Futboll

Gjenerata e trajnerëve të rinj “pushton” Superioren

Fatjon Rupi - Ndryshim brezash në futbollin shqiptar, në sektorin e trajningut. Skenën po e marrin gjithmonë e më tepër trajnerët e rinj në moshë, rrjedhimisht dhe në eksperiencë. Një cikël që ka nisur vitet e fundit dhe që aktualisht është zgjeruar ndjeshëm. “Fiksimi” për trajnerë të huaj po zhduket, pasi në të shumtën e rasteve ata kanë dështuar. I fundit është rasti i Milosh Kostiç te Luftëtari. Tani trajnerët e rinj në moshë po bëhen trend, si në gjithë botën. Ndoshta e kërkon koha, pasi edhe futbolli po evoluon. Evoluon metodologjia e stërvitjes, që nga brezi i ri duket se asimilohet më shpejt dhe më mirë.

Gjysma e skuadrave të Superiores drejtohen aktualisht nga emra të rinj, por edhe shumë të tjerë drejtojnë në Kategorinë e Parë. Trajneri më i ri në Superiore, Gentian Mezani, është 38 vjeç, kurse më i vjetri, Skënder Gega, është 54 vjeç. Mosha mesatare është 44.2 vjeç dhe me sa duket, futbolli shqiptar po shkëputet nga gjeneratat e trajnerëve të vjetër, për t’u besuar të rinjve ambiciozë. Disa trajnerë të tjerë, si për shembull Ilir Daja, Artan Mërgjyshi apo Armando Cungu e ndonjë tjetër, po bëjnë lidhjen mes brezave.

Trajnerët e Superiores sipas moshës, nga më i riu te më i vjetri

Nga “stekat e vjetra”, vetëm Hasan Lika është në detyrë. Ai drejton Vllazninë, por kjo e fundit është në Kategorinë e Parë, kurse Superioren e kanë marrë në dorë trajnerët e rinj. Skënder Gega, Ilir Daja dhe Artan Mërgjyshi janë “veteranët” e trajningut aktualisht në elitë, i pari 54 vjeç, i dyti 51 vjeç dhe i treti 50 vjeç. Gega në fakt, edhe pse është më i madh në moshë, drejton për herë të parë një ekip në Superiore. Pas tyre janë Ze Maria i Tiranës dhe Armando Cungu i Kukësit, nga 45 vjeç. Të tjerët janë të rinj në moshë dhe në profesion. Këtë sezon madje ka edhe debutues në futbollin elitar në Shqipëri, siç janë Bledi Shkëmbi (sezonin e kaluar drejtoi në Kosovë) dhe Orges Shehi. Ishte edhe Bledar Devolli, por vendin e tij te Kamza e ka marrë Klodian Duro.  

Po bëhet gjithmonë e më e modës që klubet t’i besojnë gjeneratës së re të trajnerëve. Ky fenomen që ka prekur Superioren, është i njohur në gjithë botën në fakt. Mjafton të përmendim faktin se Hofenhejmi në Gjermani drejtohet nga një 31-vjeçar, Julian Nagelsman, madje me shumë sukses, aq sa emri i tij është përmendur edhe si kandidat për të drejtuar klube të mëdha, me Bajernin në krye. Janë edhe shumë e shumë trajnerë të rinj, që drejtojnë skuadra të njohura. Ndryshimet në futboll kanë prekur edhe sektorin e trajningut dhe profesorët duhet të ndihen realisht të “rrezikuar” për vendin e punës. "Ne kemi nevojë për përvojën e trajnerëve të vjetër, nuk diskutohet, por është diçka pozitive që po u besohet trajnerëve të rinj dhe ne kemi shansin të tregojmë veten. Dua të theksoj se është shumë pozitiv edhe fakti që në këtë kampionat ka shumë trajnerë shqiptarë. Për të drejtuar me sukses një ekip, nuk ka rëndësi mosha, mjafton të punosh si duhet dhe të kesh një komunikim të mirë me lojtarët", - thekson Mezani për Gazeta Si.

Gentian Mezani, trajneri më i ri i Superiores që drejton Luftëtarin

Kurrë më parë në Superiore nuk ka pasur kaq shumë trajnerë të rinj në moshë. Drejtuesit e klubeve pak ose aspak u kanë besuar, sepse gjithmonë janë joshur nga emrat e njohur, nga trajnerët me shumë vite përvojë dhe nga trajnerët e huaj. Kjo tabu jo vetëm që është thyer, por është bërë e modës e kundërta. Skënderbeun, për shembull, e drejton ish-kapiteni i tij sezonin e kaluar, Orges Shehi, i cili sapo vari dorezat në gozhdë, ka veshur tutat e trajnerit. Dhe të mendosh që është trajneri i ekipit kampion të Superiores. “Së pari, e konsideroj vlerësim që më është besuar drejtimi i skuadrës menjëherë pasi lashë futbollin. Personalisht, kam pasur mundësi të punoj edhe në zyrë, por e shikoj veten në fushë, jam shumë i lidhur me fushën dhe e kam marrë detyrën e trajnerit të Skënderbeut me shumë dëshirë. Më vjen mirë që po u besohet trajnerëve të rinj. Ndoshta fakti që sapo jemi shkëputur nga futbolli i luajtur na ndihmon në disa drejtime, pasi e kuptojmë shumë mirë si ndihet lojtari në fushë, si ndihet ai që qëndron në stol, si ndihet ekipi pas një humbje. Megjithatë, kam shumë respekt për ata trajnerë me përvojë, me të cilët kam pasur në skuadrat ku kam luajtur dhe emocionet më të mëdha i kam kur të luajmë me skuadrat që ata drejtojnë aktualisht. Me trajnerët e rinj, si Shkëmbi, Duro e Cungu, kam luajtur dhe nuk kam emocione. Pra, është një punë e që e bëj me shumë zell e pasion për të arritur më të mirën”, - ka thënë për Gazeta Si trajneri debutues i Skënderbeut, Orges Shehi.

Orges Shehi, trajneri i Skënderbeut

Një tjetër ish-kapiten i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi, pas përvojës njëvjeçare në Kosovë me Lirinë e Prizrenit, tani drejton Teutën. Trajneri më i ri në moshë i Superiores është Gentian Mezani (pak muaj më i ri se Shkëmbi), i cili drejton Luftëtarin, por ndryshe nga Orges Shehi dhe Bledi Shkëmbi, ai ka disa vite përvojë në stol, sepse më parë ka drejtuar në Superiore Flamurtarin dhe Laçin. Klodian Duro ka marrë drejtimin e Kamzës, duke zënë vendin e Bledar Devollit. Kjo është përvoja e dytë në Superiore e Duros, i cili ka drejtuar edhe Kukësin pak sezone më parë dhe ka fituar Kupën e Shqipërisë me të. Elvis Plori drejton Kastriotin e ngjitur në Superiore nga një tjetër trajner i ri, Samuel Nikaj, edhe ai shkodran.

Bledi Shkëmbi, trajneri i Teutës

Gjenerata e trajnerëve të rinj në Shqipëri plotësohet me shumë emra që drejtojnë në Kategorinë e Parë. Igli Allmuça te Dinamo, Mariol Miho tek Apolonia, Bledar Devolli te Tomori, Gentian Begeja te Besa, Dorian Bubeqi te Korabi, sa për të përmendur disa emra. Të gjithë bashkë përbëjnë gjeneratën e trajnerëve të rinj, që me kalimin e viteve do të ketë në dorë fatet e futbollit në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë