Dosje

6 vrasjet (2 në Greqi) që zbuloi bashkëpunëtori i drejtësisë Artan Tafani për llogari të grupit të Laert Haxhiut

Gazeta Si – Pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Artan Tafani, 6 vrasje janë zbardhur nga policia dhe prokuroria, e cila pritet që të dalë me një deklaratë për mediat për të zbardhur detajet e operacionit ku janë lëshuar 15 urdhër-arreste.

Bëhet fjalë për emrat e vrasësve të pagesë që kanë kryer ekzekutime për llogari të grupit të Laert Haxhiut. Sipas burimeve paraprake, vrasjet kanë ndodhur në Greqi, Elbasan, Korçë, Lushnjë dhe Tepelenë.

LEXO EDHE:
– Laert Haxhiu tentoi t’i ikë policisë greke, gjatë ndjekjes u përplas me tre makina të tjera
– Vrasja për hakmarrje? Si u ekzekutua i riu në Peqin, dëshmitari: U siguruan nëse kishte vdekur dhe dogjën makinën e tyre

Të arrestuarit të cilët akuzohen si pjesë e grupit të këtij të fundit janë Bledar Berberi, Mariglen Topuzi dhe Firdeus Berberi.

I penduari i drejtësisë, Artan Tafani

Alban Semaku, 17 tetor 2021

Alban Semaku, 38 vjeç, u gjet i ekzekutuar me armë zjarri më 17 tetor 2021. Ai u vra me dy plumba në trup, një në shpinë dhe një në brinjë. Semaku deri në vitin 2011 mbante emrin Elton Mermali. Në Lushnjë ai njihej me emrin “Elton Kinezi”.

38-vjeçari ishte anëtar i bandës famëkeqe të Lushnjës dhe kishte një të shkuar të pasur kriminale. Semaku në vitin 2006 ishte ekstraduar nga Italia për vrasje.

Pasi doli nga burgu, në vitin 2015 kërcënoi një person dhe u dënua sërish me burg. Ai u lirua me 6 qershor, ndërsa 5 muaj më vonë u gjet i vrarë pranë lumit Shkumbin.

Sipas policisë, autorë të dyshuar të vrasjes janë:

-Laert Haxhiu, 31 vjeç, lindur në Lushnjë;

-Artan (Marjus) Tafani, 39 vjeç, lindur në Lushnjë;

-Lulzim Spahija (Arapi), 28 vjeç, lindur në Lushnjë.

Alban Semaku, i njohur si “Kinezi”

Çajup Selimi, 1 qershor të 2021

Çajup Selimi, 52 vjeç, u ekzekutua në hyrje të shtëpisë së tij në lagjen “15 Shtatori” më 1 qershor të 2021. Selimi doli nga shtëpia pasi u thirr nga një person dhe u qëllua në shkallët e katit të dytë të pallatit ku jetonte.

52-vjeçari ndërroi jetë menjëherë për shkak të plagëve të marra. Nga informacionet e asaj kohe, autorët e vrasjes dyshohet të ishin dy persona.

Çajup Selimi njihej si pronar i një biznesi në hyrje të Tepelenës. Dyshimet e para në kohën kur u vra, ishte se biznesmeni Selimi u ekzekutua për shkak të konkurrencës.

Sipas policisë, autorë të dyshuar të vrasjes janë:

-Laert Haxhiu, 31 vjeç, lindur në Lushnjë;

-Artan (Marjus) Tafani, 39 vjeç, lindur në Lushnjë;

-Erisiano Abedini, 32 vjeç, banues në Tepelenë;

-Lulzim Spahija (Arapi), 28 vjeç, lindur në Lushnjë;

-Ligor Romacka, 31 vjeç, lindur në Korçë;

-Bujar Abedini, 49 vjeç, banues në Tepelenë.

Çajup Selimi

Albi Bashaliu, 27 dhjetor 2021

Albi Bashaliu u ekzekutua më 27 dhjetor të vitit 2021. 35-vjeçari u vra me armë në fshatin Gjoçaj të Peqinit.

Viktima sapo kishte zbritur nga makina e tij për të shkuar në një kafe. Pasi e ekzekutuan, autorët i dogjën Bashaliut edhe makinën.

Ai kishte precedentë penalë pasi 4 vite më parë kishte qëlluar me armë në drejtim të 2 personave në Peqin.

Ngjarja u dyshua për hakmarrje, pasi po në qershor të atij viti, vëllai i viktimës, Leonard Bashaliu, vrau Ylber Xhahysën.

Bashaliu u konfliktua për motive banale me Ylber Xhahysën për gërvishtjen e makinës 5 vite më parë dhe ky konflikt çoi në atë ngjarje të rëndë kriminale.

Sipas policisë, autorët e dyshuar të vrasjes janë:

-Laert Haxhiu, 31 vjeç, lindur në Lushnjë;

-Artan (Marjus) Tafani, 39 vjeç, lindur  në Lushnjë;

-Lulzim Spahija (Arapi), 28 vjeç, lindur në Lushnjë;

-Lorenc Lala (alias Ilir Lamberti, alias Kristian Lala), 36 vjeç, banues në Lushnjë;

-Enriko Xhahysa, 23 vjeç, banues në Gjocaj, Peqin;

-Bledar Berberi,  34 vjeç, banues në Pogradec.

Albi Bashaliu

Fridman Xhaferraj, 13 maj 2021

Fridman Xhaferraj, 25 vjeç u gjet i vrarë më 13 maj të 2021, në rezervuarin e Gjançit. Ai dyshohet se u vra në qytetin e Korçës e më pas trupi u hodh në rezervuar.

Në atë kohë, dyshimet e policisë ishin se 25-vjeçari ishte ekzekutuar për larje hesapesh, për shkak të konflikteve të mëparshme.

Sipas policisë, autorë të dyshuar të vrasjes janë:

-Laert Haxhiu, 31 vjeç, lindur në Lushnjë;

-Artan (Marjus) Tafani, 39 vjeç, lindur  në Lushnjë;

-Lulzim Spahija (Arapi), 28 vjeç, lindur në Lushnjë;

-Ligor Romacka, 31 vjeç, lindur në Korçë;

-Maringlen Topuzi, 37 vjeç, banues në Pogradec;

-Bledar  Berberi,  34 vjeç, banues në Pogradec;

-Idriz Manej, 58 vjeç, lindur në Ktosh.

Fridman Xhaferraj

Lulzim Qorri, 12 dhjetor 2018

Lulzim Qorri, 44 vjeç, u ekzekutua në Athinë në një atentat mafioz në 12 dhjetor të vitit 2018. Policia greke njoftoi asokohe se viktima ishte duke pirë kafe në një lokal shumë afër sheshit qendror “Omonia”.

Pak para orës 23:00 dy persona ndaluan me një motoçikletë përpara kafesë ku mblidheshin shqiptarët dhe në atë orë ishte plot, pasi po ndiqnin një ndeshje futbolli.

Njëri nga ekzekutorët zbriti, shkoi pranë Qorrit dhe e qëlloi atë nga një distancë e afërt.

44-vjeçari humbi jetën si pasojë e 3 plumbave në kokë. Viktima ishte arrestuar në Shqipëri në vitin 2016 si pjesë e një bande të trafikut të drogës në Ballkan, ku në pranga ranë disa biznesmenë ndërtimi.

Lulzim Qorri

Dikens Halili, 3 tetor 2021

Dikens Halili u ekzekutua më 3 tetor 2021 në Athinë. 39-vjeçari u ekzekutua në lokalin në pronësi të tij në lagjen “Agios Panteleimon”.

Dikens Halili nga Tepelena ishte person me precedentë të mëparshëm penalë dhe i njohur për autoritetet greke.

Në vitin 2010, atij i ishte bërë atentat me tritol në makinë. Shpërthimi ishte aq i fortë saqë theu edhe xhamat e dyqaneve aty pranë, por Halili dhe një grua që ishte me të në sediljen e pasagjerit mundën të shpëtonin.

Dikens Halili

Në periudhën 2011-2012, Dikens Halili ishte akuzuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale, anëtarët e së cilës kërcënonin pronarët e “shtëpive të kuqe” (siç njihen në Greqi bordellot) në Athinë për t’u zhvatur para.

Nëse pronarët nuk shantazhoheshin, ai u vendoste zjarrin bordellove. I njohur edhe me emrin Keli, 39-vjeçari ka qenë i përfshirë edhe në rastet e trafikut të drogës në shtetin fqinj.

Shqiptari ka qenë në lokalin e tij pasditen e 3 tetorit 2021, duke folur në telefon kur një person i paidentifikuar iu afrua dhe qëlloi në drejtim të tij 8 herë me armë.

39-vjeçari u dërgua i plagosur në spital, por ndërroi jetë për shkak të plagëve të shumta. Ai kishte 1 plumb në kokë, 2 në bark dhe 1 në shpatull.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë