Futboll

Gega: Nuk na tremb Tirana, derbi luhet dhe fitohet

Tifozët e Tiranës dhe Partizanit janë “të uritur” për derbin. Mungesa njëvjeçare ka bërë të vetën dhe të gjithë mezi po e presin sfidën e së premtes në “Selman Stërmasi”. Dy ditë para derbit të shumëpritur ka folur në konferencë shtypi trajneri i të kuqve, Skënder Gega, i cili ka prekur të gjitha temat që kanë të bëjnë me këtë ndeshje të veçantë: emocionet, gjendjen e ekipit, objektivin, tifozët dhe krahasimin me derbet e viteve si lojtar.

“Derbi ka specifikat e veta dhe është pozitive, nëse e kalojmë me sukses. Kjo shihet në dy aspekte: për pikët dhe besimin te lojtarët. Për ne është një moment i mirë, që ka ardhur gradualisht dhe javën që kaloi kemi bërë diçka të mirë. Po punojmë dhe është vetëm fillimi, prandaj nuk jemi aty ku duhet. Kam 25 vetë në ekip, kam aktivizuar edhe lojtarë të rinj dhe do të shoh. Është mirë kur fillon konkurrenca, sepse futbollistët janë në gjendje optimale. Kam një dilemë të vogël për të premten. Hebaj? Luajti 90 minuta në Kupë dhe nuk ka asnjë shqetësim. Të premten do të jetë i gatshëm. Shpresoj që me Tiranën të shkojnë gjërat siç dëshirojmë dhe ideja për vendet e para të përforcohet. Kemi një grup dhe që po sillet mirë brenda dhe jashtë fushe, kjo është baza për një trajner,” - tha Gega për gjendjen e ekipit.

Skënder Gega, trajneri i Partizanit

“Tifozët janë lojtari i 12-të dhe ishim me fat që me Flamurtarin na mbështetën dhe na nxitën drejt fitores. Mendoj se ua kthyem me të njëjtën monedhë. Jo vetëm në derbi duhet të bëjmë më të mirën, por në çdo ndeshje”, - ka shtuar trajneri i të kuqve, duke iu referuar tifozëve të Partizanit, të cilët i njeh mirë, pasi me këtë ekip është i lidhur që herët: “Kam ardhur që 18 vjeç, e kam nisur karrierën te ky klub. Kam gjetur ambientin e duhur dhe Partizani ka histori të madhe. Fitoret në derbi? Është një lloj ngarkese, pasi duhet të mbahet e njëjta gjë, por këtu jam për çdo ndeshje, jo vetëm për derbin. Duhet të përmbushim objektivat. Historia është histori dhe është mirë kur i kthehesh, por tashmë ka kaluar. Nëse fitojmë dhe bëjmë paraqitje të mirë lidhet nostalgjia me të sotmen. Derbi duhet të luhet dhe pastaj të fitohet.”

Më tej, trajneri Gega flet për krahasimet futbollist-trajner dhe atë mes derbeve të atëhershëm me të sotmit: “Janë emocione më të mëdha, pasi përgjegjësia është e madhe tani. Kur je futbollist, i shkarkon emocionet dhe je vetë përgjegjës. Kur je trajner, ke 25 lojtarë dhe duhet të përgatisësh detajet dhe varet a e merr apo jo përgjigjen që do. Presioni është, por duke parë në sy futbollistët ndahen e kaluara dhe emocionet. E presim ndeshjen me kënaqësi. Në kohën tonë nuk kishim drita, fishekzjarre, parulla, muzikë, sepse ishin të ndaluara. Nuk mund ta krahasohen koha atëherë me të sotmen. Për derbin diskutohej edhe një javë më pas, pasi në atë jetë të zymtë derbi u jepte shpresë njerëzve. Të gjithë kemi qenë bio atëherë, vinim nga akademitë e klubeve, ndërsa kemi edhe lojtarë nga jashtë vendit, që nuk kanë lidhje me historinë e klubit. Ata stërviten mirë, janë korrektë dhe japin maksimumin”.

Për kundërshtarin, trajneri i të kuqve u shpreh: “Nuk më tremb rritja e Tiranës. E pashë në ndeshjen me Skënderbeun, Tirana është një ekip me dëshirë që vrapon. E kam studiuar dhe këto ditë do të studiojmë detajet. E respektojmë aq sa duhet dhe duhet të jemi në vendin e duhur e kohën e duhur.” Trajneri i Partizanit e ka mbyllur me objektivin e skuadrës së tij në këtë ndeshje dhe gjithë sezonin: “Me gjithë respektin për tifozët, dua të them se është një punë që gatuhet sot dhe frytet nuk merren menjëherë. Nëse fitohet derbi, është shumë mirë dhe këtë duam. Edhe unë hyj te tifozët dhe dua të fitoj çdo ndeshje. Ndeshjen më të mirë e kam bërë kundër vëllait tim dhe kam dashur të fitoj, sepse kështu është futbolli. Objektivi është një projekt, që duhet realizuar dhe tifozët duhet të shohin diçka afatgjatë.”

 Hoxha dhe trajneri Gega

Bashkë me trajneri Gega, në konferencë shtypi ka dalë edhe kapiteni Hoxha, i cili është shprehur: “Shiritin nuk ma hoqën vitin e kaluar, por e lashë vetë, pasi kisha një keqkuptim me Moxhin. Sivjet është ndryshe, pasi me trajnerin dhe drejtorin flasim gjëra që atëherë nuk mundeshim. Tani kemi frymën e grupit dhe ky mendoj se është ndryshimi i duhur. Kemi vendosur të mos merremi më me askënd, pasi bëhesh i bezdisshëm duke thënë “arbitri-arbitri”. Në Laç na u mohua një penallti, por nuk folëm. Në derbi do të hyjmë për të dhënë maksimumin, me besimin për fitore. Këtu dihet që nëse fiton një derbi, je më i miri, kurse po humbe, nuk bën më. Dua t’i motivoj lojtarët, siç bën trajneri dhe më të vjetrit në klub. Shumica e kanë përjetuar derbin, të tjerët e kanë dëgjuar. Çdo ekip e studiojmë me trajnerin dhe ndihmësit. Po shohim ku janë pikat e forta dhe të dobëta të Tiranës dhe shpresojmë t’i gjejmë ato pika që ne duam. Derbi është ndeshja më e bukur e kampionatit shqiptar dhe të gjithë duan ta shijojnë. Më bëhet qejfi që është Tirana dhe luhet derbi. Dua të ketë konkurrencë dhe dëshiroj që si derbi të jenë edhe ndeshjet e tjera, pasi në stadiume vijnë shumë pak tifozë. Jemi të qetë dhe nuk kemi presion para derbit. Nuk e kam menduar ndonjëherë veten me fanellën e Tiranës. Jam i përqendruar te Partizani dhe do të jem për shumë vite. Dinamo dhe shumë klube i mungojnë futbollit shqiptar.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë