Lajme

Gjeneral Piro Ahmetaj: Pse Rusia do ta humbasë luftën

Eksperti për sigurinë njëherazi zv/President i Këshillit të Atlantikut, gjeneral Piro Ahmetaj e konsideron të humbur luftën e Rusisë përballë Ukrainës.

Sipas gjeneral Ahmetaj, sanksionet e ashpra të vendosura nga SHBA-BE dhe vendimi i 37 vendeve për ta çuar Rusinë në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte tregojnë për një vendimmarrje dhe solidaritet si asnjëherë në histori.

"Me fjalë të tjera rrethim i fortë diplomatik dhe ekonomik i Rusisë si dhe mbështetje e gjithanshme përfshi ushtarake e SHBA/NATO/BE/OKB", thotë gjeneral Ahmetaj për Gazeta “Si”.

Por, sipas tij, ky moment i rëndësishëm duhet të shfrytëzohet nga Tirana zyrtare për një fushatë diplomatike për njohjen e Kosovës nga 4 vendet anëtare të NATO-s.

Gjeneral Ahmetaj tha se Kosova nuk mund të anëtarësohet në NATO, nëse katër vendet e Aleancës nuk e njohin atë si  shtet të pavarur.

Sipas Ahmetajt, nisur nga situata në Ukrainë, janë të gjitha mundësitë që falë lobimit për njohjen  e Kosovës, të realizohet vendimmarrja për anëtarësim në NATO.

Gjeneral Ahmetaj tha se lufta në Ukrainë është rrethanë shtesë që Prishtina dhe Tirana zyrtare të ndërmarrin një fushatë të gjerë diplomatike që paraprakisht të njihet edhe nga 4 vendet e NATO-s, Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia.

“Kjo do të jetë një premisë pozitive drejt anëtarësimit. Pa njohjen e këtyre vendeve nuk ka anëtarësim. Rrethanat gjeopolitike duhet të shfrytëzohen për njohjen e Kosovës, së pari dhe më pas të anëtarësohet në NATO. E theksoj se rrethanat gjeopolitike janë në favor të kombit shqiptar dhe Kosovës”, tha gjeneral Ahmetaj.

Sipas tij, Shqipëria ka rol kritik për stabilitetin demokratik të  Ballkanit Perëndimor si dhe ka partneritet me peshë gjeopolitike në vite me SHBA.

Gjeneral Piro Ahmetaj tha gjithashtu se ulja e peshës së Beogradit, duke mos iu bashkuar aleancës SHBA-BE që i vendosën sanksione Rusisë pas sulmit të kësaj të fundit në Ukrainë, është një moment shumë i mirë për tu shfrytëzuar për njohjen e Kosovës.

“Është momenti që të rritet pesha jonë politike dhe të mos përsëritet viti 2000, kur Aleanca e Atlantikut u fut në luftë dhe ishte ajo që ja dha status quo Kosovës”, tha ai.

Gjeneral Ahmetaj ka theksuar se nuk ka nevojë për panik.

‘Shqiptarët kanë 30 vjet që nuk jetojnē të rrethuar nga ‘armiq’ dhe Shqipëria nuk është më e izoluar dhe as e rrethuar nga ‘koalicion armiqsh".  Përkundrazi, Shqipëria  është anëtare, kontribuuese dhe aktore në tavolinat e vendimmarrjeve të mëdha te NATO-s dhe OKB-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë