Gazeta Si – Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu ka qëndruar thuajse 4 orë këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme, ku u zhvillua seanca gjyqësore e radhës për çështjen “Gërdeci”.
Ashtu si në seancën e kaluar, edhe këtë herë u vijua marrja në pyetje e dëshmitarëve për ngjarjen e rëndë me 26 viktima në mars 2008.
LEXO EDHE:
Ish-drejtori i ‘Meico’-s akuzon FA për Gërdecin: Nuk zbatuan kontratën, urdhri kishte devijim VKM-je
Pas daljes nga SPAK, ai theksoi se ka zbatuar ligjin, ndërsa prokurorët morën në pyetje dy grupe dëshmitarësh: ata që kanë qenë pjesë e komisioneve për çmimin dhe kategorizimin e municioneve në atë kohë.
Më tej, Mediu u shpreh se procesi hetimor po e tregon qartësisht se ai nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore si ministër.



“Kanë qenë dëshmitarë që ishin pjesë e komisionit të çmimit të municioneve dhe dëshmitarë që kanë qenë pjesë e kategorizimit të municioneve. Komisioni i Çmimeve ka qenë civil dhe ushtarak, kategorizimi ka qenë terësisht ushtarak në nivelet më të larta të njohjes së armatim municionit. Si dhe ata që kanë përgatitur VKM-në edhe urdhrat. Doli e qartë që s’ka pasur asnjë indicie apo ngacmim nga ministri i Mbrojtjes në atë kohë që të shtynte as VKM-në, as urdhrat, as përmbajtjen e tyre apo të ndikonte në vendimmarrjen e këtyre njerëzve në komisione. Po ashtu doli e qartë edhe një herë një gjë që është shumë e rëndësishme, ndarja e civilëve nga ushtarakët. Procesi i demontimit nuk është përgjegjësi e ministrit. Po ashtu doli e qartë se qarkullimi i mallrave brenda Ministrisë së Mbrojtjes, sipas Këshillit të Ministrave bëhet pa pagesë. Pra, është një proces që tregon qartësisht se ministri i Mbrojtjes nuk ka bërë asgjë tjetër përveçse ka zbatuar ligjin, detyrën dhe detyrimet ndërkombëtare”.
Edhe në seancën e kaluar, Fatmir Mediu u shpreh se doli qartë se vendin e demontimit të municioneve nuk e ka përcaktuar ministri, por ka ardhur i përcaktuar nga kompania. Ai është shprehur se nuk e ka shkelur asnjëherë autoritetin e Forcave të Armatosura.
Në seancën e zhvilluar më 10 janar 2024, ndaj ish-ministrit Mediu dëshmoi Ylli Pinari, ish-drejtor i ndërmarrjes shtetërore në Ministrinë e Mbrojtjes, MEICO. Pinari tha se Petrick Henry e ka njohur përmes rrugëve elektronike në vitin 2005-2006.
SPAK ka thirrur 71 dëshmitarë në gjyqin për shpërthimin e fabrikës së demontimit në Gërdec. Deri tani janë pyetur 40 prej tyre, zyrtarë dhe familjarë të viktimave apo personat të prekur nga tragjedia e 15 marsit 2008.
Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim me zinxhirin komandues ushtarak.
Ish-ministri u rikthye në Gjykatë nga denoncimi i një familjeje nga Gërdeci, fshati i tragjedisë së 15 marsit ku nga shpërthimi humbën jetë 26 persona e u plagosën rreth 300 të tjerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.