Drejtësia

Ish-drejtori i ‘Meico’-s akuzon FA për Gërdecin: Nuk zbatuan kontratën, urdhri kishte devijim VKM-je

Gazeta Si- Ish-drejtori i kompanisë "Meico", Ylli Pinari, gjatë dëshmisë së tij në procesin ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu për çështjen “Gërdeci”, ka deklaruar se përgjegjës për ngjarjen e rëndë janë Forcat e Armatosura dhe kompania kontraktore.

Sipas Pinarit, i shpallur fajtor në dosjen e parë "Gërdeci" për shpërdorim detyre, FA dhe kompania nuk zbatuan rregullat që i ishin përcaktuar në kontratë.

“Shpërthimi është përgjegjësi e Forcave të Armatosura. Ato nuk kanë kryer asnjë nga detyrat që u përcakton legjislacioni, vendimet e qeverisë dhe urdhrat e ministrit. Për mua është përgjegjësi e tyre të të operatorit që duhet të zbatonte rregullat që ne i kishim caktuar në kontratë”, deklaroi ai.

Më tej, ai shtoi se “MEICO” kishte për detyrë të merrte në dorëzim dhe të dorëzonte municionin.

“MEICO kishte detyrën të merrte në dorëzim dhe të dorëzonte municionin, kaq. Vetë statusi i MEICO-s është ndërmarrje që përfaqëson interesat e pronarit të mallit, që ishin Forcat e Armatosura, dorëzonte mallin dhe të gjitha arkëtimet e lekëve kalonin në buxhetin e shtetit”, deklaroi jashtë GJKKO-së, Ylli Pinari.

Pinari akuzon FA-të, duke shtuar se "ishte një menaxhim skandaloz i ushtrisë. Urdhri që doli nga Forcat e Armatosura kishte devijim VKM-je, na detyronte që transporti të paguhej nga MEICO, urdhër absurd i FA. Pavarësisht se transporti vijonte, në MEICO, nuk ka ardhur asnjë faturë. Unë mendova që kjo do e shkatërronte MEICO-n dhe nuk kemi bërë reagim te Ministria e Mbrojtjes, s’kemi pyetur fare se si është përcaktuar pika e demontimit në Gërdec".

Pinari zbuloi se "nuk e di nëse Ministria e Mbrojtjes, ishte apo jo në dijeni të “Alba Demil”. Kur është bërë kontrata me SAC, i kam kërkuar specialistëve të mi licencën. Ky aktivitet demontimi as në Amerikë nuk licensohej dhe deri në 2009 ky lloj aktiviteti nuk parashikohej në legjislacionin shqiptar”.

Ai rrëfeu si ishte vënë në kontakt me Patrik Henry, përfaqësuesin e SAC, kompania që ishte e përfshirë në demontimin e armëve.

Pinari tha se Patrik Henry kishte krijuar në Shqipëri kompaninë “Albademil”, ku bashkë-aksioner ishte Mihal Delijorgji.

“Fillimisht kemi pasur komunikime me email. Pas shkëmbimit të informacionit, Patriku propozoi krijimin e një linje demontimi, - tha Pinari. - MEICO nuk është përfshirë në procesin e përcaktimit të Gërdecit si vend demontimi”, shtoi ai.

Patric Henry ishte presidenti i "Southern Anmmunition Company", i cili lidhi kontratën me ministrinë e Mbrojtjes për çaktivizimin e municionit të kalibrit të rëndë, të predhave të artilerisë në Gërdec.

Ai ishte bashkëpronar me 25% të aksioneve në kompaninë "Alba Demil" me Delijorgjin dhe në Shqipëri përfaqësohej nga Rrahman Selmanllari.

Ndërsa Ylli Pinari, ish-drejtori i ndërmarrjes shtetërore "MEICO" u dënua me 5 vite burg për tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec ku humbën jetën 26 vetë, u plagosën mbi 300 të tjerë dhe u shkatërruan me mijëra biznese e banesa, por u lirua me kusht në vitin 2014.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë