Muzike

Gesu Zefi, pianistja që u shndërrua në soprano

Suadela Balliu - Në Tiranë, pas njëmbëdhjetë vitesh e ktheu një ftesë e kompozitorit Aleksandër Peçi. Në Simfoninë nr. 5 “Skënderbeu”, të shkruar për orkestër dhe soprano dramatike, Gesu Zefi do të kthehej aty, në Universitetin e Arteve, ku nisi edhe rrugëtimi i gjatë muzikor, me shtigje ndoshta të parrahura prej këngëtareve klasike e lirike. “U largova nga Shqipëria si studente dhe u ktheva si profesioniste”, thotë sopranoja, pak ditë pas premierës së simfonisë, në kuadër të vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeu që solli me të gjithë fuqinë e instrumenteve dhe vokalit të gjitha etapat e jetës së heroit kombëtar, prej lindjes, luftërave, martesës dhe vdekjes. “Hera e fundit që kam performuar një vepër në Shqipëri, ka qenë gjatë studimeve në Akademinë e Arteve. Ky kthim në origjinë, ishte shumë i rëndësishëm dhe veçanërisht emocionues”, rrëfen Zefi. Nuk e fsheh edhe frikën që e shoqëroi, ndërsa ndiqej nga një publik i zgjedhur, përbërë nga njohës të muzikës, muzikantë edhe ata, pedagogët e dikurshëm që i latuan talentin, sipas disiplinës së rreptë, gjithnjë në kërkim të asgjëje më pak se përsosjes. “Si do të ishin sjellë kolegët e mi? Po fjalët që duhet të përdorja? Si ta realizoja më së miri këtë vepër, në mënyrë që kolegët muzikantë që ndanë skenën me mua, të përjetonin bashkëperformimin më thjeshtë?” Ishin këto pyetje që silleshin në mendjen e sopranos, me një emocion që ndoshta ia yshtte vendi, duke e bërë të ndihej edhe njëherë studentja e para shumë viteve.

Gesu Zefi në performancën e Simfonisë nr. 5 "Skënderbeu" për orkestër dhe soprano dramatike, nga Aleksandër Peçi 


Sopranoja dramatike, nga ato vokale të rrallë për fuqinë, emotivitetin dhe pasurinë, e nisi rrugëtimin në muzikë me piano. “Që kur isha 5 vjeç kam kaluar orë të tëra studimi ditë për ditë mbi piano derisa, në moshën 18-vjeçare prezantova kandidaturën time në “Mozarteum” në Salzburg për këtë instrument”, kujton Zefi, pa harruar të shtojë se të kënduarit ka nisur thuajse në të njëjtën kohë me pasionin për instrumentin. “Ndërkohë që fëmijë isha gjithnjë e pranishme në kor, si këngëtare. Pa njohur realisht cilësinë e zërit tim. Isha e bindur që zëri im ishte i shëmtuar dhe e vuaja brenda meje këtë. Ishte një zë ndryshe nga të tjerët dhe më tërhiqnin vëmendjen për këtë detaj”, thotë Zefi.

Gesu Zefi, gjatë kohës kur studionte piano. 

Një ditë mësimi me profesoreshën e saj të pianos, në Akademi, Nora Çashku, do të rezultonte edhe pikën e kthesës së madhe. “Po caktonim programin për një recital timin si pianiste dhe atë ditë mora guximin t’i shpreh profesoreshë Norës se unë këndoja”. Po atë ditë, Çashku do ta prezantonte me profesoreshën e kantos, Shqipe Zani. “Nga ajo ditë e ardhmja ime filloi të degëzohej”. Aty do të niste ajo që sopranoja e quan, metamorfoza e saj. Rosaku – ashtu siç e mendonte ajo zërin e saj si të shëmtuar - do të shndërrohej në një mjellmë, me cilësi dhe forcë vokali të një sopranoje wagneriane, siç cilësohen sopranot si ajo, të afta ta bëjnë të dallueshëm zërin edhe mbi orkestra me mbi tetëdhjetë apo njëqind instrumente.


Pas këtij zbulimi mendoi t’i mbante të dyja; pianon dhe kanton. “Por, e vërtetuar mbi shpirtin e një artisti, të dy disiplinat sa ndihmohen, aq edhe largohen”, pohon Zefi. “Mekanizmat e të dy instrumenteve janë ndryshe”, shton ajo, duke iu referuar edhe zërit, si njëinstrument. “Perceptimi teknik i pianos është ndryshe nga ai i të krijuarit tinguj me zërin. Personazhi i këngëtarit është i largët me atë të pianistit”.Kjo marrëdhënie mes pianos dhe kantos, ishte përcaktues në karrierën që do të vinte më pas. “Nuk do të isha këngëtarja që jam sot po të mos kisha pasur mbi shpinë studimet e pianos”. E vetëdijshme për cilësitë e rralla të zërit të saj, pohon se “nuk jemi shumë soprano dramatike”. Të rralla, jo vetëm në skenën lokale, por edhe në botë janë sopranot për të cilat kompozitorët kanë shkruar rolet e heroinave mitologjike si Ariadna e Shtrausit, Kasandra e Trojanëve të Berliozit, Krisotemisa tek Elektra apo Helena, të dyja vepra të Shtrausit apo Isolde e Wagnerit. Kalimi nga pianoja drejt kantos nuk qe i lehtë, kujton sopranoja. “Qe një kohë shumë e vështirë dhe e vuajtur nga unë”, rrëfen ajo. Vuajtje që i dha frytet e veta, duke e pajisur Zefin soprano me një njohuri më të gjerë muzikore, nga vitet e studimit të pianos, por edhe ta vendosë më lehtë veten në vendin e instrumentistëve dhe ta ndiejë orkestrën si të ishte pjesë e saj. “I gjithë muzikaliteti që më ka dhënë pianoja, ka qenë shumë i rëndësishëm për të mësuar të performoj bashkë me instrumente të tjerë, por raporti me vetëm një tjetër instrument është ndryshe nga ai me tre, katër apo me më shumë muzikantë ekzekutorë”.


Pas diplomimit në disiplinën e kantos në Shqipëri, do të udhëtonte drejt Italisë, me ambicien për ta ndërtuar karrierën në vendin që mbahet edhe si atdheu i operas. Fillimisht studion në “Santa Cecilia” në Romë dhe më 2009-ën, udhëton drejt veriut, në Milano, ku ndjek studimet në konservatorin “Giuseppe Verdi”, ku i përfundon studimet më 2012-ën. Pasi kryen studimet, e vijon karrierën nën udhëheqjen e baritonit Federico Longhi, i cili edhe ai e pat nisur karrierën e tij muzikore si instrumentist, me flautin. Ndjek një sërë masterklasash për të përsosur cilësitë vokale, duke e pasuruar edhe më shumë sfondin e saj. Një udhëtim i pafund, kështu e përshkruan ajo përvojën italiane, duke shtuar se ishte jo pak komplekse. “Isha një studente model në Shqipëri dhe kur u transferova në Itali, çdo gjë duhej rikonfirmuar”. Një fillim i ri, një nisje nga e para, ashtu si atë ditë, kur guxoi t’i rrëfente pedagoges së saj, Nora Çashku se ajo këndonte. “Të gjithë njihnin cilësitë e mia, por askujt nuk i interesonte. Pak më kanë dhënë besim dhe është dashur me të vërtetë shumë kohë për t’u konfirmuar. Por personat që më kanë dhënë një dorë, i kujtoj një nga një dhe shpresoj të mund t’ua kthej një ditë – nëse ende nuk e kam bërë – atë besim.”


Formimi nuk do të ishte i plotë nëse do t’i mungonte shpirti i garës dhe Gesu Zefi gjatë jetës së saj profesionale, pjesëmarrjet në konkurse i ka jo të pakta. Më 2007-ën, do të fitonte çmim special në konkursin ndërkombëtar të kantos “Këngët e Tokës”, ndërsa pesë vjet më vonë, do të fitonte konkursin ndërkombëtar “Marco Agrati”, me një diplomë nderi. Në po të njëjtin vit përzgjidhet studentja më e mirë e kantos në Festivalin e Muzikës në Livorno. Më 2014-ën, fiton çmim të dytë në konkursin ndërkombëtar “ Una voce per Giuditta Pasta”, një vit më pas shpallet finaliste e konkursit ndërkombëtar lirik “A. Bazzini”. Po atë vit, fiton çmim të tretë dhe shpallet interpretimi më i mirë në konkursin lirik ndërkombëtar “Casta Diva”, në Verona. Merr një bursë studimi më 2016-ën, pasi kryen masterklasë, e drejtuar nga F. Cedolins, pranë Studios Operistike të Verizmit.

Nuk do ta ndalë garën dhe më 2016-ën, shpallet finaliste e konkursit lirik ndërkombëtar “F. Federici”, ku edhe vlerësohet me një çmim të veçantë që do e lejojë të debutojë në Teatrin “Goldoni” të Livornos. “Jeta është një konkurs” , thotë Zefi. “I shëndetshëm sigurisht, por me fitore e humbje. E shyqyr që është kështu!”.Skena e teatrit “Goldoni” u bë vendi ku Gesu Zefi do të debutonte në operan “Il Tabarro”, të Giaçomo Puçini-t, me rolin e Giorgetta-s, me rastin e hapjes së sezonit lirik. Nëse do t’i rendiste rolet, për nga thellësia që e kanë prekur, sopranoja pa hezitim zgjedh atë të Giorgetta-s. “Është roli që absolutisht më ka mbushur shpirtin më shumë. Para së gjithash për mënyrën sesi m’u dha”, thotë ndërsa kujton hollësitë e atij konkursi, ku president i jurisë ishte Alberto Paloscia, muzikolog, regjisor dhe drejtor i Teatrit “Goldoni”, të Livornos.


“Juria nuk më kishte dhënë çmim. Ishte një garë, ndodh. Sidoqoftë, maestro Paloscia pas dhënies së çmimeve, në formë publike më ftoi duke më ofruar rolin, që u vu më pas në skenë në Teatrin “Goldoni” të Livornos, për hapjen e stinës koncertore. Mora pjesë në një konkurs dhe u ktheva plot shpresë”, kujton Zefi. Roli i Giorgetta-s është nga ata role intensiv, sqaron më tej ajo. “Duke qenë ai debutimi im, mund ta merrni me mend sa e rëndësishme ishte për mua kjo grua. Pata edhe fatin të kem kolegë të përsosur.” Pas këtij roli, repertori i Gesu Zefit zhvendoset drejt periudhës romantike. “Më kanë përcaktuar si vokal wagnerian, por edhe verdhan”, thotë duke përmendur disa nga rolet që e bëjnë të ndihet “ si në shtëpi’, ku spikatin Lady Macbeth, Amelia nga “Një ballo me maska” , vepra të kompozitorit italian Giuseppe Verdi, Margherita, Leonora, Manon i Jules Massenet, Elisabeth nga “Tannhauser” i Wagnerit , Elisabetta De Valois, Gioconda e Ponchielli-t, Suor Angelica e Puçini-t.

https://www.youtube.com/watch?v=3TBzI3P_Tn4

Repertori i Gesu Zefit ka një shtrirje të gjerë, nga periudha klasike e deri tek ajo kontemporane, duke kënduar në shtatë gjuhë. “Është e vërtetë që puna ime më çon të interpretoj role në gjuhë të huaja. Sigurisht gjermanishtja është një gjuhë e rëndësishme në repertorin tim operistik, pas italishtes, por nëse mendojmë muzikën e dhomës hapet një botë me ngjyra linguistike.Spanjishtja po ashtu, si përshembull DeFalla, Montsalvatge apo tekste latine në muzikën sakrale, ose arie dhome angleze”, thotë Zefi. Nisur nga karakteri i saj vokal energjik dhe i ngrohtë, e gjen identitetin e saj në muzikën e fund viteve ‘800, fillimviteve ‘900. Zefi thotë se tiparet vokalistike të një sopranoje dramatike, çojnë në një repertor më të përzgjedhur.

Duke pasur tesiturë më të ulët se sopranot e tjera, por një zë më të plotë dhe një timbër më të errët, heroinat e përvuajtura e me fund tragjik, janë ato që veshin zërin e saj, kryesisht. “Soprano dramatike është një specializim që, bazohet në cilësitë anatomike vokale dhe ndoshta-ndoshta redukton mundësinë e larmisë së repertorit. Sidoqoftë, të kesh një vokal dramatik do të thotë të mbash një regjistër dhe cilësi që, të lejojnë të performosh ato vepra që janë ndërtuar për këtë tip vokali. Një shembull i freskët është “Skënderbeu”, e kompozuar nga Aleksandër Peçi. “Kjo vepër, e cila e mbajti publikun të mbërthyer për një orë e njëzet minuta, e kompozitorit Peçi, e përzgjedhur si fituese në konkursin e realizuar nga Radio Televizioni Shqiptar për Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut, hyn tashmë mes veprave të rëndësishme të muzikës klasike shqiptare. E kompozuar në dhjetë kohë, me një makroformë, të një kështjelle, e cila ndërtohet mbi një gur motivi. Panorama dhe atmosfera zanore vjen e plotë, po ashtu edhe zbërthimi i figurës së Gjergj Kastriotit. Në kohën e parë “Prantagoria”, kompozitori është shprehur se me ndërtimin e një nocioni të ri linguistiko-formal, sjell dhimbjen me të gjithë peshën e saj, për humbjen e një personaliteti të madh, duke zgjuar vajet me “oi” të jugut dhe gjithë piskamat e gjëmës së Veriut.

Më pas vijnë kohë të tjera si “Kalërimi”, “Liria”, “Liturgjikal”, “Martesa”, “Besëlidhja” dhe “Himn Monumental”. Si strateg dhe vizionar shfaqet në kohën e shtatë, si komandant e prijës që kalëronte ndër beteja, por edhe kalorës i krishtërimit, shfaqet në kohën e dytë. Koha e katërt është liturgjia, si dasmor tek “Martesa” dhe në kohën e pestë si patriot që e thërret zëri i atdheut, nën robërinë osmane, koha e tetë sjell sërish dhimbjen dhe vajtimin në “Largo mortore” dhe së fundi himni monumental i kalërimit nga shekujt. Kohën e tetë largo mortore, për soprano dramatike dhe orkestër Peçi e ka kompozuar, duke u mbështetur në prozën poetike “Historia e Skënderbeut” nga Marin Barleti. Për kohën e dhjetë, “Himn Monumental” - soprano dramatike dhe orkestër - është mbështetur mbi vargjet e poetëve të shek të 15-të si Aerno Gabriele, Amadis Jamin e deri tek “Çajld Harold” i Lordit Bajron.

https://www.facebook.com/etrita.ibrahimi/videos/pcb.10210418826666117/10210418775064827/?type=3&theater


“Nuk janë të reja për mua partiturat kontemporane”, shton sopranoja, ndërsa kujton se gjatë provimit shtetëror të diplomës në konservatorin shtetëror “Giuseppe Verdi”, në Milano,performoi një vepër komplekse, me titullin “Memoriam VII”, për zë dhe orkestër, e kompozitorit Roberto Brambilla. U transmetua disa herë nga Rai, në Itali, por edhe Austri, Gjermani dhe në radion “Kusc”, në Amerikë, si edhe në Havai e Kanada. “Shkoi aq mirë sa më hapi një dritare në panoramën e muzikës së sotme, edhe pse vokali im shtyn drejt muzikës së një shekulli më parë e më herët. Kështu kur m’u ofrua kjo mundësi, edhe pse e dija mirë që nuk do të ishte e thjeshtë, e pranova pa hezitim. Partitura e simfonisë numër 5 të Aleksandër Peçit nuk është aspak e thjeshtë. Shkrimi është i vështirë dhe këngëtari duhet të ketë një përgatitje mëse të mirë për të arritur një rezultat bindës dhe autonom.

“Perceptimi teknik i pianos është ndryshe nga ai i të krijuarit tinguj me zërin. Personazhi i këngëtarit është i largët me atë të pianistit”

Por duhet të them se dialogu i vazhdueshëm mes meje, profesor Peçit dhe dirigjentit Eno Koço, më ndihmuan të gjej rrugën më të duhur interpretative.”Përtej mjediseve të zgjedhura e elitare të muzikës klasike, Gesu Zefi ka pasur mundësi të shfaqet edhe në skena të tjera, ku ndër më të rëndësishmit kanë qenë recitali në bashkëpunim me Shoqatën Arena të Veronës dhe Teatrin Filarmonik të Veronës, së bashku me maestro Fabio Fapanni, e transmetuar në Rai në “Cantate aux etoiles”, në Aosta, si edhe performanca në premierën botërore e restaurimit të filmi Oci Ciornie” të edicionit të 73-të të Festivalit të Venecias, më 2016-ën.

Gesu Zefi në rolin e Lady Macbeth 


“Siç të gjitha eksperiencat të mbushin me vetëdije të re dhe të bëjnë të ndihesh më e sigurt. Janë eksperienca të rëndësishme, që të bëjnë të rritesh në moment.”Rrëfen se pati mundësi ta përsëritë edhe këtë vit përvojën e Bienales së Venecias, ku në parapremierën botërore të restaurimit të një tjetër filmi, “Golem” me muzikim të drejtëpërdrejtë ishin të tjerë shqiptarë, kompozitori Admir Shkurtaj dhe sopranoja Hersi Matmuja. “Pata fatin ta përsëris edhe këtë vit të njëjtën eksperiencë dhe patëm, mund të them, një rol të veçantë që na dha mundësinë të përshkojmë tapetin e kuq në hapje duke e ndarë me Natalie Portman dhe të njohim personazhe shumë interesantë, përtej oqeanit.”

Por fokusi i sopranos është i fortë tek puna. Aktualisht është e angazhuar me koncerte, për festat e fundvitit, në Veri të Italisë, thotë ajo. “Kam koncerte në Pavia, Milano, Varese, Brescia, Cortina. Për vitin e ardhshëm jam gjithmonë në Itali, e ftuar në festivale të ndryshme dhe një udhëtim në Emiratet Arabe, për një event të rëndësishëm.”Është aktive edhe në koncerte bamirësie. “Mendoj që është një detyrë dhe më pëlqen të mendoj se vokali im gëzon spektatorët dhe kontribuon me gjëra më të mëdha se unë, shumë më të rëndësishme dhe për mua nuk është problem të jem pjesë e këtyre iniciativave. Do të jetë gjithmonë një nder”, thotë ajo.


Në Itali, Gesu Zefi është e angazhuar edhe në mësimdhënie. Më 2010-ën, jep mësim në “Learning Week”, organizuar në rajonin lombard, pranë liceve shtetërorë. Nga 2012, jep mësim kanto lirike dhe moderne në Shkollën e Muzikës “Harmony” të Lenjanos, si edhe nis  bashkëpunimin si soprano soliste dhe mësuese e teknikës vokale me korin “Miqtë e Muzikës” të Busto Arsizio. Një vit më pas, është docente e një masterklase në kanto lirike, pranë kolegjeve turke “H. R. Pasha”.

“Unë lind si pianiste dhe realizohem si këngëtare”

Më 2015-ën merr katedrën e kantos lirike dhe moderne pranë Shoqatës Kulturore “Ricercare” të Cislago dhe shkollës së muzikës së Villaguardias dhe pranë shkollës së muzikës “Niccolò Paganini” , të Lenjanos. Nga 2016, është docente në kanto lirike pranë liceut shtetëror “Paolo Candiani e Pina Bausch” të Busto Arsizios. Po studentët e saj, a i inkurajon të guxojnë më shumë, ashtu siç bëri edhe ajo vite më parë? “E gjithë jeta artistike duhet të bazohet në eksperimentimin. Nuk do të pranoja një metodë ndryshe pedagogjike. Duhet të jemi të bindur që nuk mund të performojmë, ekzekutojmë siç u bënte një shekull me parë. Është e rëndësishme të marrin nga e kaluara rrënjët për të mund të zhvilluar një formë të re ekspresioni”, thotë ajo.

Përtej tiparit dallues të një sopranoje, që e nisi formimin muzikor si pianiste, edhe emri bëhet shpejt objekt interesi apo edhe imagjinate, veçanërisht për publikun italian, që emrin e saj do ta lexonin si emri i shpëtimtarit biblik. E pyes se ç’kuptim ka emri i saj dhe për çudi, përgjigja të çon në vise më të largëta se shteti fqinj. “Gesu është një emër me origjinë indiane që do të thotë “flokë të bukur”, thotë, duke shtuar se emri i saj shqiptohet, ashtu siç edhe shkruhet në gjuhën shqipe. E pranon se italianët nuk e kanë fort të lehtë t’ia shqiptojnë emrin siç duhet. “Shpesh më thërrasin Jezu. Nga këtu lind edhe një konfuzion mbi emrin tim, ndoshta nga pritshmëritë katolike. Por nuk ka lidhje me Jezusin. Nuk më duket e arsyeshme ta përdorim figurën e tij pa nevojë. Edhe Kisha e mëson këtë.”


Zbulon se përpara performancës në sallën e Univeristetit të Arteve me Simfoninë nr.5, të Aleksandër Peçit, ishte në një recital së bashku me pianisten Etrita Ibrahimi, me muzikë dhome dhe arie opere, gjatë stinës koncertore Pianodrom. Me pianisten u takua sërish gjatë premierës së simfonisë. “S’ta merr mendja sa herë kam imagjinuar që një ditë do të kthehesha në Shqipëri”, thotë sopranoja. “Edhe kompozitori Aleksandër Peçi ka mbetur mjaft i rrëmbyer nga performimi im dhe kam pasur mundësi të flas me disa kontakte me rëndësi për karrierën time. Agjenda ime do të jetë gjithmonë e lirë për vendin tim. Shpresoj të rikthehem shpejt”. Me kalimin, siç e quan ajo të vështirë dhe të vuajtur, nga pianoja tek kantoja, a e ka gjetur Gesu Zefi veten më në fund? “Unë lind si pianiste dhe realizohem si këngëtare”, thotë ajo. Si pianiste, nëse rruga e saj nuk do të ndiqte shtegun tjetër, thotë se do të kishte qenë e mirë. Por emocionet që i sjell shpalosja e zërit si instrument, janë më të shumta. “Kantoja më dha mundësi ekspresive që ndoshta pianoja nuk do të ma kishte dhënë”, përfundon sopranoja, duke e pohuar se dashuria për kanton u lind dhe u rrit, me të.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë