Dosje

Dyshohet për larje hesapesh, Fridman Xhaferraj u vra në Korçë. Më pas trupi u gjet në rezervuar

Dyshohet se vrasja e 25-vjeçarit Fridman Xhaferraj, i cili u gjet i pajetë në rezervuarin e Gjançit, të ketë ndodhur në Korçë. Burime nga prokuroria bëjnë më dije se i riu nga Lushnja është ekzekutuar për shkak të prishjes së pazareve të drogës.

Sipas grupit hetimor, Xhaferraj është larguar nga banesa me datën 22 maj, një ditë pasi ai është liruar nga burgu dhe i është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie”. Kjo për shkak se ai akuzohej për djegien e 3 makinave në një qendër tregtare në Lushnjë.

Me datën 23 maj, policia ka shkuar në shtëpinë e 25-vjeçarit në fshatin Plug të Lushnjës për të kontrolluar zbatimin e masës së sigurisë dhe nëse ndodhej në shtëpi, por aty ka zbuluar se ai kishte thyer masën e sigurisë. I vëllai i viktimës, ka deklaruar për policinë se 25-vjeçari është nisur për të punuar në Greqi me disa persona të tjerë.

Dyshohet se autor është Lulëzim Spahija dhe një 26-vjeçar me iniciale K.B., të dy nga Lushnja dhe që tashmë janë shpallur në kërkim.

Viktima kishte qëndruar tre ditë në një hotel së bashku me dy autorët e dyshuar për vrasjen e tij.

Ata ishin strehuar në një prej hoteleve në periferi të qytetit të Korçës, në datat 25-26 dhe 27 maj. Policia mbërriti në hotel, pasi në xhepin e pantallonave të viktimës u gjetën disa kartëvizita.

Pas verifikimeve, mjekësia ligjore zbuloi se para se të vritej dhe të hidhej në rezervuarin e Gjançit në Korçë,  Fridman Xhaferraj është masakruar me sende të forta në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit, duke u shkaktuar edhe vdekjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë