Njerez

Gentian Doda: Vallëzo, përndryshe je i humbur!

Kërcimi nuk është pjesë e jetës, por krejt jeta, shprehet balerini dhe koreografi Gentian Doda, ndërsa pas tij duket shkolla e famshme e arteve performuese, Julliard. Një dokumentar bardhezi, i ëndërrt, në rrugët e Nju Jorkut, realizuar nga Dino Korca dhe Instituti Shqiptar në Nju Jork, sjell rrugëtimin e artistit, nga hapat e parë, në Tiranë e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku vjeshtën e shkuar realizoi një vepër koreografie me trupën e baletit të Julliard School, titulluar “This Silence”. “Nuk mund ta mendoj jetën pa u lidhur me artin çdo moment”, thotë koreografi, duke zbuluar se e nisi kërcimin në moshë fare të re, si të gjithë fëmijët në Shqipëri, siç thotë ai në fjalët e tij, se më parë mësojnë të kërcejnë sesa të ecin. Në moshën njëzetepesë vjeçare do të ndërmerrte edhe hapat e parë si koreograf, në Spanjë, kur punonte me Kompaninë Kombëtare të Baletit, në Madrid.“Koreografia u zhvillua për të shprehur atë që nuk mund ta shprehja duke kërcyer”, do t’i rrëfente artisti shqiptar, gazetares italiane Laura Venturi, kur kjo e fundit e pyeste për kalimin nga baleti i kërcyer në skenë, tek konceptimi i pjesës si një e tërë.

Koreografi dhe balerini shqiptar, Gentian Doda

Në Compañía Nacional de Danza, drejtoriNacho Duato, u jepte mundësinë balerinëve të bënin punëtori. Koreografitë e mia të para nuk doja as t’i firmosja, doja t’i lija anonime. Kur bëra punëtorinë e parë dhe perdja u ul, Nacho erdhi tek unë dhe më tha: “Shiko Gentian, mendoj se ti je koreograf””, do të kujtonte Doda, i cili e cilëson veten si koreograf nga nevoja dhe jo si stil jetese. “Së pari, vjen nevoja për t’u shprehur dhe teorikisht do të doja ta bëja edhe me një instalacion ose përmes gjuhës kinematografike, ndoshta. Por janë fusha që nuk më përkasin, kështu që përdor baletin.”Koreografia për të lind si diçka shumë personale. “Vendos në marrëdhënie atë që është përreth meje, sepse, siç thoshte Gombrich, nuk bëhet fjalë për të shpikur, por për të vendosur në marrëdhënie atë që është e pranishme”, citon ai historianin austriak, i njohur për veprën “Historia e Artit”. “Pastaj ndërfut shqetësimin personal. Nuk kam shumë ide, ndjek kryesisht një. Në të gjithë pjesët që kam krijuar njoh një motor të përbashkët, një prirje të lidhur me llojin e trazimit tim dhe të nevojës që ka për t’u shprehur.”

https://deartegroup.com/film/this-silence/?fbclid=IwAR1WsQQ2RwdYJ_MCK5ihElhyf-L84OCZeNSE7-pKmK0uD5X4if5LM2DwIJU
Dokumentari "This Silence" rreth balerinit dhe koreografit Gentian Doda, relaizuar nga Dino Korca, Albanian Institute New York


Secilin nga këto procese krijuese e jeton edhe si një konflikt. “Është një nevojë, që di edhe të jetë e ashpër dhe e mundimshme, si një proces psikanalize… sepse nëse e bën me ndershmëri, je i zhveshur.”Gentian Doda e nisi karrierën si balerin në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, në Tiranë. Më 1996-ën . KA performuar si balerin i parë, në produksionet klasike dhe neoklasike dhe më 2002-shin Maurice Béjart, e ftoi tw interpetonte rolin kryesor në “Firebird” (Zogu i Zjarrit), në baletin e Lozanës Mes bashkëpunimeve të tjera janë ato me Ohad Naharin, William Forsythe, Jiří Kylián, Orjan Anderson, Mats Ek dhe Wim Vandekeybus. Si balerin, ka punuar në Teatrin Shtetëror të Operas dhe Baletit në Azerbajxhan, në Teatrin e Arenës së Veronës, teatrin e Baletit të Parmës, kompaninë “Victor Ullate”, Compañía Nacional de Danza, në Madrid dhe Staatsballet, në Berlin. Punët e para si koreograf datojnë prej 2005-ës. Punoi në Spanjë si koreograf deri më 2010-ën, nën drejtimin e Nacho Duato, duke realizuar më shumë se gjashtë vepra. Më 2011-ën, fiton çmime të parë në konkurse të koreografisë në Kopenhagë dhe Hanover dhe çmimin “Scapino”, për produksionin. Nga ai vit realizon vepra për Institutin e Koreografisë së Nju Jorkut, Scapino Ballet, Compañía Nacional de Danza të Santo Domingos, Staatsballet të Nurembergut, Gärtnerplatztheater dhe Teatrin Massimo, të Palermos.
Gentian Doda gjithashtu është i përfshirë në projekte të pavarura, që e kanë ngjitur në skenat e të gjithë botës. Vjeshtën e shkuar krijoi pjesën “This silence” (Kjo heshtje), për Shkollën Julliard, në Nju Jork dhe së fundi “Was bleibt”, (Çfarë mbetet), e cila u ngjit në skenë në Operan Komische, të Berlinit.


“Nuk e ndaj kërcimin nga koreografia, kërcej ende, bëj koreografi,asistoj, bashkëpunoj me artistë të tjerë”, thotë Doda. Baleti është profesioni i tij. Nëse artistët e fushave të tjera e shprehin veten përmes pikturës, muzikës apo aktrimit, ajo flet përmes gjuhës së trupit.
Ka pranuar se rrënjët e përvojave personale luajnë rol kyç, në koreografitë e tij, siç ka lënë gjurmë edhe jeta në komunizëm. “ Kur isha në Nju Jork, për një projekt me Shkollën Julliard një spektator erdhi të më thoshte sesa i kishte perceptuar, në vepër, rrënjët e mia shqiptare, diktaturën dhe gjithçka tjetër. I thashë: “Duke parë këtë pjesë ç’ndjeve, shtypje? “Po”, më tha. E pyeta prapë: “ Dhe ti, si banor i Nju Jorkut, nuk ndihesh i shtypur?” Shqipëria pak kishte të bënte në atë pikë. Rrënjët e frymëzimit janë natyrshëm individuale dhe subjektive, por pastaj arrihet në një përmbajtje, në një ndjesi që janë universale”.Baleti, për Dodën, është i ngjashëm me poezinë. “Poezia është universale, nuk është kronikë ngjarjesh, por flet rreth ndjesisë që ngjarjet prodhojnë.”Gentian Doda thotë se me koreografitë e tij nuk krijon ide, por emocion. Nuk rreket të japë përgjigje, por të ngrejë pyetje. “Ndihem i kënaqur nëse publiku, duke dalë nga salla merr mbi vete një ndjesi. Në rastet më të mira një pyetje, një mëdyshje të re, një interogativë. Atëherë ndihem i kënaqur”, do të shprehej koreografi, ndërsa shtonte “Nuk pretendoj të jap përgjigje, nuk jam kush për t’i dhënë. Por të krijoj kushtet për zhvillimin e një pyetje të re, të një trazimi të ri, kjo është me shumë rëndësi”.Sjellja në koreografitë e tij, ka pohuar se është më shumë soditëse sesa vepruese.

“Objektivi im është ai i të ngadalësuarit, të gjetjes së një hapësire soditjeje që ndërpret pështjellimin dhe shamatën e jetës së përditshme”. Sipas Dodës, artisti bashkëkohor ka frikë të komprometohet, të jetë eksplicit. “Unë kërkoj të fitoj mbi këtë drojë dhe të ekspozohem: dëshiroj t’i jap një drejtim publikut tim, edhe duke e lënë të lirë të ndërmarrë shtegun, që dëshiron.” Rreth baletit “Was Bleibt”, ka rrëfyer se është a frymëzuar nga vepra e Francis Bacon-it. “Në pikturat e tij, individët janë të përfshirë në një kornizë të vogël, të brishtë, thuajse të padukshme, të vizatuar brenda tablosë dhe, përmes atij kufiri, atij konturi, ai përcakton fokusin e veprës pamore.”Mundësitë, thotë Doda, janë të pafundme, por nëse nuk i kufizon nuk arrin të thellosh asnjë. “Do të doja të arrija të thelloja një aq shumë sa të mos kthehesha më pas”.Janë kufijtë, pamundësitë , ato që e shtyjnë të krijojë. Në themel të pamundësisë, Doda sheh frikën. “Frika, e vdekjes, e vetmisë, ajo është motori i gjithçkaje. “Was Bleibt” flet dukshëm rreth dinamikave sociale, por në realitet tema thelbësore është vetmia dhe, nuk ka vetmi më të keqe sesa të jesh vetëm, i rrethuar nga njerëz.”Përballja me tema të tilla ekzistenciale, për koreografin është nevojë, domosdoshmëri.

Në të ardhmen, rrëfen, se do të donte të punonte me një grup balerinësh për një kohë të gjatë, në vijimësi, për të ndjekur një fill lidhës thellimi dhe për të parë se ku çon. “Të bëj me pak fjalë diçka të pavarur e të mund të zhvilloj një proces të gjatë kërkimor me një grup konstant. Në përgjithësi dua t’i mbetem besnik asaj ç’ka kam domosdoshmëri të shpesh dhe të kem mundësinë, kohën dhe hapësirën për ta bërë me profesionalizëm dhe thellim”, është shprehur artisti. Nuk e ndjen të japë këshilla, por në fund të dokumentarit bardhezi, të përgatitur nga Instituti Shqiptar në Nju Jork, citon fjalët e koreografes së njohur gjermane, Pina Bausch, të ndarë nga jeta më 2009-ën, “Vallëzo, vallëzo! Përndryshe, je i humbur.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë