Futboll

Gjermania prek fundin, turpërohet keq në Holandë

Rënia e lirë e Gjermanisë vazhdon edhe pas Botërorit të dështuar të Rusisë. Holanda, që nuk u kualifikua në këtë Botëror, e ka shpartalluar keqazi, 3-0. Dy ndeshje në Ligën e Kombeve, 0 gola të shënuar, 1 pikë nga barazimi me Francën në shtëpi dhe vendi i fundit në grup. Skuadra e trajnerit Joakim Lëv nuk po arrin të gjejë veten dhe duket një fantazmë e vetvetes në fushë. Pas humbjes shtypi gjerman ka kryqëzuar trajnerin dhe futbollistët. Ndoshta e keqja e “pancerave” nuk ishte Mesut Ozil, pasi futbolli gjerman duket se ka prekur fundin dhe ka nevojë për një revolucion total, së pari për të ndalur krizën dhe më pas për rikthimin në nivelin që i takon.

Në stadiumin “Johan Cruijff” të Amsterdamit, Gjermania zbriti në fushë me shumicën e titullarëve të Botërorit të Rusisë. Emre Çan është kthyer në formacionin e gjermanëve, të cilët luanin me sulmuesin e Shalkes, Uth, të mbështetur nga Verner dhe Myler. Këta të fundit kanë dhënë dy shkëndija në fillimin e ndeshjes, por ishte Holanda që gjeti golin me mbrojtësin Van Dijk, në këtë ndeshje kapiten i skuadrës. Lojtari i Liverpulit realizoi me kokë, duke i dhënë një goditje të fortë Gjermansië. Në pjesën e dytë trajneri Lëv shtoi forcat sulmuese, duke hedhur në fushë edhe Sane, Draksler dhe Brand, por pa mundur t’ia ndryshojë rrjedhën ndeshjes, pavarësisht se rastet për golin e barazimit nuk munguan. Minutat e fundit ishin fatale për Gjermaninë, që pësoi dy gola të tjerë nga Depai dhe Uijnaldum. Nuk është dramë të mundesh nga Holanda, por 3 gola të pësuar dhe vendi i fundit në grup e bëjnë situatën katastrofike për gjermanët.

Holanda feston golin e Van Dijk

Në ndeshjet e djeshme të Ligës vlen të veçohet fitorja e Çekisë në derbin me Sllovakinë, në fushën e kësaj të fundit. Bullgaria mundi me përmbysje Qipron, kurse fqinjët e Maqedonisë mposhtën 4-1 Lihtejnshtejnin. Surpriza erdhi nga Gjibraltari, që ka fituar 0-1 në Armeni, duke regjistruar kështu fitoren e parë në histori.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë