Mjedis

Gëzofët e kafshëve janë trendi i ri i modës, por a është kjo etike?

Tregtia e veshjeve prej lëkurës së kafshëve ka lulëzuar që prej modës së shpikur në Kanada, por avokatët e organizatave të mbrojtjes së kafshëve, po bëjnë thirrje për të bojkotuar këto biznese. Kjo lloj tregtie po lulëzon gjithashtu edhe në SHBA.
Një ndër kompanitë e para që shënoi rëndësinë e gëzofëve ishte “Goose Canada” në Kanada, të cilët prej vitit 2013 stilojnë gëzofët e kafshëve. Palltot e mëdha prej gëzofi të kafshëve, kryesisht të ujqërve, janë bërë kohët e fundit një nga trendet më të mëdha botërore, edhe pse për këtë fenomen ka pasur diskutime të shumta. Përgjithësisht gëzofët e kafshëve kushtojnë minimalisht 1200 dollarë.

Sipas Dave Linkhart, drejtor i Shoqatës Kombëtare të Gjuetarëve, tha se në një periudhë shumë të shkurtër këto pallto janë bërë shumë të preferuara për njerëzit anembanë botës.
Një prej gjuetarëve, Colton Morris tha se njerëzit nuk e kuptojnë se ujqërit janë kafshë si delet dhe pulat dhe gjuetarët bëjnë mirë që i përdorin si burim të rinovueshëm. Çdo ditë Morris ngre kurthe në pyll, në mënyrë që të kapë sa më shumë ujqër ose kojota.
“Ata që kapim zakonisht vuajnë nga probleme shëndetësore dhe ne e bëjmë këtë që ata të mos vuajnë më shumë,” shprehet ai.
Morris punon si infermier në spitalin qendror të Ohajos dhe gjuetia e ujqërve për t’u marrë gëzofin është një argëtim për të, por që edhe e ndihmon të fitojë para. Përgjithësisht në ankande Morris fiton 1000 dollarë për 60 gëzofë.

“Unë e kam mësuar profesionin e gjuetisë që kur kam qenë 12 vjeç. E dua sfidën dhe përpiqem t’i trajtoj kafshët me respekt,” shprehet ai.
Por shoqata e mbrojtjes së kafshëve të egër në SHBA ka bërë thirrje se gjuetarët si Morris janë të punësuar nga kompania kanadeze për të vrarë kafshët, pa i specifikuar gjendjen e tyre shëndetësore. Përpara disa kohëve gëzofi i ujqërve nuk ishte i vlefshëm për t’u shitur, deri në momentin që kompania "Goose Canada" krijoi këtë trend.
Gëzofi i një ujku në SHBA në ankand shitet për 40 dollarë, por popullariteti i gjuetarëve ka ndryshuar çmimet. Pavarësisht, këtij fakti në SHBA-në perëndimore, çmimet rriten çdo vit me 25 për qind.
“Gëzofi i ujqërve dhe i kojotave është i ngrohtë,” thotë John Hughers, një klient i rregullt i kompanisë kanadeze.
Ndryshe nga tregtarët, shoqata e mbrojtësve të kafshëve të egra e quan këtë veprim të paligjshëm.
“Kjo është diçka e padrejtë dhe mizore,” tha Brooks Fray, një prej anëtarëve.
“Nëse gëzofët janë një trend i ri dhe nëse kompania “Goose Canada” do të tregonte saktësisht se prej çfarë përbëhen realisht produktet e tyre, duke treguar stampën e një ujku ose kojote në veshje. Atëherë do të shihnim sa shitje do të kishte,” shton ai.
Organizatat e mbrojtjeve të kafshëve kudo në botë, vazhdimisht kanë kërkuar bojkotimin e kompanive të tilla, që ata i quajnë vrasës të kafshëve, por të gjitha deklaratat kanë rënë në vesh të shurdhët.
Kompania "Goose Canada" ka raportuar se të ardhurat gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar, fitimet janë rritur me 50 për qind. Shefi ekzekutiv i kompanisë, Dani Reis tha në një deklaratë se kompania kishte arritur rezultate mbresëlënëse, ndërkohë që gjuetia e kafshëve të egra nuk ndalohet nga askush. /The Guardian/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë