Politike

Gazment Bardhi, djali plangprishës që u kthye në ‘shtëpi’ 

Nga Gazeta 'Si' - Herën e fundit kur doli nga selia e PD, në janar të vitit 2022, Gazment Bardhi iu drejtua Prokurorisë kundër Sali Berishës për protestën e dhunshme të 8 janarit.

Ai ish përpjekur më kot që ditën (kur po luftohej brenda llojit)  selia të mbrohej nga policia e Shtetit. Telefonat dhe shkresat drejtuar Policisë (kundër të vetëve) rezultuan në vesh të shurdhër.

Jo produktive rezultoi sot edhe thirrja me urgjencë e kryesisë po nga ana e tij për të përjashtuar ata si vetja në PD (por të reshtuar me Berishën 'non grata').

Dy vite pas asaj ngjarje të trishtë për demokratët, me Flamur me Nokën në krah (dhe jo të përjashtuar), Bardhi i ngjiti sërish shkallët drejt asaj selie që sipas tij riskonte të bunkerizohej nga Berisha dhe të ngjashmit e tij.

Gazment Bardhi rikthehet në PD si ai djali plangprishës që kotësoi dy vjet aksion politik dhe në fund u kthye tek “ati” politik Sali Berisha duke u mirëpritur pikërisht nga ata që kish përjashtuar me zell dy vjet më parë.

Ai u ngjit të hënën pas mesdite në podiumin që identifikon aksionin e Rithemelimit dhe mbajti një deklaratë për mediat, pak para se të niste mbledhja e grupit parlamentar në selinë e PD.

Tha se ka më shumë arsye për bashkim, sesa për ndarje.

Asnjë fjalë për Sali Berishën, por komunikoi me të 'online' në mbledhjen e mëvonshme të grupit parlamentar.   

“Këto dy vitet e fundit, ne hymë në një rrugë që solli mosbesim, konflikt, përçarje mes demokratëve. Zgjatja e asaj situate vuri në pikëpyetje vetë ekzistencën e partisë. Kjo situatë mes nesh, e paprecedentë në llojin e vet, po ndodhte ndërsa Shqipëria humbte çdo ditë nga një tullë në themelet e brishta të demokracisë dhe pluralizmit.

Vendi nuk e kishte dhe nuk e ka luksin të humbasë edhe opozitën, prandaj prej më shumë se 1 viti sëbashku me shumë kolegë brenda grupit parlamentar kemi bërë përpjekje të sinqerta, ndonjëherë edhe me kosto personale, për t’u rikthyer demokratëve shpresën tek partia e vet, tek Partia Demokratike.

Shumë do të donin që gjërat të mos kishin shkuar keq mes ne demokratëve, shumë të tjerë do të donin që bashkimi të kishte ndodhur më shpejt. Megjithatë, jam i bindur se sot, kur grupi parlamentar kthehet i bashkuar në shtëpinë e vet, kjo është një ditë e mirë për demokratët, për opozitën, për Shqipërinë”, tha Bardhi


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë