Futboll

Gjermanët si gjermanët, ndëshkojnë në fund dhe shmangin “biskotën”

Gjermania hyri në fushë ndaj Suedisë me objektivin e qartë në kokë: fitoren. Skuadra e Joachim Loew nuk donte që të linte fatet e kualifikimit tek ndeshja e fundit mes Meksikës dhe Suedisë, por kërkoi që të vendoste vetë për këtë.

Në 30 minuta lojë të pjesës së parë gjermanët dominuan lojën dhe kërkuan me ngulm golin e avantazhit, por goditjet e Tim Werner, Draxler dhe Reus u neutralizuan nga portieri Olson dhe mbrojtja suedeze.

Në minutën e 32-të, ai që ishte një mision i vështirë u shndërrua në një mision të pamundur. Toivonen shfrytëzon më së miri një kundërsulm dhe në bashkëpunim me Boateng shënon golin e avantazhit për Suedinë.

Pjesa e parë mbyllet me avantazhin e suedezëve. Në të dytën, Loew hedh në fushë Gomez në vend të Draxler dhe Gundogan në vend të Rudy, që u dëmtua. Zëvendësimet dhanë efektet e tyre dhe ofensiva gjermane u shtua, ndërsa suedezët u përpoqën që të gjejnë të papërgatitur prapavijën kundërshtare me kundërsulm.

Reus shënon golin e barazimit në minutën e 48-të

Përpjekjet e gjermanëve u shpërblyen shpejt. Markus Reus gjen rrjetën në minutën e 48-të, pasi devijon një top të hedhur në zonë nga Werner. Goli u dha krahë dhe suedezët e dinin këtë. U mbyllën në mbrojtje për minuta me radhë, duke sprapsur njëra pas tjetrës rastet e Reus, Muller dhe Kroos.

Rastin më të mirë për të kaluar në avantazh e kishte Gomez, por topi i goditur prej tij me kokë pritet po aq mjeshtërisht e mrekullisht nga portieri suedez. Gjermania ishte e gjitha e hedhur në sulm dhe në mbrojtje vetëm Rudiger dhe Boateng korrigjonin gabimet e mesfushës dhe bllokonin kundërsulmet kundërshtare. Pikërisht në një të tillë, në minutën e 82, Boateng ndërhyn ashpër ndaj Berg. Gjyqtari kryesor dha thjesht një goditje dënimi, megjithë protestat e suedezëve për të nxjerrë kartonin e dytë të verdhë për mbrojtësin gjerman. Por, pas ndërhyrjes së ekipit të VAR, që komunikoi me kufje me të, polaku Marciniak i tregon kartonin e dytë të verdhë dhe më pas të kuqin.

Suedezët marrin zemër nga ky episod dhe nisën të shohin më shumë drejt Noyerit. Provuan për pak minuta që të gjejnë golin, por pa rezultat. Më pas, gjermanët luanin gjithçka për gjithçka dhe dizavantazhi numerik në fushë nuk i pengoi që të izolonin në zonën e tyre suedezët.

Në minutën e 87-të, Loew hedh në fushë talentin e Bayer Leverkusen, Brandt.22-vjeçarit i mjaftuan pak sekonda që të godiste shtyllën suedeze dhe më pas të fitonte një goditje dënimi në minutën e fundi të kohës shtesë.

Kroos dhe Reus afrohen tek topi. I dyti i thotë diçka në vesh të parit dhe i pari i kthen përgjigje.Skema u bë. Kroos, që në të gjithë takimin ishte larg formës së tij më të mirë, ja bëri të qartë Reus se do të synonte portën nga një pozicion i prirët. Reus duhej vetëm të zbatonte urdhrat dhe të ndalonte topin e nisur nga Reus në një pozicion të përshtatshëm për goditje direkte në portë.

Kroos shënon nga goditja e dënimit në sekondat e fundit të ndeshjes

Ishin sekondat e fundit dhe ashtu u bë. Kroos pasoi lehtë tokazi për Reus, ky i fundit thjesht ndalon topin dhe hap krahun, e në fund Kroos godet drejt portës duke shmangur murin suedez. Topi përfundon në rrjetë dhe në stadium nis festa gjermane për një gol që mund të vlejë sa një Botëror.

Gjermania sërish nuk është e kualifikuar dhe atë e dinë edhe Loew edhe lojtarët e tij, por tani gjërat kanë ndryshuar dhe ata e kanë vetë në dorë fatin e kualifikimit. Nëse fitojnë në ndeshjen e fundit ndaj Koresë së Jugut, gjermanët kalojnë më tej dhe për ta nuk ka rëndësi rezultati i takimit Meksikë-Suedi.

Nëse ndeshja do të ishte mbyllur në barazim, në lojë ishte një skenar “biskote” për Gjermaninë, i ngjashëm me atë të Euro 2008, kur Danimarka dhe Suedia barazuan 2-2, i vetmi rezultat që i kualifikonte të dyja dhe linte jashtë italianët. Në rastin e barazimit me Gjermaninë, suedezët do të kishin në lojë dy rezultate, fitoren dhe barazimin për të kaluar më tej dhe për të lënë Gjermaninë jashtë.

Humbjen vështirë se do ta pranonin meksikanët, që në këtë rast do të humbisnin edhe kryesimin e grupit, ndërsa suedezët në rast humbjeje do të humbinin shumë më shumë; kualifikimin. Të futura në fushë me këto llogari, dy skuadrat me gjasa do të luanin për një barazim, që do t’i kënaqte të gjithë, përveç Gjermanisë dhe tifozët e saj.

Kjo është e gjitha se përse shtypi gjerman hapej me fjalët “Turp”, kur fërshëllima përfundimtare i pa të humbnin 1-0 me Meksikën. Lojtarët i pranuan kritikat, por jo dorëzimin. Manuel Noyer foli për dy ndeshje finale. Situatën e grupit e pa shumë pozitive.

“Nga ky moment kemi dy finale për të luajtur, kundër Suedisë dhe Koresë së Jugut. Flasim shumë me njëri-tjetrin. Nuk kam parë asnjëherë më parë një nivel të tillë komunikimi, flasim me sinqeritet. I kuptojmë shumë mirë kritikat që na kanë bërë, por ne jemi shumë më kritikë me veten. Jemi të zhgënjyer për atë që shfaqëm në fushën e lojës”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë