Ngjarje

Ekzekutimi i Alban Semakut, dyshohet se u rrëmbye në Lushnjë dhe u vra në Peqin

Ekzekutimi i Alban Semakut, i cili u gjet i vrarë pranë lumit Shkumbin në Peqin, dyshohet se është kryer pikërisht në vendin ku u pikas nga banorët e zonës.

Sipas informacioneve paraprake nga grupi hetimor, bëhet me dije se anëtari i bandës së Aldo Bares është rrëmbyer në Lushnjë nga persona të pa identifikuar, të cilët dyshohen të kenë qenë më shumë se tre.

38-vjeçari është qëlluar me tre plumba të kalibrit 9 mm, ku dy prej tyre e kanë përshkuar në shpinë dhe një në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Trupi i pajetë i Semakut, i njohur edhe me emrin Elton Mermali, u gjet të dielën, 17 tetor në Peqin në një grumbull me mbeturina pranë lumit Shkumbin nga disa banorë të zonës që njoftuan policinë.

Policisë iu deshën disa orë të identifikonte kufomën, deri sa ka mbërritur nëna e tij. Në fakt, 38-vjeçari është një emër i njohur për drejtësinë, pasi ka qenë pjesë e bandës së Lushnjës në vitet 2000. Ai është arrestuar dhe dënuar për vepra të ndryshme penale, ndërsa në maj të këtij viti kishte dalë nga burgu.

Larja e hesapeve është pista kryesore ku janë përqendruar hetimet. Në vitin e largët 1998, Semaku, në atë kohë në moshë fare të re, dyshohet si autor i një vrasje të dyfishtë.

Ndërsa hetuesit e kanë të vështirë për identifikimin e autorëve, kjo për shkak edhe mënyrës se si është vrarë 38-vjeçari. Ndërkohë, hetuesit kanë sekuestruar dhjetëra kamera sigurie në aksin Lushnjë-Rrogozhinë-Peqin.

Gjithashtu kamera janë sekuestruar edhe në bizneset që ndodhen në zonën e quajtur Bishti Zhurit apo rrethrrotullimi i Çermës.

Deri më tani sipas informacioneve nga grupi hetimor, në vendin ku u gjet viktima, nuk është gjendur asnjë provë që mund të ndihmojë autorët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë