Bota

Gazetarja e CNN pa shami mbi kokë, presidenti i Iranit refuzon intervistën në Nju Jork

Gazeta Si - Presidenti iranian Ebrahim Raisi, refuzoi t'i jepte Christiane Amanpour një intervistë të rënë dakord më herët me televizionin amerikan CNN, pasi gazetarja nuk pranoi të mbante shami në kokë në Nju Jork.

Ka qenë vetë Amanpour ajo që ka treguar historinë në Twitter e shoqëruar me foton e karriges bosh përballë, e cila ishte gati të intervistonte presidentin iranian.

"Protestat përfshijnë Iranin dhe gratë djegin hixhabin pas vdekjes së Mahsa Aminit javën e kaluar pas arrestimit të saj nga ‘policia e moralit’. Grupet e të drejtave të njeriut thonë se të paktën 8 persona janë vrarë”, shkruan gazetarja.

“Në orët e fundit, televizioni shtetëror i Teheranit ka deklaruar se të vdekurit do të ishin 17, duke përfshirë një numër të paspecifikuar agjentësh. OJQ-ja “Iran Human Rights” me seli në Oslo deklaron se janë vrarë të paktën 31 civilë. Mbrëmë desha ta pyes Presidentin Raisi për këtë dhe shumë të tjera. Do të ishte intervista e tij e parë në tokën amerikane, gjatë vizitës së tij në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, - vazhdon Amanpour. - Pas javësh planifikim dhe tetë orë përgatitje për përkthim, ndriçim dhe kamera, ishim gati. Por as hija e presidentit Raisi nuk mbërriti... Dyzet minuta pas fillimit të planifikuar të intervistës, mbërriti një asistent. Presidenti, na tha ai, më sugjeroi të mbaj mbulesën në kokë, sepse jemi në muajt e shenjtë të Muharremit dhe Safarit. Unë refuzova me mirësjellje. Jemi në Nju Jork, ku nuk ka asnjë ligj apo traditë në lidhje me vellon. Theksova se asnjë president i mëparshëm iranian nuk e kishte përsëritur këtë kërkesë kur i intervistova jashtë Iranit. Asistenti sqaroi se intervista nuk do të bëhej nëse nuk do të kisha veshur vellon. Ai tha se ishte "një çështje respekti" dhe iu referua "situatës në Iran" duke aluduar për protestat në vend”.

Gazetarja vijon se “edhe një herë e përsërita se nuk mund ta pranoja këtë kusht të paprecedentë dhe të papritur. Dhe kështu u larguam. Intervista nuk u zhvillua. Ndërsa protestat vazhdojnë në Iran dhe njerëz po vriten, do të kishte qenë një moment i rëndësishëm për të folur me presidentin Raisi”.

Ditët e fundit, autoritetet kanë censuruar internetin dhe gjithashtu kanë “fikur” Instagramin dhe Ëhatsapp-in pas shpërndarjes së videove të shumta që tregojnë protestat në shesh. Autoritetet iraniane kanë paralajmëruar se kushdo që përhap “fake neës” do të ndëshkohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë