Ka ndodhur

Vritet me armë zjarri 35-vjeçari në Peqin, vëllai i viktimës ndodhet në burg për vrasje për një gërvishtje makine

Një 35-vjeçar është ekzekutuar mëngjesin e të hënës me armë zjarri në fshatin Gjoçaj të Peqinit. Viktima, i identifikuar si Albi Bashaliu është gjetur i vrarë në rrugë, teksa ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:40. Ndërkohë, mësohet se autorët kanë djegur makinën e tyre dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes me mjetin e viktimës.

Albi Bashaliu, ishte arrestuar në vitin 2017, pasi dyshohet se ka qëlluar me automatik mbi dy persona, duke u akuzuar nga drejtësia për një atentat, por që më pas u lirua pasi nuk kishte prova të mjaftueshme.

Në fakt, dyshohet se vrasja mund të jetë bërë për hakmarrje, sepse 35-vjeçari është vëllai i Leonard Bashaliut, i cili ndodhet në burg për vrasjen e Ylber Xhahysës, ngjarje e ndodhur në 8 qershor 2021.

Ata fillimisht u konfliktuan verbalisht, për një ngjarje të ndodhur 5 vite më parë, ku Xhahysa i gërvishti automjetin Leonard Bashalliut, por situata agravoi në përdorimin e armës së zjarrit.

Kështu, një ndër pistat ku po hetohet, është pikërisht ajo e hakmarrjes që lidhet me të shkuarën e viktimës dhe vëllait të tij.

Por çfarë deklaronte Leonard Bashaliu pas vrasjes së të njohurit të tij Albert Xhahysa? Ai rrëfeu se nuk donte që ta vriste bashkëfshatarin e tij, por se ai e kishte ofenduar vazhdimisht.

Ylber Xhahysa (majtas), i vrarë në 8 qershor 2021 nga Leonard Bashaliu (djathtas)

“Kurrë nuk do ta kisha vrarë, por më ka dhunuar dhe fyer vazhdimisht. Kohët e fundit edhe më pati kërcënuar. Ndjehesha i rrezikuar. Më kishte stresuar aq shumë sa nuk kisha më qetësi dhe nuk flija as gjumë. I kisha thënë; “mos më shqetëso”, por ai vazhdonte të ma nxinte jetën. Edhe herën e fundit kur jemi parë në mëngjes rastësisht në lokal ishte ai që më kërcënoi pa i thënë unë asnjë fjalë. U ndjeva i poshtëruar para të njohurve dhe fillova ta urrej deri në atë masë sa vendosa që t’i jap fund kësaj historie torturuese. Dola jashtë dhe një mijë mendime më vinin në kokë. Ika nga lokali dhe mora armën, u ktheva shpejt dhe e qëllova. Fillimisht u ndjeva i lehtësuar, por u pendova shpejt, nuk korrigjohej më ajo që bëra. Ishte e tmerrshme. U kërkoj ndjesë familjarëve të tij”, - mësohet të jetë shprehur autori i vrasjes.

Sa i takon ngjarjes së sotme, autori/ët e krimit janë larguar pa lënë gjurmë, ndëra policia ka rrethuar zonën dhe vijon kontrollet për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë