhe gjatë krizave politike. Strategjia e Gjermanisë gjatë Luftës së Ftohtë mund të shpjegojë pse Berlini është kaq i nxituar të bëjë veten më të varur nga një komb që ka aneksuar territore të huaja dhe ka ndërprerë disa herë furnizime me energji në të kaluarën.Megjithatë, deri më tani, “Nord Stream 2” ka pasur vetëm një ndikim real: ngritjen e një barriere midis Gjermanisë dhe vendeve të tjera perëndimore. Në përgjigje të akuzave të Trump, Merkel, e cila u rrit në Gjermaninë Lindore, paralajmëroi presidentin se ajo është në pozicion më të mirë për të gjykuar varësinë e vendit të saj.
"Unë jam rrritur në një pjesë të Gjermanisë të kontrolluar nga Bashkimi Sovjetik dhe sot jam shumë e lumtur që jemi të bashkuar dhe në liri të plotë", tha Merkel.
Burimet: "The Atlantic", "Washington Post"
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.