Keshilla

Gjërat që mjekët bëjnë gjithmonë kur udhëtojnë për të mos u sëmurë

Ka mënyra për të reduktuar shanset që të kthehesh nga pushimet me një ftohje të tmerrshme, probleme me tretjen ose probleme të tjera shëndetësore.

Kur turistët kthehen në shtëpi nga një udhëtim, ato sjellin me vete suvenire të lezetshme, kujtime dhe një prespektivë më të zgjeruar për botën, por ndonjëherë sjellin me vete edhe një ftohje, probleme me tretjen ose probleme të tjera shëndetësore.

Është e zakonshme të sëmuresh kur udhëton, pavarësisht nëse keni simptoma gjatë udhëtimit ose filloni të ndiheni keq pas kthimit. Por ky rezultat nuk është i pashmangshëm.

“Shanset që të sëmureni gjatë një udhëtimi janë të mëdha, por jo të pashmangshme. Me disa masa, çdokush mund të shpëtojë nga simptomat e virozëve”, thotë Henry Wu, profesor në Universitetin Emory, Gjeorgji.

Më poshtë, Wu dhe mjekë të tjerë ndajnë gjërat që bëjnë gjithmonë kur udhëtojnë për të mos u sëmurur.

Vendosja e maskës në aeroport dhe në avion

“Edhe pse Covid-19 nuk është më një problem aq i madh sa ishte, duke qenë se jam në afërsi me të njëjtin ajër qarkullues në një avion, unë ende mbaj maskë në të gjitha fluturimet dhe në aeroport”, thotë Barbara Bawer , mjeke dhe pedagoge në Universitetin Shtetëror të Ohajos.

“Në varësi të vendit ku po shkoni, mbajtja e një maske në vende të mbushura me njerëz është gjithashtu e rëndësishme.”

Maskat gjithashtu mbrojnë në mënyra të ndryshme.

“Maskat nuk do ju lejojnë të prekni hundën dhe gojën me duar tuaja dhe kjo do të thotë më pak mikrobe”, thotë Heather Viola, mjeke.

Larja dhe dezinfektimi i shpeshtë i duarve

“Së pari dhe më kryesorja, unë i laj vazhdimisht duart, duke mbajtur gjithmonë me vete dezinfektues duarsh që përmban të paktën 60% alkool për të parandaluar përhapjen e mikrobeve”, thotë Viola. “Shumë linja ajrore po japin peceta dezinfektuese me bazë alkooli kur hipni në avion. Unë i përdor këto për të pastruar sendiljen time, mbështetësen e kokës, mbështetëset e krahëve, tavolinën dhe ekranin. Në thelb, çdo gjë që mund të prekni ndërsa jeni ulur në vendin tuaj.”

Qëndroni të hidratuar

"Nëse do të bëni një udhëtim të gjatë, përpiquni të qëndroni të hidratuar dhe të shmangni alkoolin në avion”, thotë Viola.

Të gjithë mjekët gjithashtu ranë dakord se hidratimi është shumë i rëndësishëm gjatë udhëtimit.

Duhet të merrni me vete vitamina dhe ilaçet kryesore

Mjekët thanë se çdo person që udhëton duhet të ketë me vete disa lloj ilaçesh si për shembull vitamina, ilaçe për dhimbjen e kokës, për alergjitë dhe për ndonjë problem specifik që mund të ketë.

"Ajri në avion përgjithësisht është i thatë dhe mikroorganizamat qarkullojnë lirisht në ajër, kështu që përpara se të marr avionin, marr disa tableta vitaminë C për të forcuar sistemin tim imunitar dhe për të ndihmuar trupin tim për të luftuar mikrobet e ajrit”, thotë Viola.

Shmangni udhëtimet gjatë pikut të njerëzve

“Nëse është e mundur, përpiquni të udhëtoni gjatë orareve që nuk ka shumë njerëz, që shpesh janë mesi i javës dhe mesdita, në vend të shumë herët ose në mbrëmje”, thotë Bawer.

Shmangia e turmave më të mëdha dhe ndjenja e stresit është një mënyrë e mirë për të reduktuar ekspozimin tuaj të mundshëm ndaj mikrobeve, dhe udhëtimi në mes të ditës zakonisht ju lejon të flini mirë një natë para ose pas fluturimit.

Jepini përparësi pushimit

“Sigurohuni që të pushoni sa duhet përpara fluturimit tuaj dhe nëse keni mundësi, përpiquni të flini ndërsa udhëtoni kur është e përshtatshme”, thotë Bawer duke këshilluar edhe që, ku të ktheheni në shtëpi, jepini vetes pak kohë për t’u përshtatur sërish me orarin dhe rutinën tuaj.  

“Mundohuni të mos ktheheni në shtëpi në orën 23:00 ose në mesnatë dhe më pas duhet të shkoni në punë ditën tjetër. Jepini vetes disa orë ose, nëse mundeni, të paktën një ditë të tërë për t'u rikuperuar, për të rregulluar gjithë rrobat që keni pasur me vete ose për të bërë furnizimet për shtëpinë. Gjithashtu duhet të pushoni”, thotë Bawer.

Lodhja mund të dëmtojë sistemin tuaj imunitar, si dhe të ndikojë negativisht në humorin tuaj.

Mos u mundoni të programoni çdo hap

Ashtu siç duhet t'i jepni përparësi pushimit për të ndihmuar sistemin tuaj imunitar, gjithashtu duhet të përpiqeni të reduktoni stresin aty ku është e mundur.

"Mos e mbiprogramoni udhëtimin tuaj. Lërini kohë vetes për tu kënaqur edhe me të papriturat që të sjell një udhëtim. Stresi mund të shkaktojë sëmundje, veçanërisht në një mjedis të ri”.

Mos harroni mbrojtjen nga dielli

“Vendosni krem dielli çdo ditë”, thotë Bawer.

Qoftë në shtëpi apo me pushime, duhet të aplikoni (dhe të riaplikoni) një krem kundër diellit me spektër të gjerë me SPF të paktën 30 çdo ditë. Vazhdimi i regjimit tuaj të mbrojtjes nga dielli është veçanërisht i rëndësishëm nëse do të kaloni shumë kohë jashtë gjatë udhëtimeve tuaja.

“Djegiet nga dielli dhe sëmundjet e lidhura me nxehtësinë janë disa nga shkaqet më lehtësisht të parandalueshme gjatë pushimeve”, thotë Bawer.

Blini ilaçe kundër insekteve

“Nëse është një udhëtim në natyrë ose nëse do të shkoni në zona tropikale, sigurohuni që të keni edhe ilaçe kundër insekteve”, thotë Wu.

Mushkonjat dhe insektet e tjera mund të transmetojnë shumë infeksione.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë