Futboll

Gjëegjëza e Ronaldos! Portugezi mund të shkaktojë një efekt domino

Gareth Bale ishte protagonisti i fitores së titullit të 13-të të Ligës së Kampionëve për Realin e Madridit, por kjo me gjasa nuk do të mjaftojë që uellsiani të vazhdojë të veshë edhe sezonin e ardhshëm fanelën e bardhë.

Tifozët janë përgatitur për largimin e tij, por ajo që nuk prisnin ishte një deklaratë nga Cristiano Ronaldo. Portugezi la të kuptohej në fund të atij takimi se do të largohet nga madrilenët.

“Ishte bukur të luaja për Realin. Falenderoj tifozët që më kanë qëndruar pranë dhe më kanë mbështetur gjatë gjithë kësaj kohe”, deklaroi ai.

Semantikisht e gjithë kjo do të thotë se Ronaldo e ka ndarë mendjen tashmë dhe nga sezoni i ri do të veshë një tjetër fanelë, që mbetet për t’u parë në javët në vazhdim, ndoshta pas Botërorit.

Lëvizja e mundshme e portugezit do të shkaktonte një tërmet të vërtetë në merkaton e kësaj vere. Nëse Ronaldo largohet, pavarësisht se nuk është më në kulmin e karrierës së vet, Reali nuk pritet që ta lëshojë “për një copë bukë”.

Shuma që mund të përfitonin madrilenët si nga shitja e tij, ashtu edhe nga ajo e Gareth Bale do të investohej në emra të mëdhenj për të ruajtur vazhdimësinë e trofeve, pasi Reali është Real dhe nuk e ka luksin që të mbyllë një sezon pa trofe të fituar.

Paulo Dybala feston me "Dybala Mask" një gol të shënuar me Juventusin

Një prej emrave është ai i Paolo Dybalas. Argjentinasi i Juventusit shihet si një alternativë e mirë në sulm, por problem mbetet rezistenca e bardhezinjëve. Italianët kërkojnë që të përforcojnë skuadrën e sezonit të ardhshëm dhe ta bëjnë këtë me Dybalan protagonist. E vetmja mënyrë që ata të heqin dorë prej tij është nëse mbërrin një “ofertë e parefuzueshme”.

Nga këto oferta Florentino Perez ka treguar ndër vite se di të bëjë, duke nisur që me Beckham, Ronaldon, apo për t’u kthyer pas në kohë me Zinedine Zidane, që e bleu pikërisht tek Juventusi për një shifër rekord në atë kohë.

Ronaldo vetë vlerësohet tek 120 milionë euro nga Reali, ndërsa Juventusi ka lënë të kuptohet se nuk diskuton për të ardhmen e Paolo Dybalas poshtë shifrës 150 milionë euro.

Me shitjen e portugezit për 120 mln euro, por edhe shifrën që do të sigurohej nga largimi i Bale, paratë për afrimin e argjentinasit do të gjendeshin, e ndoshta do të mposhtej lehtësisht konkurenca e PSG-së, Bajernit dhe disa klubeve angleze, të gjitha të përfolura si të interesuara për sulmuesin.

Interi mund të sakrifikoje kapitenin Icardi për hir të bilanceve financiare dhe rregullave të Fair Play-t të UEFA-s

Nga ana tjetër, për të mos lëshuar terren nga ecuria në kupat e Europës, bardhezinjtë vetë do të shpenzonin këtë shumë për afrimin e një lojtari tjetër cilësor. Emre Can pritet të mbërrijë me parametra zero, por ai është mesfushor dhe Juventusit do t’i duhej me patjetër një sulmues.

Emrat në qarkullim nuk janë të shumtë dhe së fundmi, Goal.com flet për një interesim surprizë të bardhezinjëve. Bëhet fjalë për Mauro Icardin. Me largimin e Dybalas Juventusi mund të shpenzonte pa frikë shumën që do të shkëpuste sulmuesin nga Interi. Zikaltërit kërkojnë ta mbajnë dhe të ndërtojnë një skuadër kompakte për sezonin e ri, ku janë edhe pjesë e Ligës së Kampionëve, por bilancet financiare dhe Fair Play i UEFA-s mund ta penalizojnë dhe ta detyrojnë që të sakrifikojnë kapitenin për hir të ekuilibrave të shifrave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë