Politike

Genc Pollo: Pse jam për një kongres të jashtëzakonshëm në PD dhe çfarë duhet të bëjë Berisha me lëvizjen e tij

Genc Pollo nuk u përfshi në listën e fundit të kandidatëve për deputet nga Lulzim Basha.

Aktualisht ai është anëtar i Këshillit Kombëtar dhe nga ky pozicion,  Genc Pollo argumenton tre arsye (përmes një postimi të gjatë në Facebook) se pse është i nevojshëm mbajtja e një Kongresi të Jashtëzakonshëm në PD, edhe pse një i tillë në fakt u mbajt pak kohë më parë.     

“...Votimi i anëtarësisë për kryetarin e kongresi partiak që u mbajtën fill pas 25 prillit praktikisht e penguan formulimin e një projekti të ri. Parulla "Përpara me këta që kemi" ishte ekuivalenti partiak i kokës së strucit të futur në rërë...

Pas tetë vjetësh në opozitë dhe në prag të një tjetër katërvjeçari opozitar PD aktuale në status quo nuk ka sesi të vazhdojë të bëjë këtë. Dmth të bindë njerëzit se është apo se me kalimin e kohës do të bëhet një alternativë reale ndaj pushtetit rilindist. Kjo situatë natyrshëm e bën pushtetin edhe më arrogant, më abuziv e më të dëmshëm për një Shqipëri demokratike e europiane. Prandaj status quo në PD duhet të jetë i papranueshëm për çdo demokrat me ndërgjegje politike”, shkruan ai ndër radhë.

Pollo ndalet edhe tek çështja “Berisha”, duke vënë përballë dy anë të medaljes.  

“Përderisa provat e dëshmitë e akuzës dhe të mbrojtjes nuk janë ballafaquar publikisht në sistemin juridik shqiptar ato mbeten spekulime. Kjo vlen në parim edhe për dy të përcaktuarit e tjerë në kampin rilindist. Edhe pse për ta mund të kemi informacione të shumta e opinion të ngulitur.

Por ka diçka tjetër që lipset të sqarohet. Ofiqarë amerikanë gjatë verës kanë trysnuar jo publikisht dhe publikisht (në rastin e fundit me metafora të papërshtatshme e madje vulgare) Partinë Demokratike që ajo të përjashtojë sa më shpejt e jo me vonë se shtatori Ish Kryetarin nga grupi parlamentar. Rezultatin e trysnimit e pamë tek vendimi personal i Kryetarit të partisë në 9 shtator.

Ndërkohë që diçka e tillë nuk ka ndodhur me dy rastet e kampit rilindist. Me rastin e kryebashkiakut dhe të deputetit...”, shkruan Pollo, pa i përmendur me emra dy rastet në PS por që lë të kuptohet se bëhet fjalë për Vangjush Dakon dhe Tom Doshin

“...Ofiqarët nuk e kanë shpjeguar ende pse u përdorën dy kute. Edhe pse pëgjegjësia e pushtetit është gjithmonë më e madhe sesa ajo e opozitës. Derisa kjo të ndodhë do të vijojnë hamendësimet e spekulimet se përcaktimet amerikane, koha e natyra e sidomos impakti në terren i tyre mund të mos jenë krejt burokratike, automatike e objektive. Dhe unë personalisht kam një arsye më pak për të rishikuar qendrimin tim mbi përcaktimin e 19 majit.

Por meqë po flitet për sovranitetin në partitë tona duhet të kujtojmë se kurrkush nuk mund t'i mohojë Amerikës sovranitetin e saj që t'i lejojë a ndalojë hyrjen në vend kujt të dojë. Po ashtu duhet të themi se përcaktimet amerikane, çfarëdo të mendojmë për to, duhen konsideruar realisht si elemente të botës reale dhe të marrëdhënies me një mik e aleat të madh e të pazëvendësueshëm të Republikës tonë. Prandaj ato për hir të interesave më të mëdha se ato personale lipset të zgjidhen në rrugë vetjake. Mend për herë tjetër!”, vëren ai, duke u ndalur më konkretisht tek mënyra se si Berisha po vepron me lëvizjen e fundit në PD.

“Ish Kryetari ka nisur një lëvizje brenda partisë e cila ka përkrahje të gjerë në anëtarësi. Motivet e përkrahjes në anëtarësi shtrihen nga pakënaqësia për humbjen zgjedhore, tek zemërimi për përjashtimin e mënyrën se si u krye ai dhe deri tek shpresa se partia do të mund të shndërrohet sërish në një alternativë reale pushteti. Potenciali i lëvizjes është pozitiv nëse orientohet nga e ardhmja. Prandaj shpresoj se rrugës do të filtrohen objektivat ngushtësisht personale në favor të atyre që i shërbejnë të partisë e vendit...”, shkruan Pollo.

Ish-deputeti demokrat e specifikon qartë se vendimi për Berishën nuk duhet të rishikohet.

“Po ashtu edhe rishikimi i parakohshëm i 9 shtatorit do të ishte kundraproduktiv. Duam apo nuk duam ai do të hapte opozitës fronte lufte të pa nevojshëm ndërkohë që asaj i del e i tepron fronti me regjimin”.

Në këndvështrimin e Pollos, “vlera e lëvizjes dhe merita e Ish Kryetarit do të jenë në ndërtimin e një projekti të ri besimi e shprese për të ardhmen”.

“Prandaj si anëtar i Këshillit mbështes e apeloj për thirrjen e Kongresit (Kuvendit) Kombëtar të Jashtëzakonshëm të Partisë Demokratike”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë