Janë disa javë që Superliga kryesohet nga Partizani, por “të kuqtë” e Skënder Gegës sërish do duhet të kalojnë edhe një sprovë tjetër që të konfirmohen si pretendent për të fituar titullin. Në startin e fazës së dytë të kampionatit, “demat” do të presin në “Selman Stërmasi” Skënderbeun. Në prag të kësaj ndeshje shumë të rëndësishme Partizani ka disa probleme të brendshme. Më i madhi dhe që ka hapur një debat brenda ekipit ka qenë “çështja Trashi”. Mbrojtësi anësor që në këto ndeshje të fazës së parë ka qenë kapiteni në mungesë të Alban Hoxhës është përjashtuar përkohësisht nga skuadra për shkak të shkeljeve disiplinore. Për këtë problem te Partizani që ka përfshirë edhe drejtorin e përgjithshëm, Olsi Rama, ka folur në konferencën për shtyp trajneri Skënder Gega.
“Mua më intereson klubi dhe ekipi. Nëse tolerojmë, kushdo qoftë, si Trashi, i cili ka shumë vlera dhe që ekipi ka nevojë për të, atëherë prishim ekuilibrat. Duhet të mbajmë të njëjtat standarde. Nga më i riu te lojtari më me eksperiencë. Mund të ndodhin edhe dëmtime, si me Alban Hoxhën, por kemi grup dhe kualitete për ta zëvendësuar. Të jem i sinqertë, dënimin e Trashit nuk e shohim si të rëndë dhe të ndikojë. Ndodh kudo në Europë. Për fat të mirë çdonjëri e kupton. Ka një kontratë me klubin, respekt për ekipin, trajnerin e kështu. Përgjegjësia është e lojtarit. Asnjëri nga ne nuk i ka kthyer kurrizin. Kemi detyrimet tona të gjithë dhe duhet të jemi të gatshëm. Trashi ka reflektuar dhe do të jetë me ne në rrugën e ndjekur.”- tha Gega.
Më pas Gega ka folur edhe për ndeshjen me ekipin korçar, që pritet të jetë shumë vendimtare për fatet e sezonit dhe për mbajtjen e kryesimit të kampionatit në vazhdim.
“Jemi të parët dhe arsyeja është sepse ka funksionuar grupi. Për asnjëherë, askujt nuk i është bërë diferencim. Të gjithë, nga më i riu te lojtari më eksperiencë, kanë dhënë më të mirën. Nuk e kisha parashikuar që do të ishim në vend të parë, por që do të punonim. Por, nuk është çudi që kryesojmë. Jemi Partizani, klub me më shumë histori së Skënderbeu dhe shumë skuadra të tjera. Është një ndeshje që e kemi vlerësuar maksimalisht dhe në fushë duhet ta tregojmë”.- ka thënë trajneri i Partizanit.
Në fjalën e tij tekniku i kuq është ndalur edhe gjendjen e përgjithshme të ekipit, e cila sipas tij është gati për të mbajtur ritmin e kryesuesit të Superligës.
“Asgjë nuk është fitorja ime. Punoj me staf dhe drejtues. Është rruga më e mirë. Klubi ka objektiva dhe kërkesa në bazë të investimit. Ne po investojmë jo për sot, po për të ardhmen. Me apo pa Skënder Gegën, Partizani do të shkojë vetëm për lart. Ka edhe 30 ndeshje deri në fund.”- ka mbyllur fjalën e tij tekniku i të kuqve, Skënder Gega.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.