Shkencë

Gjendet mikroplastikë edhe në borën e freskët të Antarktidës

Shkencëtarët kanë gjetur për herë të parë mikroplastikë në borën e saporënë të Antarktidës.

Studiuesit nga Universiteti i Canterbury në Zelandën e Re mblodhën mostra nga 19 vende në Antarktidë dhe secila përmbante fragmente të vogla plastike.

Mikroplastikat rrjedhin nga erozioni i materialeve plastike dhe janë më të vogla se një kokërr orizi, ndonjëherë edhe të padukshme me sy të lirë.

Studiuesit gjetën mesatarisht 29 grimca për litër borë të shkrirë.

Ata identifikuan 13 lloje të ndryshme të plastikës dhe më i zakonshmi ishte polietilen tereftalati (PET), i përdorur kryesisht në shishe dhe veshje të pijeve joalkoolike. Kjo u gjet në 79% të mostrave.

Nga erdhën?

"Burimi më i mundshëm i këtyre mikroplastikave në ajër janë stacionet lokale të kërkimit shkencor", thotë studiuesi Alex Aves.

"Megjithatë, modelimi tregon se origjina e tyre mund të ketë qenë deri në 6000 km larg".

Studimet e mëparshme kanë gjetur ndotje mikroplastike në akullin e detit Antarktik dhe në ujërat sipërfaqësore, por ky është rasti i parë i raportuar në borë të freskët.

Një studim i madh vitin e kaluar tha se mikroplastika po qarkullon në të gjithë globin, shpesh të transportuara nga pluhurat, era dhe rrymat e oqeanit.

Në vitin 2020, studiuesit gjetën mikroplastikë pranë majës së malit Everest. Ato janë gjetur edhe në oqeane të thella.

Pse zbulimi i ri është shqetësues?

Kjo formë e ndotjes mund të ketë efekte lokale dhe më të gjera.

“Mikroplastikat mund të kenë substanca të dëmshme të ngjitura në sipërfaqet e tyre si metalet e rënda”, thotë Laura Revell, pedagoge në Universitetin Canterbury, e cila gjithashtu ishte e përfshirë në kërkim.

Ekspertët thonë gjithashtu se njerëzit thithin dhe gëlltisin mikroplastikë nëpërmjet ajrit, ujit dhe ushqimit.

Nuk janë bërë shumë kërkime mbi ndikimin e tyre në shëndetin e njeriut, por një studim nga Shkolla Mjekësore Hull York dhe Universiteti i Hull vitin e kaluar zbuloi se nivelet e larta të mikroplastikës së gëlltitur në trupin e njeriut kanë potencialin të shkaktojnë efekte të dëmshme, duke përfshirë vdekjen e qelizave dhe reaksione alergjike.

Mikroplastika gjithashtu mund të rrisë ndikimin e ngrohjes globale.

Akullnajat në mbarë botën tashmë po shkrihen shpejt dhe shkencëtarët thonë se mikroplastika me ngjyrë të errët të depozituar në këto vende mund t'i përkeqësojë gjërat duke thithur dritën e diellit dhe duke rritur ngrohjen lokale.

Akullnajat që po shkrihen në të gjithë botën po bëhen gjithnjë e më të rrezikshme, duke çuar në rrëshqitje të dheut dhe ortekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë