Bota

Gjendet i vdekur ish-punonjësi i ‘Boeing’ në SHBA, raportoi probleme sigurie për avionët

Gazeta Si - John Barnett, një ish-punonjës i gjigantit amerikan të hapësirës ajrore “Boeing”, i cili kishte denoncuar publikisht shkeljet e standardeve të sigurisë në proceset e prodhimit të avionëve të kompanisë, është gjetur i vdekur.

Kështu raportojnë mediat amerikane, sipas të cilave inxhinieri 62-vjeçar me mbi tridhjetë vjet karrierë në “Boeing”, gjatë së cilës mori edhe rolin e menaxherit të cilësisë, ka ndërruar jetë të shtunën, me sa duket nga një “të shtënë me armë, duke vetëshkaktuar një plagë” vdekjeprurëse.

“Boeing” njoftoi në fund të muajit të kaluar zëvendësimin e një prej drejtuesve kryesorë të saj, pas polemikave të lidhura me problemet e sigurisë që prekën aeroplanin 737 Max, veçanërisht pas shkëputjes së një dere gjatë një fluturimi të drejtuar nga kompania “Alaska Airlines” janarin e kaluar.

“Boeing” njoftoi zëvendësimin e Ed Clark, zëvendëspresident për programin 737 dhe menaxher i përgjithshëm i fabrikës së kompanisë në Renton, Ëashington, me Katie Ringgold, e cila më parë mbikëqyrte 737 për dërgesa për klientët.

Clark, i cili ka punuar në “Boeing” për rreth 18 vjet, mori përsipër uzinën e Renton në vitin 2021, ndërsa kompania kërkoi të rikuperohej nga dy incidentet e mëdha të avionit që përfshinin 737 avionë Max në vitin 2018 dhe 2019.

“Boeing” dje njoftoi gjithashtu krijimin e një roli të ri menaxherial për të mbikëqyrur kontrollin e cilësisë, i cili do t'i besohet një zëvendëspresidente tjetër të kompanisë, Elizabeth Lund.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë